Aspekte teorike të gjenocidit dhe studim rastesh: Origjina e nocionit gjenocid (1)
Origjina e nocionit gjenocid
Holokausti, shoah dhe gjenocidi
Nga të gjithë termat që në gjuhën e përditshme është bërë e zakonshme të përdoren si të ishin sinonime të gjenocidit, në rend të parë do të veçojmë termat Holokaust dhe Shoah, që kanë një përdorim në përmasa botërore.
Fjala holokaust (fjalë me origjinë greke, që ka kuptimin e djegies së tërësishme), ka gjetur përdorim të madh që nga shekulli II p. e. s, kur për herë të parë u përkthye në këtë gjuhë Bibla e Judaizmit.
Në kuptimin biblik të asaj që quhet Testamenti i vjetër, holokausti paraqet një flijim të veçantë që bëhet për hir të Zotit. Veçantia e holokaustit qëndron në faktin se kafshët e flijuara nuk hahen, por digjen tërësisht si sakrificë për perëndinë.
Ky term dalëngadalë filloi të përdorej edhe në rastet kur ushtrohej dhunë kundër hebrenjve. Kështu, shkrimtari dhe publicisti francez me origjinë hebraike, Bernard Lazare, në veprën e tij të titulluar “Antisemitizmi, historia dhe shkaqet e tij”, të botuar në vitin 1894, shkruan: “Kur kryqtarët niseshin të çlironin Kishën e Varrit të Shenjtë, ata përgatitnin luftën e shenjtë me flijimin e hebrenjve; kur murtaja e zezë ose uria bënte kërdinë, sakrifikoheshin hebrenjtë si holokaust për perëndinë e zemëruar; kur popullin e tmerronin të këqijat, mjerimi dhe uria, ata hakmerreshin kundër hebrenjve; prifti Pierre de Cluny deklaron se nuk na duhet të shkojmë të luftojmë kundër myslimanëve, kur i kemi mes nesh hebrenjtë, që janë më të këqij se myslimanët. Çfarë të bëjmë tjetër kundër epidemisë, pos të vrasim hebrenj, të cilët bëjnë komplot me të sëmurit nga lebra për të helmuar burimet e ujit. I shfarosnin në Jork, në Londër, në Spanjë, në Itali, në Poloni, në Regnum Bohemiæ[1], në Francë, në Moravi[2], në Austri. I djegin në Strasburg, në Majnc[3], në Troa[4]; në Spanjë djegin me mijëra Marrano[5] (hebrenj të konvertuar në të krishterë); në vende të tjera ua shqyejnë barkun me sfurk dhe me kosë, i vrasin si qen”[6].
Me ardhjen e nazistëve në pushtet në Gjermani, populli hebre u përball me politikën e quajtur “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike” (në gjermanisht: Endlösung der Judenfrage), që kishte për qëllim shkatërrimin e të gjithë pjesëtarëve të këtij grupi etnik e religjioz që jetonin në Europë. Duke mos e kuptuar se bëhej fjalë për një program të detajuar për shkatërrimin total të hebrenjve, shkrimtari francez me origjinë hebraike, Max Jakob, në letërkëmbimet e tij të vitit 1937 përdor termin holokaust, që nënkupton idenë e një sakrifice kushtuar Zotit. Ai nuk e dinte se do të përfundonte në një varrezë masive si nr. 15872[7].
Mirëpo, përveç fjalës holokaust që përdorej për të cilësuar atë që përjetonin çifutët në Gjermaninë naziste, në tekste të ndryshme hasim edhe fjalën tjetër biblike shoah, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën katastrofë. Madje, në aspektin kronologjik lidhur me këtë çështje, “termi Shoah shfaqet përpara fjalës Holokaust, në vitin 1933 në gazetën “Davar” të 17 marsit për të shënjuar shfarosjen[8] e çifutëve të Europës”[9] .
