Divergjencat rreth grupeve që duhej mbrojtur me Konventën mbi Gjenocidin (3)

  1. Grupet politike

 Në trajtimin paraprak rreth origjinës së termit gjenocid përmendëm faktin, se gjatë punës së komisionit të ngarkuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për përpilimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit lindën divergjenca të mëdha mes përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse.

Divergjencat kryesore u shfaqën rreth çështjes së grupeve shoqërore që do të mbroheshin me këtë konventë. Duke qenë pjesë e ekipit të juristëve të ngarkuar që të përpilonin projekt-konventën, Rafael Lemkini pati mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në formulimet e tekstit që u prezantua për shqyrtim. Në bazë të nenit I të projekt-konventës E/447[1], “qëllimi i kësaj konvente është pengimi që të shkatërrohen grupe njerëzore të përkatësive raciale, kombëtare, gjuhësore, fetare ose politike”[2], ndërsa në nenin II vihej theksi se “në këtë konventë gjenocidi nënkupton cilindo akt kriminal që është kryer kundër ndonjërit nga grupet e  lartpërmendura njerëzore, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht, apo të pengohet ruajtja ose zhvillimi i tij.[3].

Projekti për të mbrojtur grupet e lartpërmendura ishte në përputhshmëri me orientimet që kishte dhënë Asambleja e Përgjithshme nëpërmjet rezolutës 96 (I). Mirëpo, nëse mbetej në fuqi përkufizimi i gjenocidit, ku përfshiheshin krimet që kishin “shkatërruar tërësisht ose pjesërisht grupe raciale, kombëtare, gjuhësore, fetare, politike ose grupe të tjera”, atëherë, pa asnjë dyshim, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS)[4] do të dënohej për gjenocid, për shkak të krimeve të tmerrshme që kishte kryer ndaj kundërshtarëve politikë, sidomos gjatë zbatimit të “Urdhrit operativ 00477”[5]. Si shembull përmendim këtu faktin, se sipas arkivave zyrtare të shtetit rus, vetëm “për 16 muaj (gusht 1937-nëntor 1938) sa zgjati zbatimi i këtij urdhri, mbi një milion e gjysmë njerëz u arrestuan dhe u dënuan, ndërsa më shumë se 800 mijë prej tyre u pushkatuan”.

Të njëjtat brenga kishin edhe shumica e shteteve të Amerikës Latine, të Amerikës Qendrore dhe të Lindjes së Mesme, për shkak të mënyrës se si i kishin trajtuar kundërshtarët e tyre politikë.

Debatet rreth asaj nëse grupet politike do të mbroheshin me konventë, nuk i la indiferentë as udhëheqësit komunistë të një numri të konsiderueshëm shtetesh, të cilët, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, vendosën sistemin politik një partiak.

Vetëm në këtë kontekst duhet të shihen përpjekjet e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe satelitëve të saj (Polonisë, Bjellorusisë, Ukrainës, Rumanisë, Çekosllovakisë, Jugosllavisë etj.)[6], të disa vendeve të Amerikës Latine (Argjentinës, Brazilit, Republikës Dominikane, Uruguajt, Venezuelës) dhe të disa shteteve të Lindjes së Mesme (Egjiptit, Iranit) për të penguar përfshirjen e grupeve politike në kategorinë e grupeve të mbrojtura me Konventën për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Në bazë të sintezës që ka bërë për këtë çështje raportuesi special i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Nicodème Ruhashyankiko, argumentet kryesore rreth së cilave artikuloheshin diskurset e përfaqësuesve të shteteve që ishin kundër mbrojtjes së grupeve politike me këtë konventë, mund të përmblidhen si më poshtë:

