Gjenocidi ekonomik dhe Konventa mbi Gjenocidin (4)
-
Gjenocidi ekonomik
Duke u nisur nga faktet, se rrënimi i bazës ekonomike të një grupi kombëtar, etnik, racial apo religjioz krijon rrethana të tilla, që mund të provokojnë shkatërrimin e grupeve në fjalë, në seancën e gjashtëdhjetë e nëntë, të mbajtur më 7 tetor 1948, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dorëzuan amendamentet në nenin II të variantit të dytë të projekt-konventës (E/794). Nëpërmjet këtij propozimi, SHBA-ja kërkoi që ndërmjet fjalëve “religjioze” dhe “ose politike” të futet fjala “ekonomike”[1]. Konkretisht, neni II i konventës të përkufizohet në këtë mënyrë: “Në këtë konventë gjenocidi nënkupton cilindo nga aktet e poshtëshënuara, që është kryer me qëllim që të shkatërrohet një grup kombëtar, racial, religjioz, ekonomik ose politik për shkak të origjinës së tyre kombëtare ose raciale, bindjeve religjioze, kushteve ekonomike apo opinioneve politike të anëtarëve të tij…”[2].
Futja e grupeve ekonomike si kategori që duhej të mbroheshin me konventë dhe përfshirja e akteve që cenonin kushtet ekonomike të grupeve të lartpërmendura nuk gjeti mbështetjen e duhur. Kjo e shtrëngoi përfaqësuesin e SHBA-së, Ernest A. Gross, që në seancën e shtatëdhjetë e pestë, të mbajtur më 15 tetor 1948, të tërheqë propozimin për amendamentet e lartpërmendura[3] dhe, në këtë mënyrë, dështuan përpjekjet për të ndëshkuar si krim të gjenocidit të gjitha krimet që kishin të bënin me aspektet ekonomike.
Sqarimi i kësaj çështjeje është i domosdoshëm, për arsye se nga viti 1995, kur u publikua shkrimi i profesorit të ekonomisë, Nuri Bashota, “Format e gjenocidit dhe të apartejdit ndaj shqiptarëve të Kosovës në ekonomi dhe punësim”[4], e deri te vepra “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, e juristit Arsim Bajrami, e publikuar në vitin 2023, në shkrimet e një numri hulumtuesish shqiptarë në Kosovë “minimin e bazës ekonomike të Kosovës; largimin nga puna e të gjithë punëtorëve shqiptarë nga ndërmarrjet publike, nga institucionet gjyqësore, nga sektori i policisë …” e konsiderojnë si “gjenocid ekonomik”[5].
Çështjet që lidhen me të drejtat ekonomike janë të mbrojtura me deklarata dhe konventa të tjera, si instrumente të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut[6], Pakti Ndërkombëtar lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore[7] dhe Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial[8] përbëjnë bazën juridike, mbi të cilën mbështetet e drejta ndërkombëtare lidhur me diskriminimin ekonomik në kohë paqeje.
Ndërkaq, rrënimet e të mirave materiale dhe plaçkitjet gjatë luftës hyjnë në kategorinë e krimeve të luftës[9]. Në pjesën e mëposhtme, kur do të trajtojmë qëllimin gjenocidal të Serbisë për të shkatërruar shqiptarët, si të tillë, do të shohim se si duhet të trajtohen shkatërrimet e të mirave materiale që u takonin shqiptarëve[10].
Që nga momenti i tërheqjes së propozimeve të SHBA-së për amendamentet në projekt-konventë dhe mospërfshirja e aspekteve ekonomike në përkufizimin e gjenocidit në formën përfundimtare që mori Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit kur u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 dhjetor 1948, termi “gjenocid ekonomik” nuk hyn në përkufizimin e gjenocidit dhe nuk figuron në të drejtën penale ndërkombëtare. Prandaj “minimi i bazës ekonomike të Kosovës dhe largimit nga puna e punëtorëve shqiptarë nga ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore”[11] nuk mund të përdoren si provë për të dëshmuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Në rast padie, përfshirja e nocioneve që bie ndesh me standardet që kërkohen nga GJND-ja do të kthehet kundër nesh, sepse do të shërbejë si argument, se gjoja krimet që ka kryer Serbia gjatë luftës 1998-1999 nuk janë të natyrës së krimit të gjenocidit.
-Vijon-
Të enjten më 27.06.2024 do të lexoni:
Gjenocidi kulturor dhe Konventa mbi Gjenocidin (5)
[1] Dokumentet e cituara më sipër: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale…, f. 57.
https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr
[2] Nations Unis, Assamblée Générale, A/C.6/214, më 4 tetor 1948.
Genocide: draft Convention and report of the Economic and Social Council: amendments to the draft Convention for the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide (E/794) / United States of America
(Teksti i plotë në gjuhën angleze, frënge dhe ruse)
https://digitallibrary.un.org/record/603618?ln=es
[3] Dokumentet e cituara më sipër: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale…, f. 114-115: https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr
[4] Studim i publikuar në përmbledhjen e cituar të Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb…”, f. 237-249.
[5]Arsim Bajrami, Vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 341-344.
[6] Nations Unies, Assemblée Générale, A/RES/217(III),
Déclaration universelle des droits de l’homme, 10 dhjetor 1948, Neni 22.
[7] Nations Unies, Pacte international relatif aux droits économiques, sociaux et culturels,
[8] Nations Unies, Assemblée Générale, A/RES/2106(XX), 21 dhjetor 1965.
Convention internationale sur l’élimination de toutes les formes de discrimination raciale,
Në bazë të nenit 1 të Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, shprehja “diskriminim racial” përfshinë të gjitha dallimet, përjashtimet, kufizimet ose parapëlqimet të mbështetura në racë, ngjyrë, prejardhje ose origjinë kombëtare apo etnike, që ka për qëllim ose për pasojë të shkatërrojë ose ta dëmtojë njohjen, të drejtën ose ushtrimin në kushte të barabarta të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në fushën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore ose në çfarëdo fushe tjetër të jetës publike
[9] Cour Pénale Internationale, Statut de Rome de la Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare, Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare), Neni 8, Krimet e luftës, § 2, pika a (IV), pika b (XIII, XVI), pika e (V, XII), f. 5-9
[10] Saktësimi i faqes do të bëhet në versionin e shtypur të librit.
[11] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 341-344.