Përveç dy termave të lartpërmendur, çifutët e asaj kohe përdornin edhe fjalën hurban, që ka kuptimin e shkatërrimit, shkretimit, fjalë që në traditën talmudike[10] emëronte dy shkatërrimet e Jerusalemit[11]. “Në aspektin metaforik, kjo fjalë ngërthente në vetvete të gjitha katastrofat e mëdha, masakrat, pogromin[12], duke përfshirë edhe shkatërrimin e një pjese të madhe të komunitetit çifut gjatë Luftës së Parë Botërore.”[13].
Mirëpo nuk ishin vetëm hebrenjtë, të cilët nuk gjenin termin e vetëm dhe të duhur për të përkufizuar tmerret e planifikuara dhe të ekzekutuara nga nazistët gjermanë ndaj tyre. Askush nuk dinte si ta emëronte atë që ishte duke ndodhur fillimisht me hebrenjtë e, më vonë, edhe me romët. Si ilustrim do të përmendim kryeministrin e atëhershëm të Britanisë së Madhe, Wilson Churchill, ku në një fjalim radiofonik të transmetuar në BBC në muajin gusht të vitit 1941, deklaroi: “Jemi duke parë një krim që nuk ka emër!”[14].
Disa muaj pas fjalimit të Wilson Churchill-it, juristi polak me origjinë hebraike, Rafael Lemkin, krijoi fjalën gjenocid, si nocion i ri për të emëruar këtë lloj krimi. Për të krijuar këtë neologjizëm, në kapitullin IX të veprës voluminoze “Axis Rule in Occupied Europe…”[15], të publikuar nga “Fondation Carnegie” në nëntor 1944, Lemkini përdori parashtesën greke genos, që do të thotë fis, dhe prapashtesës latine cide, që do të thotë vrasje.[16] Fatkeqësisht, në publicistikën tonë nuk janë të rralla interpretimet, që fjalën “gjenocid” e ndërlidhin me “shkatërrimin e gjenit të një kombi”!!!
Përveç krijimit të këtij termi të ri, në veprën “Axis Rule in Occupied Europe…”, Rafael Lemkin përcaktoi edhe natyrën e krimeve që duhet të përfshiheshin në këtë nocion. Me “gjenocid” autori nënkupton “shkatërrimin e një kombi ose të një grupi etnik… Në mënyrë të përgjithësuar, gjenocid nuk do të thotë shkatërrim i menjëhershëm i kombit, pos në rastet kur është kryer me masakrimin e të gjithë anëtarëve të një kombi. Më shumë ka të bëjë me një plan të koordinuar të aksioneve të ndryshme, që kanë për qëllim shkatërrimin e themeleve të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim që të asgjësohen vetë grupet. Qëllimi i një plani të tillë do të ishte çintegrimi i institucioneve politike dhe shoqërore, të kulturës, të gjuhës, të ndjenjave kombëtare, të religjionit, të ekzistencës ekonomike të grupeve kombëtare, shkatërrimi i sigurisë personale, i lirisë, i shëndetësisë, i dinjitetit dhe i jetës së individëve që u përkasin këtyre grupeve. Gjenocidi është i drejtuar kundër grupit kombëtar si të tillë, ndërsa aksionet që kryhen ndaj individëve nuk bëhen për shkak të karakteristikeve të tyre personale, por për shkak se janë anëtarë të një grupi kombëtar”[17]. Në kuadër të teknikave të gjenocidit që kishin zbatuar nazistët në vendet e okupuara, Rafael Lemkin përmend këto fusha:
- Gjenocidi në sferën politike, ku veçon “shkatërrimin e institucioneve të autonomisë lokale dhe imponimin e modelit gjerman të administratës; fshirjen e çdo gjëje që i referohej karakterit të mëparshëm kombëtar, duke përfshirë ndërrimin e emrave të firmave tregtare dhe mbishkrimeve të ndërtesave publike, të rrugicave dhe të rrugëve, emrat e lokaliteteve… dhe çdo gjë duhej t’u përshtatej emrave gjermanë”[18].
- Gjenocidi në rrafshin kulturor, i cili manifestohet me “ndalimin e gjuhës amtare në shkolla dhe shtypshkronjë, kontrollin rigoroz të aktiviteteve kulturore; shkatërrimin e monumenteve kombëtare, uzurpimin e librave të bibliotekave, dokumenteve në arkiva, si, dhe të veprave në muze dhe galeri të arteve”[19].