  1. grupi politik nuk përmban elemente të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të karakterit objektiv, sepse nuk përbën një grup të domosdoshëm dhe homogjen, por është organizim që bazohet në vullnetin e anëtarëve të tij, e jo në faktorë të pavarur nga ky vullnet;
  2. përfshirja e grupeve politike do të pengonte miratimin e konventës nga shumica e shteteve, si dhe pranimin e juridiksionit penal ndërkombëtar, sepse kjo do të mundësonte ndërhyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në luftërat e brendshme politike të secilit vend;
  3. kjo përfshirje do t’u krijonte vështirësi qeverive të ligjshme në luftën e tyre për t’u mbrojtur nga elemente subversive;
  4. mbrojtja e grupeve politike do të shtronte çështjen e mbrojtjes me konventë të grupeve ekonomike[7] dhe profesionale;
  5. mbrojtja e grupeve politike dhe grupeve të tjera duhet të bëhet me instrumente të tjera jashtë konventës, me ligjet në nivel kombëtar dhe me Deklaratën për të Drejtat e Njeriut”[8].

 Nga ana tjetër, nuk ishin të paktë juristët që këmbëngulnin në përfshirjen e grupeve politike në nenin II të konventës. Një sintezë të arsyeve që jepeshin për domosdoshmërinë e përfshirjes së grupeve politike në kategorinë e grupeve që duhej të mbroheshin me konventë na jep juristi Pieter N. Drost, i cili thotë: “Duke përjashtuar grupet politike nga grupet e tjera të parapara të mbrohen me konventë, autorët e këtij instrumenti u kanë lënë qeverive një mundësi të madhe dhe të rrezikshme, që t’u shmangen obligimeve në rrafshin human që u impononte Konventa, duke u lejuar të zbatojnë gjenocidin, me arsyetim se një gjë të tillë e bëjnë për çështje sigurie, të ruajtjes së rendit publik, apo çfarëdolloj arsyetimi që mbështetet mbi parimin politik,[9] sipas të cilit interesi shtetëror, si interes i përgjithshëm, mund të kërkojë që në raste të caktuara të mos zbatohen disa rregulla juridike ose morale, sidomos në situata të jashtëzakonshme”[10].

Në kontekstin e konfrontimit të pikëpamjeve rreth përfshirjes së grupit politik në kategorinë e grupeve të mbrojtura me konventë, edhe “Rafael Lemkini shprehu dyshimet e veta nëse ia vlente të nxitej dështimi i konventës, duke u përpjekur të futeshin nocione rreth së cilave njerëzit ishin thellësisht të përçarë. Përveç kësaj, historia na tregon se, praktikisht, grupet raciale, kombëtare dhe religjioze janë grupet njerëzore më të ekspozuara ndaj gjenocidit”[11].

Me qëllim që të përshpejtohej procesi për hartimin e konventës, Këshilli Ekonomik dhe Social miratoi një rezolutë të re[12]. Nëpërmjet Rezolutës 117 (VI), të datës 3 mars 1948, ky këshill:

  • Ftoi anëtarët e Kombeve të Bashkuara, që ende nuk i kishin dërguar vërejtjet e tyre lidhur me projekt-konventën (dokumenti E/447) të hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm, që t’i dërgonin sa më shpejt;
  • Themeloi një komitet të veçantë, në përbërje të të cilit ishin Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Libani, Polonia, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike dhe Venezuela,
  • Dha mandat të mblidhej në selinë e organizatës për të përpiluar një projekt-konventë mbi krimin e gjenocidit, në përputhje me rezolutën e lartpërmendur[13] të Asamblesë së Përgjithshme dhe ta prezantojë këtë projekt-konventë, si dhe rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, lidhur me këtë çështje, drejtuar Këshillit Ekonomik dhe Social;
  • Kërkoi që gjatë përpilimit të kësaj projekt-konvente të merret në konsideratë projekt-konventa e hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm[14], vërejtjet që i janë bërë kësaj projekt-konvente nga shtetet anëtare dhe të gjitha projektet e tjera që lidhen me këtë çështje e që mund të paraqesin shtetet anëtare.”[15]

Edhe në nenin II të variantit të dytë të projekt-konventës (E/794)[16] “gjenocidi nënkupton cilindo akt që përmendet më poshtë, që është kryer me paramendim dhe që ka pasur për qëllim të shkatërrojë një grup kombëtar, racial, religjioz ose politik, për shkak të origjinës kombëtare ose raciale, bindjeve religjioze apo opinioneve politike të anëtarëve të tij…”[17].

