“Eskadronët e vdekjes” – ROMAN PËR FITUESIT MORALË

Selajdin Salihu

Nga Salajdin SALIHU

Jetojmë në kohën kur, fatkeqësisht, letërsia ka dalë nga orbita e interesimit të shoqërisë sonë. Jetojmë në kohën e spektaklit, simulimit, hiperrealitetit, kur banalja është bërë kategori estetike, siç thotë Jean Baudrillard-i. Por, bota s’është vetëm spektakël për t’i kënaqur qeniet pa qëllime eprore. Asaj i duhet edhe libri, i cili mbetet kur shumëçka tjetër të jetë harruar. Romani Eskadronët e vdekjes i autorit Bardhyl Mahmuti, do të mbetet dhe do të lexohet, qoftë për shkak të vlerave artistike, qoftë për shkakun se i shërben kujtesës sonë dhe e ngjall empatinë për fituesit moralë – viktimat.

* * *

Para se ta analizojmë librin Eskadronët e vdekjes, le të teorizojmë pak për romanin, për të cilin është thënë se e shënon “pjekurinë e një kombi dhe një kulture”. Romani, sipas teoricienëve, e ka aftësinë që të fus zhanre tjera në konstitucionin e tij dhe t’i asimilojë. Romansieri ndërthur në roman edhe fakte, dokumente historike, reportazhe, ese, poezi ose shkrime publicistike.

Thuhet se nëse epi, si stërgjysh i romanit, nuk shkruhet më, sepse ngjarjet i vendos në raport me qiellin dhe flet për “të kaluarën absolute”, romani shkruhet e lexohet, sepse ngjarjet i vendos në raport me historinë dhe flet për “të tashmen e përhershme”.

Romani mund ta ketë shtresën aktuale, por detyrimisht ai duhet që ta ketë shtresën universale.

* * *

Në romanin Eskadronët e Vdekjestë Bardhyl Mahmutit gërshetohet fakti me fiksionin. Kemi aty fakte e dokumente historike, shkrime gazetareske dhe dosje origjinale, që janë futur brenda konstitucionit të romanit dhe janë asimiluar. Kemi personazhe realë e të sajuar. Kemi shtresën aktuale dhe universale.

Nëse shtresa aktuale ndërlidhet me historinë më të re, me ngjarjet në ish-Jugosllavi dhe jo vetëm, shtresa universale flet për funksionimin e një regjimi diktatorial.

Regjimet diktatoriale, totalitare, kriminale, të çdo kohe e hapësire, janë të njëjtë. Adam Michnik-u te libri Në kërkim të sensit të humbur thotë se çdo diktature i duhet shpirti i përndjekjes, akuzës, denigrimit, përjashtimit, shpifjes dhe gjirizit; se në diktazirë përndjekja bëhet mënyrë jetese, kurse kundërshtari i regjimit duhet të bëhet “objekt i urrejtjes dhe përçmimit kolektiv”.

Diktaturat dallohen për njëmendësinë, kultin ndaj individit, ngufatjen e autonomisë së sferave shoqërore, ideologjinë se Aparati shtetëror dhe Partia kanë të drejtë edhe kur nuk kanë të drejtë.

Regjimi totalitar, sikurse paraqitet edhe në këtë roman, është i egër, i dhunshëm, paranojak. Në këtë regjim janë të zakonshme vrasjet, proceset e montuara, krimet, zhdukja e gjurmëve të krimeve, demonizimi i kundërshtarëve politikë, propaganda sistematike, gjithëprania e shërbimeve sekrete, madje edhe në zonën private. Kemi aty përndjekës dhe të përndjekur, xhelatë dhe viktima, lajkatarë dhe disidentë. Kemi “automatë” që i shërbejnë regjimit dhe e krijojnë “banalitetin e ligësisë”, siç e quan Hanah Arendt-i. Kemi edhe teori komploti – që i mobilizojnë njerëzit kundër “armiqve të jashtëm e të brendshëm”. Kemi shantazhe, mitologji të keqpërdorur dhe demonologji. Këto regjime, gjithashtu, nuk lejojnë kurrfarë disidence. Disidenti është armiku që duhet të dënohet, të përçmohet, të zhduket. Diktaturat e dënojnë çdo rebelim kundër Normës dhe e shpërblejnë çdo shërbim.

