Gjenocidi dhe termat asgjësim”, “zhdukje”, “eliminim”, “shfarosje”, “shkatërrim” (9)
Në pjesën e sipërme theksuam se përkthimi në gjuhën serbo-kroate i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit ka pasur një ndikim shumë të madh te juristët shqiptarë të Kosovës, saqë as sot e kësaj dite nuk janë çliruar nga terminologjia jo e saktë e tij.
Le të shohim ku qëndron problemi.
Në nenin II të tekstit të përkthyer në gjuhën serbo-kroate, që iu bashkëngjit vendimit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Jugosllavisë për aderimin e këtij shteti në Konventën mbi gjenocidin thuhej: “Në këtë konventë me gjenocid nënkuptohet cilado nga veprat e mëposhtme, të kryera me qëllim që të asgjësohet tërësisht ose pjesërisht ndonjë grup kombëtar, etnik, racor ose religjioz si i tillë: (dhe vijojnë pesë aktet gjenocidale)”[1].
Theksojmë që në fillim, se përkthimi i përkufizimit të gjenocidit në gjuhën serbo-kroate është bërë nga teksti në gjuhën ruse, sepse vetëm në këtë gjuhë, nga gjuhët zyrtare të dokumenteve të OKB-së, është përdorur termi “asgjësim” (“уничтожить”)[2], në vend të termit “shkatërrim”, që përdoret në gjuhët e tjera zyrtare të Kombeve të Bashkuara.
Të sqarojmë se në gjuhën angleze, atë frënge dhe italiane për fjalën “asgjësim” përdoret “annihilate” (anglisht), “annihiler” (frëngjisht) dhe “annientare” (italisht), fjalë që e kanë origjinën nga fjala latine “annihilare” (të bësh të mos ekzistojë diçka, ta asgjësosh).
Në tekstin zyrtar në gjuhën angleze[3], atë frënge[4] dhe italiane[5] të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe të Elementeve të Krimeve, në asnjë rast të vetëm nuk përdoret termi “asgjësim” (“annihilate”, “annihiler”, “annientare”), por përdoret termi “shkatërrim”: “destroy”, “détruire”, “distruggere”, që e ka origjinën nga fjala latine “destruere” (ta zhbësh diçka që ka qenë e ndërtuar, ta shkatërrosh).
Edhe në gjuhën gjermane[6], në dokumentet e lartpërmendura, nuk përdoret folja “vernichten” (asgjësoj), por folja “zerstören” (shkatërroj).
Siç shihet, vetëm në përkufizimin e gjenocidit në gjuhën ruse, në vend të fjalës “shkatërrim”, përdoret fjala “asgjësim”.
Është e rëndësishme të theksohet, se në tekstin e përkthyer të konventës, që shoqëroi vendimin e aderimit të Jugosllavisë në Konventën mbi gjenocidin, u ruajt togfjalëshi “si i tillë”, që lidhej me qëllimin specifik të shkatërrimit të grupeve të mbrojtura me konventë. Nuk dihet për çfarë arsyeje, por shprehja “si i tillë” nuk u përfshi në përkufizimin e gjenocidit në Kodin Penal[7] të Jugosllavisë Socialiste.
Në punimet e prezantuara në simpoziumin[8] e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me temën “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këtej”, doli në shesh ndikimi i përkufizimit të lartpërmendur serbo-kroat tek intelektualët shqiptarë të Kosovës që trajtuan çështjen e gjenocidit.
Kështu, për shembull, Zejnullah Gruda[9] në punimin e tij të titulluar “Nocioni gjenocid sipas dokumenteve ndërkombëtare”[10], duke u mbështetur në fjalorin e juristit kroat, Vladimir Ibler[11], shkruan: “Fjalorët e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare gjenocidin e përkufizojnë si krim (akt) i kryer, me qëllim të shfarosjes së plotë ose të pjesshme të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar”[12]. Mirëpo kur i referohet Konventës së Gjenocidit ai shkruan: “Konventa përcakton veprimet, të cilat përbëjnë krimin e gjenocidit. Sipas saj, (neni 2), gjenocid konsiderohet cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim, që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”[13].