Pas debateve të shumta, në seancën e shtatëdhjetë e pestë, të mbajtur më 15 tetor 1948, shumica e vendeve votuan për përfshirjen e “grupit politik” në kategorinë e grupeve të mbrojtura me Konventën për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[18]. Mirëpo në pikën 3 të amendamenteve (E/794)[19] të propozuara nga BRSS-ja, delegacioni sovjetik kishte kërkuar të hiqej nga neni II fjala “politik” dhe shprehja “…opinioneve politike”[20]. Prandaj çështja e grupeve politike dhe e përndjekjes për shkak të opinioneve politike u kthye përsëri në tryezën e diskutimeve. Në seancën e 107-të, të mbajtur më 15 nëntor 1948, u shqyrtuan amendamentet e BRSS-së. As në këtë seancë kërkesat e BRSS-së nuk gjetën mbështetje: “Me 21 vota kundër, me 5 vota për dhe me 12 abstenime, amendamentet u hodhën poshtë”[21]. Megjithatë, kjo çështje nuk përfundoi me kaq. Dy javë më vonë, në seancën e 128-të, të mbajtur më 29 nëntor 1948, delegacionet e Iranit, Egjiptit dhe Uruguajt, kërkuan “të rishqyrtohej çështja e përjashtimit të grupeve politike nga lista e grupeve të mbrojtura me konventën për gjenocid.”[22].

Kërkesa për rishqyrtimin e asaj që ishte votuar më parë dëshmonte për tensionet e mëdha, që ishin krijuar për shkak të mbrojtjes së grupeve politike me konventë. Divergjencat shkuan deri në atë shkallë sa vunë në rrezik miratimin e saj. Pikërisht për këtë arsye, përfaqësuesi i SHBA-së, Ernest A. Gross, deklaroi se “do të jepte pajtimin që të hiqej nga neni II pjesa që kishte të bënte me grupet politike, me qëllim që të shmangej mundësia e mosmiratimit të konventës nga ana e disa shteteve”[23]. Edhe në seancën e ardhshme, kur debatohej për çështjen e juridiksionit penal ndërkombëtar, Ernest A. Gross vuri në dukje se “çdo përmendje e parimit të një juridiksioni penal ndërkombëtar u nxirrte probleme të veçanta disa shteteve, për shkak të mbrojtjes që u ishte dhënë grupimeve politike”[24].

Si rezultat i kompromiseve që u bënë, në një votim të ri “22 shtete votuan për të hequr mbrojtjen e grupeve politike me Konventën për gjenocid, 6 shtete votuan kundër dhe 12 shtete abstenuan”[25].

Çështja e mbrojtjes së grupeve politike dhe e institucioneve autonome u la të rregullohej me instrumente të tjera, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut[26], Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial[27], Deklarata për të Drejtat e Personave që u Takojnë Pakicave Kombëtare, Etnike, Fetare dhe Gjuhësore[28], Pakti Ndërkombëtar lidhur me të Drejtat Civile dhe Politike[29] etj.

Disa aspekte që kishin të bënin me çështjen e kategorive të mbrojtura me Konventën për gjenocid u përfshinë edhe në Kodin e Krimeve kundër Paqes dhe Sigurisë së Njerëzimit, i miratuar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare[30].

Sa i përket çështjes së grupeve politike, në paragrafin 9 të nenit 17 të këtij kodi thuhet: “Përkufizimi i persekutimit, i shpallur nga Gjykata e Nurembergut, përfshinte grupet politike, por u hoqën nga përkufizimi i gjenocidit në konventë, për arsye se ky grup nuk u konsiderua aq i qëndrueshëm, saqë të përfshihej në këtë krim. Megjithatë, persekutimi i drejtuar kundër anëtarëve të një grupi politik mund të përbëjë një krim kundër njerëzimit, që është në përputhje me paragrafin (e)[31] të nenit 18 të këtij kodi”[32].

