Argumentum ad misericordiam të Adri Nurellarit!

Ndër shkarjet logjike është tepër e njohur përpjekja sofiste për të gjetur mbështetje për “argumentet e veta” duke ngjallur ndjenjën e mëshirës te të tjerët! Pikërisht në këtë shkarje ka rënë z. Adri Nurellari, i cili që në fillim të përgjigjes së vet përpiqet të prezantohet si viktimë e një reagimi sipërfaqësor që merrej kryesisht me te dhe jo me ato që paskësh shkruar ai!

Fatmirësisht jemi në epokën e internetit ku çdo lexues i interesuar për këtë çështje mund të lexojë reagimin tim ndaj shkrimit të tij dhe të gjykojë nëse vërtet jam marrë me të, apo me atë që ka shkruar ai dhe cili nga ne përdor shkarjet logjike ad hominem.

Në vend që të shohë me gjakftohtësi të gjitha argumentet që përmenden në reagimin sqarues lidhur me formën dhe përmbajtjen e lulëkuqes së dizajnuar nga Adnan Asllani, ai bën dy gabime të rënda:

Jo vetëm që nuk thotë se cili nga shpjegimet e mia për formën dhe përzgjedhjen e lulëkuqes si simbol të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë nuk përbën dallimin nga të gjitha lulëkuqet-simbole të shteteve të tjera, por z. Nurellari përpiqet të ironizojë me qëndrimin e Fakultetit të Arteve të Prishtinës për arsye se kuadri pedagogjik i këtij fakulteti e ka cilësuar këtë lulëkuqe “gjetje, ide e invencion artistik, çka e bën këtë propozim të veçantë edhe unik”.

Nuk e di nëse në hapësirat tjera mediatike ndodh ajo që ndodh në hapësirën tonë kur dikush që nuk është i fushës përkatëse profesionale i jep vetes të drejtë të kualifikojë vlerësimin e profesorëve universitar të pikturës, të skulpturës, të dizajnit, regjisorë e skenaristë filmi si njërës që nënshkruakan një vlerësim pa e vrarë mendjen apo për favor personal!

Është e njohur shprehja popullore: “një fshat që shihet, kallauz nuk do”! Opinioni publik i Kosovës e di fare mirë se kush është “postë e porositur” që shkruan për favore, prandaj nuk e shoh të nevojshme ta shtjelloj më shumë këtë aspekt! Mirëpo, nuk mundemi pa i thënë troç se të mos shohin faktet se lulëkuqja që është propozuar për simbol nga ana jonë është “gjetje, ide e invencion artistik, çka e bën këtë propozim të veçantë edhe unik” dhe ta cilësosh si “plagjiaturë” apo “kopjacë” nuk është asgjë tjetër pos përpjekje për të fshehur diellin me shoshë!

Në debatin publik që është hapur lidhur me kërkesën që të kemi simbolin përkujtimor për viktimat e gjenocidit në Kosovë ka hapësirë edhe për mendimin ndryshe, madje edhe për ata që përpiqen, për favore, të shpërndajnë mjegull!

Nuk do të më habiste nëse nga njerëz si z. Adri Nurellari të dëgjoj akuza drejtuar piktorëve të Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut për  “plagjiaturë” apo “kopjacë” nëse dikush prej tyre ka pikturuar mollë, rrush apo kombinim të pemëve në fjalë, me arsyetim se qe disa shekuj me radhë këto pemë janë pikturuar nga Leonardo da Vinci, Gustav Courbet, Eduard Manet,  Emile Dumond,Van Gogh,  Paul Cézanne,  Pierre-Auguste Renoir  e shumë piktorë të tjerë me famë botërore.

Madje shkarjet logjike të kësaj natyre mund të shkojnë deri në akuza për piktorët e lartpërmendur duke u përpjekur që në aspektin kronologjik të tregohet kush ka qenë i pari që ka përdorur mollën, rrushin, dardhën apo ndonjë pemë tjetër për të pretenduar se të tjerët kanë bërë “plagjiaturë” apo “kopjacë”.

Çdo vlerësues i mirëfilltë i veprave të artit përqendrohet të shohë gjetjet, idetë e invencion artistik, që e bën një vepër arti të jetë e veçantë dhe unike, e jo në çështje të parëndësishme nëse artisti ka përdorur mollë, rrush apo dardhë!

Meqë ra fjala për “dardhë”, zoti Adri Nurellari duhet ta dijë se “dardha e ka bishtin prapa”!

Të flitet për domosdoshmërinë e ndërmarrjeve të nismave konkrete për të de-jugosllavizuar shoqërinë dhe për të çrrënjosur ato elemente të shekullit të kolonizimit serb që mbeten ende të pranishme edhe në nivel estetik e kulturor dhe të merret shembull “referenca e bozhurit”, nuk është asgjë tjetër pos shprehje e mbetjeve të propagandës serbe që ka përvetësuar çdo gjë të banorëve autokton iliro-shqiptar të Kosovës!

Të gjithë ata që njohin rrjedhën historike të Ballkanit e dinë se as historia e Kosovës, as historia e kishave që janë në territorin e saj dhe as historia e lule bozhurit nuk fillon me ardhjen e sllavëve në Ballkan dhe se, përveç mitit, sajesa serbe për “lule bozhurin” nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin. Të gjithë e dinë se lule bozhuri (apo lule gjaku) nuk është “lule serbe”, siç nuk është serbe as lahuta, të cilën Serbia arriti ta shesë edhe në UNESCO  si “instrument muzikor serb”, pjesë e Trashëgimisë Jomatariale të Njerëzimit! Prandaj, të gjithë ata që dëshirojnë të dalin nga logjika e mendjes së jugosllavizuar duhet të çrrënjosin nga shpirti i tyre idetë dhe mitet e gatuara në kuzhinën e Beogradit!

Lule bozhuri nuk është shfrytëzuar si model dizajni për simbolin tonë, jo për shkak të pretendimeve mitike serbe, por për arsye se petalet e saj janë të kuqe, ndërsa theket i ka me ngjyrë të verdhë. Ne kemi përzgjedhur lulëkuqen, për faktin se ka ngjyrat kuq e zi, me të cilat identifikohen shqiptarët kudo qofshin në botë.

Zoti Adri Nurellari, apo kushdo qoftë që përpiqet të zhvendosë debatin në një rrafsh tjetër,  duhet ta dijë se ne do të vazhdojmë të sqarojmë se simboli i dizajnuar nga Adnan Asllani është vepër artistike origjinale dhe nuk ka të bëjë me asnjë simbol të asnjë shteti në botë. Është po kaq origjinale dhe dallon nga të gjitha lulëkuqet-simbole të vendeve tjera, sa janë origjinale dhe dallojnë njëra prej tjetrës veprat e artistëve të ndryshëm që kanë marrë për motiv të pikturave të tyre pemët, lulet, pyjet, lumenjtë, liqenet, detet, qiellin, retë etj…

Bardhyl Mahmuti
Kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

 

 

Share this post