Në përkthimin e përkufizimit të gjenocidit nga gjuha serbo-kroate në shqip, Zejnullah Gruda përdor dy variante: në rastin e parë, si qëllim i krimit të gjenocidit është “shfarosja e tërësishme ose e pjesshme e grupit”, ndërsa në rastin e dytë “zhdukja e tërësishme ose e pjesshme e grupit”! Dhe në të dy variantet mungon shprehja “si i tillë”!
Në studimin e titulluar “Aktet juridike me karakter gjenocidi të pushtetit serb në periudhën 1913-1915”[14], juristi tjetër nga Kosova, Fatmir Sejdiu[15], citon përkufizimin e “gjenocidit si akt a veprim i planifikuar i dhunës së ushtruar ‘me qëllim që, në tërësi apo pjesërisht, të asgjësohet grupacioni i caktuar nacional, etnik apo religjioz {…}’ i definuar kështu në Konventën për Pengimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit, miratuar në seancën III Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 9.12.1948”[16].
Në fusnotën 1 të këtij punimi, autori u referohet tre fjalorëve: Politika enciklopedija, Savremena administracija, Beograd 1975; Pravna Enciklopedija, Savremena administracija. Beograd 1979 dhe Lexique de termes juridiques, Dalloz 1981. Në leksikun e termave juridikë të botimit të Dalloz-it përdoret nocioni “shkatërrim”[17] dhe, rrjedhimisht, termi “asgjësim” duhet të jetë nga fjalorët në gjuhën serbo-kroate.
Meqenëse në fund të përkufizimit të cituar në thonjëza Fatmir Sejdiu vë {…}, që lë të nënkuptohet se përkufizimi vazhdon, nuk mund ta dimë nëse në burimin që i referohet autori mungon kategoria “raciale”, si grup i mbrojtur me konventë, dhe shprehja “si i tillë”, që shënjon qëllimin e veçantë të krimit të gjenocidit për të shkatërruar grupet e mbrojtura. Përkufizimi i gjenocidit në këtë punim është jo i plotë dhe i pasaktë. Mirëpo në një prononcim në cilësinë e Presidentit të Kosovës, me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, në mirënjohjen që shpreh lidhur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, Fatmir Sejdiu thotë: “Edhe në këtë përvjetor, ne përulemi para kujtimit për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Po kështu, ne ripërsëritim falënderimin tonë të përhershëm për të gjitha vendet që na ndihmuan në ditët më të vështira të historisë sonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, si dhe të gjitha vendet e tjera, të cilat duke ndërhyrë në Kosovë, jo vetëm që e shpëtuan popullin e Kosovës nga rreziku i zhbërjes fizike, por hapën një kaptinë të re në historinë e Aleancës Veriatlantike dhe të botës mbarë”[18]. Sa i përket zbatimit të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në këtë rast Fatmir Sejdiu përdor termin “zhbërje”, që është sinonim i fjalës “shkatërrim”. Mirëpo jurisprudenca e gjykatave penale ndërkombëtare tërheq vërejtjen, se “akte gjenocidale konsiderohen vetëm aktet që kanë për qëllim shkatërrimin fizik ose biologjik, të tërësishëm ose të pjesshëm, të grupit si të tillë dhe kjo çështje duhet të dallohet në mënyrë të qartë nga aktet që synojnë zhbërjen e grupit”[19] nëpërmjet “copëtimit ose asimilimit”[20].
Ndërsa Zejnullah Gruda përdor fjalët “shfarosje” dhe “zhdukje” në vend të fjalës “shkatërrim” dhe Fatmir Sejdiu fjalën “asgjësim”, te shkrimet e Ismet Salihut[21] gjejmë të tre termat: “asgjësim”, “shfarosje” dhe “zhdukje”.
