Çështja e paramendimit dhe krimi i gjenocidit (6)

Një aspekt tjetër që e shohim të udhës ta trajtojmë në këtë pjesë të studimit tonë lidhet me çështjen e paramendimit gjatë kryerjes së akteve gjenocidale. Në këtë kontekst po përmendim faktin, se shumica e juristëve që kishin punuar për përpilimin e variantit të dytë të projekt-konventës, ishin të mendimit se në përkufizimin e krimit të gjenocidit duhej të përfshihej “paramendimi” si kategori e së drejtës penale. Në përputhje me këtë frymë, në nenin II të këtij varianti të projekt-konventës (E/794)[1] “gjenocidi nënkupton cilindo akt që përmendet më poshtë, që është kryer me paramendim dhe që ka pasur për qëllim të shkatërrojë një grup kombëtar, racial, religjioz ose politik, për shkak të origjinës kombëtare ose raciale, bindjeve religjioze apo opinioneve politike të anëtarëve të tij…”[2].

Mirëpo kur ky variant u shtrua për diskutim, u shfaqën mospajtime të shumta, ndërsa delegacioni belg dorëzoi propozimin me amendamente[3], në mesin e së cilave ishte edhe propozimi për heqjen e fjalës “paramendim” nga neni II. Kjo kërkesë gjeti mbështetje nga një numër i konsiderueshëm i delegacioneve të shteteve anëtare dhe shumica e përfaqësuesve që u deklaruan rreth kësaj çështjeje, ishin të një mendimi me delegacionin e Belgjikës, se një vepër, për t’u cilësuar si gjenocid, nuk është e domosdoshme të thuhet se është kryer me paramendim, që të shkatërrohet grupi si i tillë: mjafton qëllimi[4].

Në fund të diskutimeve rreth amendamenteve belge, në seancën e shtatëdhjetë e tre të mbajtur më 13 tetor 1948, u votua lidhur me propozimin për të hequr fjalën “paramendim”: 27 shtete ishin për heqjen e saj, 10 shtete votuan për ta ruajtur përkufizimin siç ishte propozuar në projekt-konventë dhe 6 shtete abstenuan. Si rezultat i këtij votimi, “komisioni vendosi të heqë fjalën ‘paramendim si kriter për cilësimin e një akti si akt gjenocidal’”[5].

Pas të gjitha debateve dhe kundërthënieve që karakterizuan procesin e përpilimit të Konventës për Gjenocid, më 10 dhjetor 1948, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Në nenin II të kësaj konvente, që paraqet dokumentin e parë themelor juridik të së drejtës penale ndërkombëtare për krimin e gjenocidit, thuhet:

“Në këtë Konventë, me gjenocid” kuptohet cilido nga aktet e mëposhtme, të kryera me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar, si i tillë:

  1. a) vrasja e anëtarëve të grupit;
  2. b) lëndimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit;
  3. c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin shkatërrimin e plotë fizik ose të pjesshëm të tij;
  4. d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit;
  5. e) zhvendosja e dhunshme e fëmijëve nga njëri grup në tjetrin”[6].

Siç mund të shihet nga ky përkufizim, përveç heqjes së grupeve politike, grupeve ekonomike dhe gjenocidit “kulturor” nga kategoritë e mbrojtura me konventë, në formën përfundimtare që miratoi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u hoq edhe shprehja “akte të kryera me paramendim”, që figuronte në variantin e dytë të projekt-konventës[7]. Megjithatë, ka autorë shqiptarë që, pas gjashtë dekadave nga koha e miratimit të këtij përkufizimi, vazhdojnë të mbështeten në përkufizime që nuk janë në përputhje me atë që konsiderohet normë juridike e së drejtës penale ndërkombëtare. Madje hasim edhe të tillë, si historiani Hakif Bajrami, për të cilin “gjenocidi është krim i organizuar me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të identitetit, të zhdukjes së shenjave të kulturës shpirtërore dhe materiale, në mënyrë që të bëhet ndërprerja e zhvillimit normal të procesit historik në jetën e një populli[8]!