Gjithçka nga e sipërthëna trajtohet artistikisht edhe në romanin Eskadronët e vdekjes.

* * *

Bardhyl Mamuti e merr materialin bruto nga një fragment historie dhe, pasi e filtron me “mjetet” e shkrimtarit, e paraqet në formë të një kronike. Kështu, duke lexuar romanin, ne e lexojmë një kohë.

Nëse nëpërmjet romanit Festa e Cjapit të Mario Vargas Losës e njohim regjimin diktatorial të Truhinjos në Republikën Dominikane, nëse nëpërmjet romanit Gjuetari i Balonave të Khaled Hosseinit arrijmë ta njohim historinë e re dhe realitetin e zymtë në Afganistan, falë romanit Eskadronët e Vdekjes e njohim funksionimin e një regjimi mizor – atë të Makbethëve serbë.

* * *

Balzaku tha se shoqëria ishte historiane, kurse ai ishte sekretar i saj. Në analogji: shkrimtari Bardhyl Mahmuti, nëpërmjet instrumenteve të letërsisë, i ka shënuar ngjarjet kryesore në një shtet diktatorial, shtet mizor.

Në roman kemi narracion të rrjedhshëm, logjik, të besueshëm. Kemi kulturë të madhe gjuhësore. Kemi sistem motivimi bindës, që një roman e bën të realizuar artistikisht. Kemi erudicion, që sot është veçanti e romanit me poetikë postmoderne. Kemi nuanca të komikes edhe në rrethanat kur personazhet gjenden në situata ekstreme jetësore. Kemi përshkrime skajshmërish të sakta të burgjeve, gjyqeve dhe qyteteve. Mbase për shkakun se autori e njeh këtë botë. Ai e ka përjetuar jetën nën hetuesi dhe pas grilave (në “terrinë”).

* * *

Ngjarjet në roman rrëfehen në veten e parë nga personazhi Mifi L. Zhvillohen në vitet e fundit të ish-Jugosllavisë (“Jugosllavisë së Tretë”, siç e quan autori). Mes tjerash, flitet për planin gjenocidal “Patkoi”; rastin e Dubravës; frigoriferët me kufoma civilësh shqiptarë; Batajnicën famëkeqe; rastin “Panda”; burgosjet dhe torturimin e shqiptarëve në burgje; pushtetin e çiftit Makbeth; atentatet kundër Drashkoviqit e Gjingjiqit; vrasjen e Stamboliqit; qasjen ultranacionaliste të Dobrica Qosiqit; propagandën e kalemxhinjve të Beogradit; politikën nacionaliste të Koshtunicës, i cili i nderonte kriminelët e luftës dhe i mbronte strukturat e regjimit paraprak; ekstradimin e Millosheviqit në Hagë; daljen në sipërfaqe të krimeve të beretave të kuqe, pra eskadronëve të vdekjes; klanet vrastare të Zemunit ose Surçinit – si makineri kriminale të regjimit, që ishin mbi ligjin ose vetë ligji; vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiqit dhe propagandën kinse ishte vrarë nga shërbimet sekrete amerikane e britanike; operacionin “Sablja” kundër vrasësve të Gjingjiqit; dëshmi të shumta për krimet serbe kundër civilëve etj.

Ngjarjet zhvillohen sipas renditjes shkak – pasojë. Pra, kemi roman me strukturë vargore, ku e kaluara rrëfehet nëpërmjet reminishencave ose dëshmive.

Personazhet kryesorë mbeten të njëjtë përgjatë gjithë rrëfimit. Ka ndryshime te personazhet episodikë. Ata i ka kthjelluar e vërteta, u ka shkaktuar brerje në ndërgjegje, i ka vrarë shpirtërisht, ua ka bërë jetën ferr. Ata rrëfejnë për ta çliruar shpirtin e ngarkuar me faje. E kërkojnë shpengimin, katarsën, duke dëshmuar për krimet shtetërore ndaj një popullate të pafajshme.