Kështu, si autor i pjesës që ka të bëjë me veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare, e përfshirë në kuadër të veprës “Komentari i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”[22], kur flet për gjenocidin, Ismet Salihu sjell në tërësi nenin e Kodit Penal të Kosovës, që ka të bëjë me këtë çështje:
“1. Kushdo që me qëllim të asgjësimit të tërësishëm apo të pjesërishëm të ndonjë grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar kryen një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme, do të dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm:
1.1. vrasjen e anëtarëve të grupit;
1.2. shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore apo mendore të anëtarëve të grupit;
1.3. vënien e qëllimshme të grupit në kushte të tilla të jetës, të cilat shpien në shfarosje të plotë apo të pjesërishme fizike;
1.4. vënien e masave, të cilat kanë për qëllim që të pengojnë lindjet brenda grupit;
1.5. transferimin me dhunë të fëmijëve të grupit në një grup tjetër”[23].
Mirëpo kur i referohet Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, ai thekson se “në nenin 2 të kësaj konvente, si krime të gjenocidit, të cilat kryhen me qëllim të zhdukjes së tërësishme apo të pjesshme të grupit nacional, etnik, racor apo fetar, konsiderohen këto vepra: (Përsëriten pesë veprat e lartpërmendura)”[24].
Në dallim nga juristët paraprakë, te vepra e Arsim Bajramit, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”[25], hasim mungesë të madhe të koherencës terminologjike. Në pjesën e mësipërme përmendëm se autori përdor shumë shpesh emërtimin e gabuar të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, duke e emëruar Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimeve dhe gjenocidit, sikur të kishim të bënim me dy gjëra të ndryshme. Për të shmangur përdorimin e pasaktë të emërtimit të një konvente ndërkombëtare, në vijim do të përdorim vetëm shprehjen Konventa mbi Gjenocidin.
Në kapitullin I, në pjesën që i kushtohet “përkufizimit të gjenocidit”, Arsim Bajrami jep disa përkufizime të nenit II.
Kur i referohet Konventës mbi Gjenocidin ai shkruan: “(Neni II i saj), gjenocidin e përkufizon: Cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Këtu bën pjesë:
(a) vrasja e anëtarëve të grupit:
(b) lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit:
(c) vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës, që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij:
(d) ndërmarrja e masave drejtuar në pengimin e lindjeve brenda grupit dhe
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në tjetrin”[26].
Në paragrafin në vijim, kur përmend “interpretimin restriktiv” të kësaj konvente, Arsim Bajrami shkruan se përparësi i jepet jo numrit të viktimave, por qëllimit të krimit dhe saktëson se qëllimi duhet të jetë “asgjësimi i grupit”[27]. Menjëherë pas këtij pohimi, në rreshtin që vijon, ai shkruan: “Sipas kësaj konvente, gjenocidi definohet në mënyrë shumë të qartë dhe strikte: Zhdukja e tërësishme ose e pjesshme e një grupi etnik, nacional, fetar apo racor quhet gjenocid”[28].
Më vonë, në kapitullin V, Arsim Bajrami i rikthehet përkufizimit të gjenocidit. Fillimisht i referohet konventës dhe thekson: “(Neni II i saj), gjenocidin e përkufizon: Cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim të eliminimit të plotë apo të pjesshëm të grupit nacional, etnik, racor ose religjioz”[29]. Mirëpo, në paragrafin e tretë të së njëjtës faqe, kur shqyrton pikën (a) të listës së krimeve në Konventën mbi Gjenocidin që lidhet me vrasjen e anëtarëve të grupit si akt gjenocidal, ai shkruan: “Ky kriter është tërësisht i përmbushur në luftën e Kosovës, sepse projekti i gjenocidit serb në Kosovë, në epiqendër të tij kishte vrasjen e shqiptarëve sipas përkatësisë etnike të tyre, me qëllim të shfarosjes së tyre si komb dhe spastrimin etnik (…) Ata vriteshin jo për pjesëmarrje në luftë të armatosur, por vetëm për faktin se ishin shqiptarë etnikë dhe, si të tillë, duhej të zhdukeshin me qëllim spastrimin etnik të Kosovës”[30].