Projekt-konventat, amendamentet dhe debatet që u zhvilluan gjatë procesit të miratimit të Konventës për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit janë tepër të rëndësishme jo vetëm për historianët e mendimit juridik, por për të gjithë ata që trajtojnë çështjen e gjenocidit. Informimi i hollësishëm lidhur me këtë proces na mundëson të kuptojmë kontekstin politik dhe historik që kushtëzoi heqjen e grupeve politike nga lista e grupeve të mbrojtura që u përfshinë në përkufizimin e krimit të gjenocidit në këtë konventë dhe, gjatë argumentimeve për gjenocidin, që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë, të shmangim mbështetjen në përkufizime që kanë mbetur vetëm në kuadër të projekt-konventave.

E shohim të udhës të tërheqim vëmendjen rreth kësaj çështjeje, sepse në një numër të konsiderueshëm shkrimesh të autorëve shqiptarë në Kosovë që trajtojnë këtë temë, shihen ndikimet negative të përkthimit jo të saktë në gjuhën serbo-kroate të Konventës për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe interpretimet e gabueshme të saj.

Nëse përkufizime dhe interpretime të tilla do të mbeteshin në kuadër të fushës intelektuale të shoqërive ku lindën (në Serbi, Kroaci dhe Maqedoni), as që do të merrnim mundimin t’i përmendnim. Mirëpo përkthimi i tyre në gjuhën shqipe dhe citimi jokritik nga intelektualë shqiptarë që kanë autoritet në fushën juridike, mund të ketë ndikim te hulumtuesit e rinj. Prandaj kjo do të trajtohet më hollësisht në një kapitull të veçantë të këtij libri[33]. Tani për tani do të ndalemi vetëm në citatet që lidhet me grupet e mbrojtura me konventë.

Në shkrimin “Aktet juridike diskriminuese dhe gjenocidale të pushtetit serb në Kosovë”, i botuar në kuadër të përmbledhjes së publikuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”[34], Esat Stavileci citon përkufizimin e gjenocidit nga një përzgjedhje e deklaratave dhe konventave për të drejtat e njeriut[35], sipas së cilës me gjenocid nënkuptohet shkatërrimi sistematik i një grupi etnik ose i popujve të tërë, me vrasjen dhe shfarosjen masive të banorëve të tyre dhe me shpartallimin e institucioneve politike, sociale, kulturore dhe konfesionale të tyre”[36].

Në të njëjtën frymë, por pa shënuar burimin e citatit që vë në thonjëza, Arsim Bajrami shkruan: “Konventa e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve[37] dhe Gjenocidit për shkatërrimin e institucioneve të një kombi, dekompozimin institucional të një shoqërie, zhdukjen e udhëheqjes së një kombi dhe shteti, me qëllim krijimin e një situate anarkie e trajton si gjenocid”[38].

Një interpretim i tillë është tërësisht i gabuar, sepse nuk ekziston asnjë element i vetëm ku mund të mbështetet pohimi, se gjoja Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit “trajton si gjenocid ‘shkatërrimin e institucioneve të një kombi, dekompozimin institucional të një shoqërie, zhdukjen e udhëheqjes së një kombi dhe shteti, me qëllim të krijimit të një situate anarkie’”!!!

Nuk mund ta dimë se nga cili përkufizim janë ndikuar. Mirëpo ajo që mund të konstatohet në dhjetëra studime rreth krimeve që ka kryer Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës, është përqendrimi i vëmendjes në “përndjekjet politike”, “shpartallimin e institucioneve politike, sociale, kulturore”, “shkatërrimin institucional dhe gjenocidin politik” e kështu me radhë.