Në roman gjithçka sillet rreth kryeprotagonistit Mifi L., i cili është personazh i veçantë në mbarë letërsinë shqipe. Mifi L. është gazetar opozitar serb, i biri një ish – eprori ushtarak, i cili e zbardh të vërtetën për gjenocidin ndaj shqiptarëve, kurse kjo e tmerron regjimin.

Mifi L. ka mbledhur dëshmi nga ushtarët e penduar serbë, të cilët kanë rrëfyer për tmerret në Kosovë. Ushtarët e penduar kanë parë se lufta e tyre nuk kishte asgjë heroike, por kishte vetëm krime çnjerëzore.

Mifi L. kidnapohet, torturohet, përçmohet, akuzohet për spiunim, mashtrim dhe baltosje të imazhit të vendit, sepse regjimi kriminal s’e duron të vërtetën. Regjimi synon t’i fsheh krimet ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve, dhunimet e grave shqiptare, zhdukjen e kufomave.

Për shkak të shkrimeve të tij, Mifi L. rrezikon ta pësojë fatekësinë e gazetarit Slavko Quruvija, i vrarë nga regjimi i Millosheviqit.

Gjatë qëndrimit në burgje hetuese njihet me të burgosur shqiptarë. Tek ata sheh njerëz me dinjitet, që vuajnë sepse e duan lirinë e vendit dhe kombit të tyre.

Kur fati i kryeprotagonistit duket si i paracaktuar, ndodhin ndryshimet politike në Serbi. Më pas protagonisti e mëson nga dorëshkrimi i një oficeri se ministri i mbrojtjes Ojdaniq kishte urdhëruar likuidimin e tij në burg.

Protagonisti nuk rrëfen për ngjarjet e jashtme në të cilët bazohet historia. Ai flet më shumë për dhimbjet njerëzore.

* * *

Çesllav Millosh te libri Mendja e robëruar thotë: “Në fjalët e shkruara nga historianët nuk e gjen dëshpërimin e nënave dhe as vuajtjet e fëmijëve”. Dëshpërimin dhe vuajtjen e nënave dhe fëmijëve shqiptarë e gjejmë edhe në romanin Eskadronët e vdekjes.

Letërsia, ndryshe nga historia, merret me historitë e subjektivizuara. Ajo merr nga historia aq sa i nevojitet. Letërsia merret me fatet njerëzore, me klithjet, frikën apo lemerinë e njerëzve përpara eskadronëve të vdekjes.

Ndryshe nga historiani, që profesioni ia kërkon të ndalet te pamjet e jashtme dhe të shkruajë me mendje të ftohtë, për të qenë më i besueshëm, shkrimtari merret me gjendjen e brendshme njerëzore, atë shpirtërore. Shkrimtari na krijon empati për personazhet. Si lexues vihemi në pozitën e atyre që vuajnë dhe bashkëndjejmë me ata.

Nëse historiani thotë se në një masakër janë vrarë kaq e kaq njerëz, shkrimtari fokusohet te dhembja e njerëzve, bashkëndjen tmerrin që e përjetojnë ata në çastin kur vdekja është ose fare pranë, ose për shkak të torturave të tmerrshme kërkohet që të vijë sa më shpejt për t’i fashitur dhembjet. Por, në të tilla raste, çuditërisht, ajo vonon, bëhet e ngathët, e largët.

* * *

Bardhyl Mamuti pasi shkroi libra duke u bazuar vetëm në fakte, të cilët duhet t’i shërbejnë të sotmes dhe gjithsesi do t’i shërbejnë historisë, vendosi ta shkruante këtë roman me qëllim që lexuesit e sotëm dhe të nesërm të mos harronin të keqen dhe të bashkëndjejnë vuajtjen e viktimave.

Derisa njerëzit i shijojnë lojërat e lirisë s’duhet të harrojnë se për lirinë janë derdhur lumenj gjaku; se themelet e atdheut lartësohen edhe mbi varret e fëmijëve të lindur e të vdekur në të njëjtin vit, madje pa arritur të pagëzoheshin nga prindërit. Dhe duhet të kujtohet vargu i Dante Aligierit: “Oh, kur e kujtoj se me sa gjak është blerë”.