Ndërkaq, kur i referohet nenit 6 të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Arsim Bajrami citon përkufizimin nga një përkthim jo i saktë i Statutit të Romës në gjuhën shqipe: “Për qëllimet e këtij Statuti, gjenocidi nënkupton cilindo nga aktet vijuese, të kryera me qëllim të shkatërrimit në tërësi apo pjesërisht të grupit nacional, etnik, racial apo fetar, siç janë… (Përsëriten pesë aktet gjenocidale a), b), c), d) dhe e), dhe në pikën c) përdoret termi “shkatërrim: (c) shkaktimi i qëllimshëm në grup i kushteve të jetës, të parashikuara që të sjellin shkatërrimin e tij fizik të plotë ose të pjesshëm.[31].
Në renditjen e terminologjisë që përdor Arsim Bajrami nuk kemi përfshirë rastin, ku në kontekst të tendencave të “relativizimit juridik të gjenocidit të Serbisë në Kosovë”[32], ai shkruan: “Kjo tendencë bie në kundërshtim me frymën e Konventës së OKB-së për gjenocidin, ku shprehimisht aty thuhet se: gjenocidi paraqet vrasje selektive apo të plotë të një grupi në baza etnike, racore dhe baza të tjera, si dhe ndërmarrjen e pesë veprimeve të tjera, që përbëjnë veprën penale të gjenocidit”[33]. E hoqa nga lista e përkufizimeve që citon autori, sepse në asnjë variant të konventës në gjuhët zyrtare të teksteve të Kombeve të Bashkuara, madje as në variantet e projekt-konventës nuk thuhet shprehimisht ajo që pretendohet në këtë përkufizim. Nuk e di se nga cili burim është nxjerrë një përkufizim i tillë, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, por i mbetet Arsim Bajramit ta krahasojë këtë përkufizim me përkufizimet e gjenocidit në gjuhët zyrtare të dokumenteve të Kombeve të Bashkuara, sepse pohimi se gjoja “shprehimisht thuhet në Konventën e OKB-së për gjenocidin”, ajo që citohet më lart është, pas asnjë dyshim, “falsifikim i kuptimit të zakonshëm të termave që përdoren në Konventë… Një lexim i thjeshtë i tekstit të Konventës e hedh poshtë këtë interpretim”[34].
Me një fjalë, në dallim nga juristët e tjerë, në përkufizimet e gjenocidit që sjell Arsim Bajrami përdoret termi “zhdukje”, “shfarosje”, “asgjësim”, “eliminim”, “vrasje selektive” dhe “shkatërrim”, si qëllim kundër grupeve të mbrojtura me normat e së drejtës penale ndërkombëtare.
Sa i përket përfshirjes së qëllimit të veçantë të krimit të gjenocidit në përkufizimin e këtij krimi dhe që e dallon këtë krim nga krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, edhe te ky autor, si edhe te juristët e sipërpërmendur, mungon shprehja “si i tillë”.
Sikur të kishte qenë më vigjilent gjatë trajtimit të kësaj çështjeje, Arsim Bajrami do të kishte mundur të shmangte një gabim të tillë, sepse në librin e tij citohen përkufizimet e gjenocidit në kodet civile të disa shteteve. Do të mjaftonte që, përpara se ta citonte, ta kishte lexuar me kujdes përkufizimin e gjenocidit në Kodin Penal të Gjermanisë Federale, ku thuhet: “Kushdo që, me qëllim të shkatërrimit si të tillë, tërësisht ose pjesërisht të një grupi kombëtar, racor, fetar… (vijojnë aktet gjenocidale)”[35], do të kishte konstatuar se në Kodin Penal gjerman nuk përdoret fjala “zhdukje”, “shfarosje”, “asgjësim” apo “eliminim”, por përdoret termi “shkatërrim” dhe shprehja “si të tillë”, që nxjerr në pah qëllimin specifik të këtij krimi.