Në pjesën e mësipërme lexuesit patën mundësi të njihen me rrjedhat e procesit të përpilimit të Konventës mbi gjenocidin dhe arsyet e heqjes së grupeve politike nga lista e grupeve të mbrojtura me konventë. Nëse krahasojmë përmbajtjen e citateve që sjellin Esat Stavileci dhe Arsim Bajrami, me mënyrën se si është përkufizuar gjenocidi në Konventën për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe çfarë nënkuptohet me gjenocid në këtë konventë, do të bindemi se kemi të bëjmë me shtrembërim të rëndë të bazës juridike të së drejtës penale ndërkombëtare për këtë krim.

Në përfundim të temës, që lidhet me grupet politike në raport me grupet e mbrojtura me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit e shohim të domosdoshme të tërheqim vëmendjen se, përkundër faktit që përndjekja e grupeve politike shqiptare në Jugosllavi është e pashembullt në historinë e Europës së Pasluftës së Dytë Botërore dhe diskriminimi politik i shqiptarëve arriti shkallën e aparteidit gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, as “ndjekjet penale politike masive…”[39], as “aktet e UDB-së kundër anëtarëve të organizatave ilegale…”[40] dhe as “rrënimi i subjektivitetit politik të Kosovës”[41] nuk përfshihen në kategorinë e krimit të gjenocidit, por në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit.

Citimi i punimeve të Esat Stavilecit, Arsim Bajramit dhe të autorëve të tjerë që përmenden në fusnotë apo që do të citohen në vijim, dhe tërheqja e vëmendjes rreth dëmeve që mund të shkaktojnë pasaktësitë rreth nocioneve juridike, nuk kanë karakter polemik, por bëhet në funksion të sensibilizimit për domosdoshmërinë e saktësimit të terminologjisë juridike, sidomos në kohën kur Kosova duhet të bëjë përgatitjet serioze për ngritjen e padisë për gjenocidin që ka kryer Serbia gjatë luftës 1998-1999. Domosdoshmërinë e seriozitetit në sistemimin dhe prezantimin e provave e thekson edhe Arsim Bajrami. Në veprën e cituar më lart ai thotë: “GJND-ja[42] ka ndërtuar standarde mjaft të larta dhe të vështira për ta argumentuar krimin si gjenocid dhe ka bërë refuzime të shumta për kërkesa të shteteve të ish-Jugosllavisë, për të vërtetuar gjenocidin e ushtruar nga Serbia…”[43]. Prandaj padia e Kosovës kundër Serbisë kërkon vërtet një përgatitje serioze, shkencore, profesionale… që nga ky proces Kosova të dalë fitimtare. Çdo variant tjetër, nëse rasti nuk do të fitohet, do t’i bëhet një dëm i rëndë Republikës së Kosovës, sepse, në një mënyrë, jo vetëm shteti serb nuk do ta marrë dënimin për gjenocid, por ai do të mund, në një mënyrë, që të amnistohet nëse Kosova do ta humbte rastin. Ky epilog eventual negativ do t’i relativizonte krimet dhe gjenocidin, dhe kjo do të ishte një padrejtësi historike ndaj viktimave të luftës, por edhe një dëm i madh për Republikën e Kosovës”[44].

Ende pa bërë padinë kundër Serbisë për krimin e gjenocidit që ka kryer ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-1999, opinionit publik në Kosovë ishte dëshmitar i përpjekjeve të Aleksandar Vuçiqit për të manipuluar me librin e Nusret Pllanës[45] në raport me procesin gjyqësor kundër udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Imagjinoni kur të ngrihet padia!