Prijësit, burokratët, nëpunësit, elitat dhe çdokush tjetër, që i shijojnë të mirat e kësaj bote, por ashtu si Midasi mitologjik duan që gjithçka e prekin ta kthejnë në ar, duhet të mendojnë se për të mirat e tyre dikush e ka përjetuar tmerrin. Duhet të mendojnë se ne jemi kalimthi në këtë botë dhe se një formë tjetër ekzistence mund ta sigurojmë vetëm duke bërë gjëra të mira që do t’i shijojnë edhe të paardhurit. Kështu mendojnë ata që punojnë për qëllime të larta. Ndryshe mendojnë ata që jetën e kanë lidhur vetëm me gjëra të përkohshme.

Romani i Bardhyl Mahmutit duhet të lexohet edhe për këtë qëllim. Eskadronët e vdekjes, përveç se është vepër letrare dhe na krijon kënaqësi estetike (që është qëllimi kryesor i letërsisë), na kujton atë që ka ndodhur dhe sikur na bën ftesë mos harrojmë. Kush harron atij i përsëritet tmerri i historisë.

* * *

Derisa shkrimtari Danilo Kish mbante ligjëratë për Holokaustin, vërejti se të rinjtë s’e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur. Atëherë ndjeu obligim moral të rrëfente për të keqen, që ajo mos harrohej. Prandaj e shkroi romanin Varrezat e Boris Davidoviqit.

Ata që do ta lexojnë romanin Eskadronët e Vdekjes të Bardhyl Mahmutit besoj se do t’u zgjohet respekti dhe empatia për të rënët.

Romani, veç tjerash, i bën një nder të madh kulturës dhe letërsisë shqiptare, sepse aty nuk ka shovinizëm dhe urrejtje. Njerëzorja i bën nder të madh letërsisë shqiptare. Madje, autori romanin ua kushton intelektualëve serbë që guxuan të flisnin për gjenocidin në Kosovë, siç janë: Natasha Kandiqi, Miroslav Filipoviqi, Sonja Biserko apo Slavko Quruvija.

* * *

Derisa e lexoja romanin shpesh më ndodhte të kaplohesha nga ekstazat e leximit. Shpesh shënoja margjinave ndjenjat e mia. Më lejoni të ndaj ca shënime që nuk janë shkruar me gjuhën e profesorit a studiuesit; pra nuk janë shkruar me gjuhën e ftohtë, që i themi metagjuhë ose gjuhë e zakonshme që flet për gjuhë artistike. Janë shënime që i ka shkruar dhembja njerëzore për të rënët, të cilëve duhet t’u shprehim respekt dhe nderim të përhershëm. Duke i nderuar ata e nderojmë edhe vetveten…

Pushoni në përjetësinë tuaj. Askush s’mund t’ua cenojë lavdinë. Ajo është si era e lehtë sipër lules, sipër fluturës që dallohet me ngjyrat shkëlqyese. Është si ajri i pastër që na mbush me frymë kur bota është e ndotur. Është erë e përjetshme, e tejjetshme, e këndejjetshme, si fryma juaj… Pushoni në përjetësinë tuaj, ju që e deshët lirinë më shumë se jetën, ju që na ushqeni me ëndrrat tuaja sa herë privohemi nga liria. Pushoni në përjetësinë tuaj, askush s’mund t’ua vjedhë lavdinë, siç tha Bajroni. As oratorët që fshehin ligësinë me fjalë të qëndisura. Pushoni në çlodhjen e përhershme se jetën e patët me trazime. Gjithçka që u mbeti është lavdia, e cila emrin ua mbart ndër mote…

* * *

Romancierit Bardhyl Mamuti duhet t’i shprehim falënderimin tonë që na kujton atë që nuk duhet dhe nuk guxojmë ta harrojmë. Eskadronët e vdekjes është homazh, respekt dhe nderim për të rënët, të përvuajturit. Është roman për fituesit moralë – viktimat. Ky libër le të na shërbejë edhe si nxitje për të shkruar për temat që trajtohen aty. Lufta e Trojës krijoi letërsi të madhe. Edhe Holokausti lindi vepra të mëdha. Këto vepra duhet të shkruhen edhe për luftën e Kosovës.

Online

Share this post