Me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, krimi i gjenocidit përkufizohet kështu: “Në këtë Konventë, me gjenocid kuptohet cilido nga aktet e mëposhtme, të kryera me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar, si i tillë: (Vijon lista e akteve gjenocidale).
Siç mund të shihet nga kjo sintezë e shkurtër, mbështetja e juristëve shqiptarë të Kosovës në përkufizimin e gjenocidit në gjuhën serbo-kroate ka krijuar një mungesë koherence totale rreth terminologjisë lidhur me këtë krim. Në studimin e rasteve të ndryshme lidhur me aplikimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit nga ana e gjykatave ndërkombëtare, Enver Hasani[36] është i vetmi jurist në Kosovë, që ka përdorur përkufizimin e saktë të gjenocidit[37].
Fatkeqësisht, juristët e lartpërmendur të Kosovës, të ndikuar nga përkufizimi i gjenocidit në gjuhën serbo-kroate, ndikuan që përkufizimi jo i saktë i krimit të gjenocidit të futet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në kapitullin XV, ku përfshihen “veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare”, nenin 142 i kushtohet krimit të gjenocidit. Në këtë nen thuhet:
“1. Kushdo që me qëllim të asgjësimit të tërësishëm apo të pjesërishëm të ndonjë grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar kryen një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme, do të dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm:
1.1. vrasjen e anëtarëve të grupit;
1.2. shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore apo mendore të anëtarëve të grupit;
1.3. vënien e qëllimshme të grupit në kushte të tilla të jetës, të cilat shpien në shfarosje të plotë apo të pjesërishme fizike;
1.4. vënien e masave, të cilat kanë për qëllim që të pengojnë lindjet brenda grupit;
1.5. transferimin me dhunë të fëmijëve të grupit në një grup tjetër”[38].
Konsiderojmë se Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë korrigjimin e terminologjisë së gabuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe ta harmonizojë me nocionet e duhura të së drejtës ndërkombëtare.
-Vijon-
[1]Član II: U ovoj konvenciji pod genocidom se podrazumeva bilo koje od niže navedenih dela, počinjenih u nameri da se potpuno ili delimično uništi kao takva neka nacionalna, etnička, rasna ili religiozna grupa:
[2] Статья II, В настоящей Конвенции под геноцидом понимаются следующие действия, совершаемые с намерением уничтожить, полностью или частично, какуюлибо национальную, этническую, расовую или религиозную группу как таковую:
[3] Article II, In the present Convention, genocide means any of the following acts committed with intent to destroy, in whole or in part, a national, ethnical, racial or religious group, as such:…
[4] Article II, Dans la présente Convention, le génocide s‘entend de l‘un quelconque des actes ci-après, commis dans l‘intention de détruire, ou tout ou en partie, un groupe national, ethnique, racial ou religieux, comme tel:
[5] Art. II, Nella presente Convenzione, per genocidio si intende ciascuno degli atti seguenti, commessi con l‘intenzione di distruggere, in tutto o in parte, un gruppo nazionale, etnico, razziale o religiose, come tale:
[6] Art. II, In dieser Konvention bedeutet Völkermord eine der folgenden Handlungen, die in der Absicht begangen wird, eine nationale, ethnische, rassische oder religiöse Gruppe als solche ganz oder teilweise zu zerstören:
[7] Krivični zakon Socijalističke Federativne Republike Jugoslavije, neni 141:
https://portalfo2.pravosudje.ba/vstvfo-api/vijest/download/80314
[8] Simpoziumi u mbajt më 20-21 janar 1994, në Prishtinë.