Për të shmangur gabime të tilla eventuale, që do t’i shkonin përshtat Serbisë, duhet të dëshmohet përgatitja serioze, shkencore dhe profesionalizëm jo vetëm gjatë hartimit të padisë kundër Serbisë, por edhe në çdo shkrim që trajton temën e gjenocidit duhet të mbisundojnë kriteret shkencore në ndriçimin e realitetit. Që të arrihet një nivel i tillë i përgjegjësisë, duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm që të mos përdorim termat që nuk janë pjesë e përkufizimit të gjenocidit sipas së drejtës penale ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye po e përsërisim: gjatë argumentimit të akteve gjenocidale, që kanë kryer forcat e armatosura serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk duhet të përfshihen “ndjekjet penale politike masive…”[46], “aktet e UDB-së kundër anëtarëve të organizatave ilegale…”[47], “rrënimi i subjektivitetit politik të Kosovës”[48] apo krime që kanë të bëjnë me persekutimin e shqiptarëve për motive politike, për të vetmen arsye, se krimet e kësaj natyre nuk bëjnë pjesë në krimin e gjenocidit, por në krimet kundër njerëzimit.

-Vijon-


[1] Nations Unis, Conseil Economique et Social, Projet de Convention sur le Crime de Génocide, E/447, 26 juin 1947: https://digitallibrary.un.org/record/611058?ln=fr

[2] Po aty, f. 7.

[3] Po aty, f. 7-8.

[4] Në vijim, në disa raste, do të përdorim shkurtesën “BRSS” për Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.

[5] Urdhër i NKVD-së (Народный комиссариат внутренних дел – Komisariatit Popullor për Punë të Brendshme) i datës 30 korrik 1937 për arrestimin, dënimin, pushkatimin dhe internimin e mbi një milion e gjysmë njerëzish.

[6] Republika Popullore e Shqipërisë nuk ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prandaj nuk ishte pjesë e debateve rreth kësaj çështjeje. Qëndrimi i Shqipërisë socialiste ndaj Konventës mbi gjenocidin është objekt i veçantë i trajtimit në këtë libër.

[7] Çështjen e amendamenteve lidhur me grupet ekonomike do ta shqyrtojmë në temën e ardhshme.

[8] Nations Unis, Etude sur la question de la prévention et de la répression du crime de génocide, Etude préparée par M. Nicodème Ruhashyankiko, Rapporteur spécial, f. 21. (Teksti në gjuhën angleze dhe frënge). https://digitallibrary.un.org/record/663583

[9] Autori përdor shprehjen Raison d’Etat. Në citat kam përdorur thelbin e kësaj shprehjeje.

[10] Cituar nga Nicodème Ruhashyankiko në veprën e lartpërmendur, f. 23.

[11] Nations Unis, Conseil Economique et Social, Projet de Convention sur le Crime de Génocide, E/447, 26 juin 1947, f.26. https://digitallibrary.un.org/record/611058?ln=fr

[12] Nations Unies, Résolutions adoptées par le Conseil économique et sociale pendant sa sixième session du 2 février au 11 mars 1948, f. 19-20 (Rezoluta është në anglisht dhe frëngjisht).

https://www.lawandisrael.org/wp-content/uploads/Topics/Holocaust/Genocide/ECOSOC-Res.-117VI.pdf

[13] Bëhet fjalë për Rezolutën 96 (I), të datës…

[14] Bëhet fjalë për projekt-konventën E/447.

[15] Nations Unies, Résolutions adoptées par le Conseil économique et sociale pendant sa sixième session du 2 février au 11 mars 1948, f. 19-20 (Rezoluta është në anglisht dhe frëngjisht).

https://www.lawandisrael.org/wp-content/uploads/Topics/Holocaust/Genocide/ECOSOC-Res.-117VI.pdf

[16] Nation Unis, Conseil Economique et Social, Comité spécial du génocide (5 avril-10 mai 1948)

Rapport du comité et projet de convention élaboré par le comité (Dr. Karim Azkoul), E/794, 26 mai 1948.

https://digitallibrary.un.org/record/604195?ln=fr

(Origjinali në gjuhën frënge. Në gjuhën angleze shih projekt-konventën e dytë në faqen e mëposhtme: Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide

– the Secretariat and Ad Hoc Committee Drafts

Secretariat Draft

First Draft of the Genocide Convention,

Prepared by the UN Secretariat, [May] 1947 [UN Doc. E/447]

Ad Hoc Committee Draft

Second Draft Genocide Convention

Prepared by the Ad Hoc Committee of the Economic and Social Council (ECOSOC), meeting between April 5, 1948 and May 10, 1948 [UN Doc. E/AC.25/SR.1 to 28]

http://www.preventgenocide.org/law/convention/drafts/

[17] Po aty, neni II, f. 11.