- Gjenocidi në fushën ekonomike, ku vihet theksi në faktin, se “shkatërrimi i bazës së ekzistencës ekonomike të një grupi kombëtar shkakton, në mënyrë të domosdoshme, një paralizim të zhvillimit të tij, madje edhe regresion dhe vështirëson përmbushjen e nevojave kulturore dhe shpirtërore”[20].
- Gjenocidi në rrafshin social[21], “gjenocidi biologjik”[22], “gjenocidi fizik”[23], “gjenocidi religjioz”[24] dhe “gjenocidi moral”[25].
Në kontekstin e shfaqjes së këtij nocioni vlen të theksohet fakti se hapësira që i dha kësaj fjale kryeredaktori i gazetës prestigjioze “The Washington Post”, Eugene Isaac Meyer, në shkrimin “Gjenocid”[26], të publikuar më 3 dhjetor 1944, pati një ndikim shumë të madh, që ky term të bëhet i njohur në përmasa ndërkombëtare.
Ndikimin e Lemkinit e konfirmon edhe Benjamin B. Ferencz, prokuror në Procesin e Nurembergut[27], i cili shkruan: “Termi gjenocid nuk figuronte në aktakuzën e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare kundër Göring-ut dhe bashkëfajtorëve të tjerë, sepse në atë kohë ky term nuk njihej nga e drejta penale dhe se gjenocidi i kryer kundër çifutëve dhe romëve ishte cilësuar si krim kundër njerëzimit dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare ekzistuese. Termi gjenocid ishte një neologjizëm i shpikur nga një refugjat polak, avokati me emër Rafael Lemkin. Lemkinin e kam takuar në korridoret e Gjykatës së Nurembergut. Kishte ikur nga atdheu i tij, pasi nazistët i kishin vrarë krejt anëtarët e familjes… Për nder të këtij njeriu dhe vlerës së argumentit të tij, me vetëdije të plotë, në fjalën hyrëse, për të përshkruar aktivitetet e Einsatzgruppen[28] përdora termin gjenocid”[29].
-Vijon: Origjina e nocionit gjenocid (2)
[1] Mbretëria e Bohemisë shtrihej në Europën Qendrore që nga shekulli XII e deri në fillim të shekullit XX. Në shekullin XVII bashkohet me Moravinë (Çekia aktuale), në të njëjtën kurorë mbretërore.
[2] Rajon i dikurshëm i Europës Qendrore që përfshinte Çekinë e sotme dhe një pjesë të vendeve përreth.
[3] Mainz, qytet në Gjermani.
[4] Troies, qytet në Francë.
[5] Marrano, në spanjisht quheshin hebrenjtë e konvertuar në të krishterë.
[6] Bernard Lazare, L’Antisémitisme, son histoire et ses causes, (Antisemitizmi, historia dhe shkaqet e tij), Édition de l’AAARGH, 2002 1894, f. 62: https://docplayer.fr/70242-Bernard-lazare-l-antisemitisme-son-histoire-et-ses-causes.html
[7] Nazistët zbatuan një sistem të kombinuar numrash identifikues dhe simbolesh për të shënjuar kundërshtarët e tyre dhe të burgosurit (Ylli i Davidit për hebrenjtë; trekëndëshi i kuq për komunistët; trekëndëshi i zi për romët, prostitutat, alkoolikët dhe të sëmurët mendorë e kështu me radhë). Në këtë mënyrë ata humbnin identitetit e tyre personal.
[8] Në mungesë të përkufizimeve të qarta juridike të kategorive që lidhen me krimet gjatë luftës, në shumicën e rasteve është përdorur termi “shfarosje”, për të shënjuar rastet më ekstreme të dhunës. “Shfarosja” si kategori juridike e së Drejtës Penale Ndërkombëtare është objekt i trajtimit të veçantë në këtë libër.