[9] Zejnullah Gruda (1937-2021), ish-profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ndër juristët që ka gëzuar autoritet të madh në fushën e drejtësisë.
[10] Zejnullah Gruda ,“Nocioni gjenocid sipas dokumenteve ndërkombëtare”, në veprën e cituar më lart të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës , “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale…”, f. 25-36.
[11] Prof. dr. Vladimir Ibler, Rjеcnik medjunarodnog javnog prava, (Fjalor i së drejtës publike ndërkombëtare) Zagreb 1972, f. 85.
[12] Zejnullah Gruda, punimi i cituar më lart, “ Nocioni gjenocid sipas dokumenteve ndërkombëtare”, f. 25.
[13] Po aty, f. 30.
[14] Fatmir Sejdiu, “Aktet juridike me karakter gjenocidi të pushtetit serb në periudhën 1913-1915”, në veprën e cituar më lart të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale…”,
- 107-113.
[15] Fatmir Sejdiu (1952), jurist, profesor universitar dhe politikan shqiptar nga Kosova. Në periudhën 2006-2010 ishte President i Republikës së Kosovës.
[16] Po aty, f. 107.
[17] Tekstualisht: “La destruction totale ou partielle d’un groupe national, ethnique, racial ou religieux…”.
[18] Telegrafi, “Sejdiu: Kosova do të mbetet një rrëfim suksesi”: https://telegrafi.com/sejdiu-kosova-do-te-mbetet-nje-rrefim-suksesi/
[19] Nation Unies, Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire no : IT-05-88/2-T, Le Procureur c/Zdravko Tolimir, 12 décembre 2012, Jugement, § 741; Affaire no: IT-97-24
IT-05-88/2-T, Le Procureur c/ Milomir Stakić, 31 juillet 2003, § 519; Cour Internationale de Justice, Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, 26.02.2007, § 190 etj.
[20] Nation Unies, Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire no IT-05-88/2-T, Le Procureur c/ Milomir Stakić, 31 juillet 2003, par. 520.
[21] Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe në disa universitete të tjera të Kosovës.
[22] Ismet Salihu, Hilmi Zhitija, Fejzullah Hasani, Komentari i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, botimi 1, botuar nga: Deutsche gesellschaft für Internationale Zusammenarbait (GIZ) GmbH, mars 2014.
[23] Po aty, f. 409.
[24] Po aty, f. 410.
[25] Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, botim i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë 2023.
[26] Po aty, f. 50.
[27] Po aty.
[28] Po aty.
[29] Po aty, f. 377.
Siç mund të shihet kemi të bëjmë me përsëritjen e përkufizimit që autori kishte dhënë në kapitullin I, me të vetmin ndryshim që në vend të fjalës “zhdukje” ka përdorur fjalën “eliminim”, në vend të fjalës “kombëtar” ka përdorur fjalën “nacional” dhe në vend të fjalës “fetar” ka përdorur fjalën “religjioz”.
[30] Po aty, 377-378.
[31] Po aty, f. 51 dhe f. 63.
[32] Po aty, f. 509-520.
[33] Po aty, f. 511.
[34] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991, Affaire no: IT-98-33-T, 02 août 2001, Krstic (IT-98-33), Jugement, § 584: https://www.icty.org/x/cases/krstic/tjug/fr/010802f.pdf. Dallimi me ngjyrë të theksuar është yni.
[35] Po aty, f. 65.
[36] Enver Hasani, porfesor universitar, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe autor i librave dhe studimeve të shumta të botuara në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
[37] Enver Hasani, Ilrijana Islami, Qerimi Qerimi, Remzie Istrefi, Bekim Sejdiu, “Gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”, botoi Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Juridik, maj 2024, f. 13-205.
[38] Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, Nr. 2, 14 janar 2019, Prishtinë, KODI NR. 06/L-074 KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS: https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=18413