[18] Në favor të mbrojtjes së “grupit politik” votuan 29 shtete: Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Panamaja, Paraguaji, Filipinet, Arabia Saudite, Siami, Suedia, Siria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jemeni, Australia, Bolivia, Birmania, Kanadaja, Kili, Kina, Kuba, Danimarka, Ekuatori, Salvadori, Franca, Haiti, Islanda, India dhe Luksemburgu. Kundër përfshirjes së “grupit politik” në mbrojtjen me konventën për gjenocid u deklaruan 13 shtete: Polonia, Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës, Unioni Jug-Afrikan, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, Uruguaj, Venezuela, Argjentina, Belgjika, Brazili, Republika Socialiste Sovjetike e Bjellorusisë,  Çekosllovakia, Republika Dominikane, Irani.

Ndërsa 9 shtete abstenuan: Nikaraguaja, Pakistani, Peruja, Jugosllavia, Afganistani, Egjipti, Etiopia, Greqia dhe Libani. Shih: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale, Première Partie, Questions juridiques, Sixième Commission, Comptes Rendus Analytiques des Séances 21 septembre-10 décembre 1948 (Dokumente zyrtare të sesionit të tretë të Asamblesë së Përgjithshme, Çështje juridike, Komisioni i Gjashtë, Shpjegime analitike të seancave 21 shtator-10 dhjetor 1948), f. 115.

https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr

[19] Nations Unis, Assamblée Générale, Genocide – draft Convention and report of the Economic and Social Council : amendments to the draft Convention (E/794) / Union of Soviet Socialist Republics. (Teksti në gjuhën angleze dhe frënge). A / C. 6/215/ Roy 1, 9 octobre 1948.

https://digitallibrary.un.org/record/603619

[20] Po aty. Union des Républiques socialistes soviétiques: Amendements au projet de Convention (E/794), f. 2, pika 3.

[21] Dokumentet e cituara më sipër: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale…, f. 471; https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr

[22] Po aty, f. 659.

[23] Po aty, f. 662.

[24] Po aty, f. 669.

[25] Po aty, f. 664.

Për historianët e mendimit juridik është me interes të madh të shihet në tërësi procesi i sjelljes së vendimeve në këtë institucion ndërkombëtar. Lidhur me këtë aspekt të problematikës “Dokumentet zyrtare të sesionit të tretë të Asamblesë së Përgjithshme” dhe studimi i Nicodème Ruhashyankiko janë literaturë e domosdoshme për të kuptuar kontekstin politik dhe historik që kushtëzoi heqjen e grupeve politike nga lista e grupeve të mbrojtura që u përfshinë në përkufizimin e krimit të gjenocidit në këtë konventë.

[26] Nations Unies, Assemblée Générale, A/RES/217(III), Déclaration universelle des droits de l’homme, 10 dhjetor 1948: https://undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=A%2FRES%2F217(III)&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False

[27] Nations Unies, Assemblée Générale, A/RES/2106(XX), 21 dhjetor 1965.

Convention internationale sur l’élimination de toutes les formes de discrimination raciale,

https://undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=A%2FRES%2F2106(XX)&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False

[28] Nations Unies, Assemblée Générale, Déclaration des droits des personnes appartenant à des minorités nationales ou ethniques, religieuses et linguistiques, 3 shkurt 1993. https://undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=A%2FRES%2F47%2F135&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False

[29] Nation Unies, Pacte international relatif aux droits civils et politiques. Entrée en vigueur: le 23 mars 1976

https://www.ohchr.org/fr/instruments-mechanisms/instruments/international-covenant-civil-and-political-rights

[30] Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare është organ i OKB-së, i ngarkuar për kodifikimin dhe zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.