Hakif Bajrami nuk ndalet me kaq. Në kontekst të mediatizimit për domosdoshmërinë e ngritjes së padisë kundër Serbisë për gjenocidin që ka kryer gjatë luftës 1998-1999, ai publikoi shkrimin “Dy shekuj gjenocid të programuar serb ndaj shqiptarëve”[9] dhe mendon se ky shkrim “duhet t’u prezantohet organeve të hetuesisë me rastin e padisë së Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve”[10].

Pa pasur as njohuritë minimale rreth përkufizimit të krimit të gjenocidit dhe pa përmendur asnjë referencë, Hakif Bajrami pretendon se “në teorinë e krimeve janë të shënuara për ta kompletuar definicionin janë tri lloje të gjenocidit: GJENOCIDI IDEOR, GJENOCIDI TEORIK dhe GJENOCIDI PRAKTIK”[11].

Nuk besoj se mund të gjejmë në ndonjë gjuhë tjetër të botës një përkufizim kaq paradoksal për gjenocidin dhe tipologjinë e “llojeve të gjenocidit”, saqë të mos përmbajnë qoftë edhe një element të vetëm të përkufizimit të gjenocidit, siç është përcaktuar në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në tekstet themelore të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (Statuti i Romës dhe Elementet e Krimeve).

Nuk do të citoja një historian në kontekst të trajtimit të aspekteve teorike lidhur me krimin e gjenocidit, por ndikimet negative të qasjeve të tilla përsëriten nga një autor te tjetri dhe lënë pasoja për gjeneratat e ardhshme të historianëve, të cilët mbështeten në përkufizime të tilla të gabuara. Sa për ilustrim po përmend shembullin e historianit Nuridin Ahmeti, i cili në shkrimin “Nga ‘Naçertania’ deri te Pavarësia e Kosovës”[12] citon të njëjtin përkufizim të gjenocidit.

Qasje të tilla joserioze ndaj çështjes së gjenocidit, me sajesa që nuk kanë asgjë të përbashkët me normat juridike ndërkombëtare, mund t’u japin argumente mohuesve të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, që të na akuzojnë jo vetëm për “falsifikim të kuptimit të zakonshëm të termave që përdoren në Konventë”, por për falsifikim të tërësishëm të përkufizimit të gjenocidit!

– Vijon-


[1] Nation Unis, Conseil Economique et Social, Comité spécial du génocide (5 avril-10 mai 1948)

Rapport du comité et projet de convention élaboré par le comité (Dr. Karim Azkoul), E/794, 26 mai 1948:

https://digitallibrary.un.org/record/604195?ln=fr

[2] Po aty, neni II, f. 11.

[3] Doc.ONU A/C.6/217.

[4] Dokumentet e cituara: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale…, f. 84: https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr

[5] Po aty, f. 90.

[6] Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit.

[7] Shih përkufizimin e gjenocidit në nenin II të varianteve të projekt-konventës, të cituara më lart.

[8] Hakif Bajrami, Gjenocidi serb në Kosovë 1878-1999, në: Nusret Pllana, Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999, botimi i tretë, Arkivi Shtetëror i Kosovës, Prishtinë, 2011, f. 11.

[9] Hakif Bajrami, Dy shekuj gjenocid të programuar serb ndaj shqiptarëve, “Kosova sot”, më 8 prill 2024:

https://www.kosova-sot.info/opinione/713232/dy-shekuj-gjenocid-te-programuar-serb-ndaj-shqiptareve/

[10] Po aty.

[11] Po aty. Fjalët me shkronja kapitale janë të Hakif Bajramit.

[12] Nuridin Ahmeti, Nga “Naçertania” deri te Pavarësia e Kosovës, 08/05/2012:

https://orientalizmi.wordpress.com/2012/05/08/nga-nacertania-deri-te-pavaresia-e-kosoves/

Share this post