[9] Francine Kaufmann, “Holocauste ou Shoah ? Génocide ou ‘Hourbane’? Quels mots pour dire Auschwitz ?”, në Mémoire de la Shoah/ Revue de l’Histoire de la Shoah, 2006/1 N0184 f. 358.
[10] Interpretimet gojore të pesë librave që përmbledh Tora në gjuhën hebraike (Zanafilla, Dalja, Levitikët, Numrat dhe Ligji i përtërirë).
[11] Shkatërrimi i parë i Jerusalemit, masakrimi i popullsisë dhe zhvendosja për në Babiloni e popullsisë së Mbretërisë së Judesë që u kishte mbijetuar masakrave, u bë nga perandori babilonas Nebukodonosori II, në vitin 586 para erës sonë, ndërsa shkatërrimi i dytë u bë në vitin 70 të erës sonë nga perandori romak Titus Caesar Vespasianus Augustus.
[12] Fjalë me origjinë ruse që ka kuptimin e “shkatërrimit”. Pogromi shënjon vrasjet masive dhe përndjekjet e hebrenjve në Rusi gjatë periudhës 1881-1921. Ky term ka marrë shtrirje të gjerë përdorimi edhe për krimet e kësaj natyre të kryera në shumë vende të tjera të botës.
[13] Francine Kaufmann, vepra e cituar “Holocauste ou Shoah ? Génocide ou ‘Hourbane’? Quels mots pour dire Auschwitz ?”, f. 342.
[14] Yves Ternon, Comparer les génocides, Revue d’Histoire de la Shoah 2003/1-2 (N° 177-178), f. 43
CAIRN.INFO: https://www.cairn.info/revue-revue-d-histoire-de-la-shoah1-2003-1-page-35.htm
[15] Axis Rule in Occupied Europe : Laws of Occupation, Analysis of Government, Proposals for Redress. By Raphael Lemkin. [Publications of the Carnegie Endowment for International Peace, Division of International Law, Washington.] (New York : Columbia University Press. 1944.
https://gallica.bnf.fr/ark:/12148/bpt6k9443228/f1.item.texteImage
[16] Nations Unies, Bureau de la prévention du génocide et de la responsabilité de protéger.
Génocide, Rappel historique.
[17] Axis Rule in Occupied Europe : Laws of Occupation, f. 79.
[18] Po aty, f. 82.
[19] Po aty,f. 84.
[20] Po aty, f. 85.
[21] Po aty, f. 83.
[22] Po aty, f. 86.
[23] Po aty, f. 87.
[24] Po aty, f. 89.
[25] Po aty, f. 89.
[26] Shkrimi i cituar i Yves Ternon, Comparer les génocides…, f. 43.
[27] Pa përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët e bllokut antifashist krijuan Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare me seli në qytetin gjerman Nuremberg. Procesi kundër 24 udhëheqësve nazistë gjermanë filloi më 20 nëntor 1945 dhe përfundoi më 1 tetor 1946. Ky proces përbën një moment shumë të rëndësishëm në historinë e formësimit të së drejtës penale ndërkombëtare. Për hollësi më të mëdha shih: Les archives du procès de Nuremberg. La Cour internationale de Justice, gardienne des archives du Tribunal militaire international de Nuremberg (Arkivat e Procesit të Nurembergut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ruajtës i arkivave të Procesit të Nurembergut, të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut),
https://www.icj-cij.org/sites/default/files/documents/library-of-the-court-fr.pdf
[28] Einsatzgruppen (Ajnzatc grupen) që do të thotë “grup i ndërhyrjes”. Ishin njësitë lëvizëse të policisë politike të Rajhut III, me ndihmën e së cilave Hitleri eliminonte kundërshtarët politikë dhe kryente aksionet më të rënda kundër hebrenjve, romëve etj.
[29] Benjamin B. Ferencz, Le procès des Einsatzgruppen (1947-1948). (Procesi i Einsatzgruppen).
Publikuar në: “Les Cahiers de la Justice” 2012/3 (N° 3), f. 67-73.
https://www.cairn.info/revue-les-cahiers-de-la-justice-2012-3-page-67.htm&wt.src=pdf