Fillimisht projekti për këtë kod u miratuar në vitin 1954, në sesionin e gjashtë të këtij komisioni, ndërkaq formën aktuale ka marrë pas miratimit në sesionin e katër dhjetë e tetë, të mbajtur në vitin 1996.

[31] Nenin 18 i këtij kodi u kushtohet krimeve kundër njerëzimit. Në pikën (e) të listës së krimeve që hyjnë në këtë kategori përmendet “persekutimi për motive politike, racore, religjioze dhe etnike”.

Nations Unies, Bureau des affaires juridiques, Projet de Code des crimes contre la paix et la sécurité de l’humanité, f. 49.

https://legal.un.org/ilc/texts/instruments/french/commentaries/7_4_1996.pdf

[32] Po aty, f. 47. Dallimi me ngjyrë më të theksuar është yni.

[33] Në librin që do të botohet do të saktësohet saktë se në cilën faqe do të trajtohet kjo.

[34] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës , “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, Prishtinë 1995.

[35] “Konvencija o sprečavanju i kažnjavanju zločina genocida. Izbor deklaracija i povelja o ljudskim pravima”. Nova Knjiga, 1989.

[36] Vepra e cituar më lart e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale…”, f. 229.

[37] E citoj tekstualisht si është i shkruar emri i konventës. Fillimisht kam menduar se bëhet fjalë për ndonjë gabim drejtshkrimor, por përdorimi i shpeshtë nga ana e Arsim Bajramit i këtij emërtimi të gabuar, nxjerr në pah jokoherencën terminologjike të autorit: emërtimi i saktë është Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, dhe jo Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve dhe Gjenocidit.

[38] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 335. (Citatet përshkruhen me besnikëri, pa ndërhyrje në gabimet drejtshkrimore).

[39] Ismet Salihu, “Ndjekjet penale politike masive të pushtetit serb ndaj pjesëtarëve të popullit shqiptar me elemente të gjenocidit në funksion të rrënimit dhe mohimit të subjektivitetit politik dhe kulturor të Kosovës”. Shkrimi i botuar në përmbledhjen e titulluar “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, botimi i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f. 217-225.

[40] Sabile Basha, “Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj anëtarëve të organizatave ilegale shqiptare në Kosovë pas vitit 1945”, shkrimi i botuar në përmbledhjen  e titulluar Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, botimi i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f. 189-195.

[41] Temë që trajtohet gjerësisht në veprën “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike” e autorit Arsim Bajrami, f. 94-114; f. 258-261; f. 334-337.

[42] GJND – akronim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

[43] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 548.

[44] Po aty.

[45] “Zëri”, Vuçiqi kërkon hapjen e arkivave të UÇK-së, përmend librin e Nusret Pllanës, 16 qershor 2021:

https://zeri.info/aktuale/412301/vuciqi-kerkon-hapjen-e-arkivave-te-uck-se-permend-librin-e-nusret-pllanes/

[46] Ismet Salihu, “Ndjekjet penale politike masive të pushtetit serb ndaj pjesëtarëve të popullit shqiptar me elemente të gjenocidit në funksion të rrënimit dhe mohimit të subjektivitetit politik dhe kulturor të Kosovës”. Shkrim i botuar në përmbledhjen  e titulluar “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, botimi i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f. 217-225.

[47] Sabile Basha, “Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj anëtarëve të organizatave ilegale shqiptare në Kosovë pas vitit 1945”, shkrim i botuar në përmbledhjen  e titulluar “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, botimi i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, f. 189-195.

[48] Temë që trajtohet gjerësisht në veprën “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike” e autorit Arsim Bajrami, f. 94-114; f. 258-261; f. 334-337.

Share this post