Gjenocidi kulturor dhe Konventa mbi Gjenocidin (5)

 

  1. Gjenocidi kulturor 

Një ndër çështjet që preokupoi ekspertët e ekipit që përpiloi projekt-konventën kishte të bënte me përmbajtjen e termit “gjenocid”. Për këtë arsye, në pikën 2 të kapitullit IV të këtij projekti, të titulluar “Çfarë duhet të nënkuptohet me gjenocid?”[1], “profesori Lemkin dallon gjenocidin “fizik” (shkatërrimin e individëve), gjenocidin “biologjik” (pengesat në lindje) dhe gjenocidin “kulturor” (shkatërrimin brutal të karakteristikave të veçanta të grupit”[2]. Me një fjalë, në dallim nga gjenocidi “fizik” dhe ai “biologjik”, që kanë për qëllim shkatërrimin anëtarëve të grupit, gjenocidi “kulturor” synon “shkatërrimin e vazhdueshëm me mjete brutale  të karakteristikave të veçanta të grupit”[3].

Mirëpo rreth kësaj çështjeje nuk ishin të pajtimit as ekspertët e ekipit. Kështu, “për Donnedieu de Vebras dhe Pella ‘gjenocidi kulturor’ do ta zgjeronte kaq shumë nocionin e gjenocidit, saqë do të arrinim në atë shkallë, që edhe konceptet e mëparshme të mbrojtjes së minoriteteve do të përfshiheshin në nocionin e gjenocidit. Prandaj kundërshtonin përfshirjen e krimeve të kësaj natyre në përkufizimin e gjenocidit”[4]

I bindur se “një grup racial, kombëtar apo fetar nuk mund të ruajë ekzistencën e vet, përveçse duke ruajtur shpirtin dhe kohezionin moral”[5], Lemkini këmbëngulte në përfshirjen e gjenocidit kulturor në kuadër të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Në përputhje të plotë me qëndrimet e shprehura në rezolutën 96 (I), ai mbështeste idenë se “ekzistenca e grupeve të tilla arsyetohet jo vetëm nga pikëpamja morale, por edhe për shkak të interesit që ka bashkësia ndërkombëtare për kontributin kulturor që i sjellin këto grupe civilizimit universal. Shkatërrimi i kulturave të ndryshme do të ishte po aq i kobshëm për civilizimin, sa edhe shkatërrimi fizik i kombeve”[6]. Më tej, në projekt-konventë theksohet se “Z. Lemkin shtoi se mjetet e gjenocidit kulturor janë akte kriminale në raport me ligjet kombëtare, prandaj asgjë nuk duhet të pengojë që t’i përfshijmë në kuadër të gjenocidit veprat kriminale të së drejtës ndërkombëtare”[7]. Në përfundim të qëndrimit të vet, “Lemkini tërhoqi vërejtjen, se këtu kemi të bëjmë më shumë se me një politikë asimilimi të dhunshëm që përdor dhunë të moderuar, duke ndaluar hapjen e shkollave ku do të mësohej në gjuhën e grupeve njerëzore në fjalë, publikimin e gazetave në këtë gjuhë, përdorimin e gjuhës amtare në aktet publike dhe përpara gjykatave… Kemi të bëjmë me një politikë, që me masa drakoniane, synon zhdukjen e shpejtë dhe të tërësishme të jetës kulturore, morale, religjioze të një grupi njerëzish”[8].

Përveç aspekteve që lidheshin me motivet e vërteta të shkatërrimit të kulturës së një grupi kombëtar, racial apo religjioz, në projekt-konventë u futën edhe mjetet që përdoren për të realizuar gjenocidin kulturor:

  1. Transferimi i fëmijëve nga një grup në një grup tjetër njerëzor. Rreth kësaj ka pasur një konsensus në mesin e ekspertëve, por transferimin e fëmijëve nga një grup në një grup tjetër nuk e konsiderojnë si pjesë të gjenocidit “kulturor”, por si pjesë e gjenocidit “biologjik” ose “fizik”;
  2. Largimin e dhunshëm dhe sistematik të elementeve që përfaqësojnë kulturën e grupit;
  3. Ndalimi i përdorimit të gjuhës kombëtare edhe në raportet private;
  4. Shkatërrimi sistematik i librave të botuar në gjuhën amtare ose librave fetarë, apo ndalimi i ribotimit të tyre;
  5. Shkatërrimi sistematik apo ndryshimi i domethënieve të caktuara që kanë monumente historike apo ndërtesat e kultit; shkatërrimi ose humbja e dokumenteve që lidhen me kujtesën historike, artistike apo fetare dhe të objekteve të destinuara për kulte”[9].

Edhe në variantin e dytë të projekt-konventës[10], një vend i rëndësishëm iu kushtua gjenocidit “kulturor”. Në nenin III, në mënyrë të qartë, thuhet: “Në këtë konventë gjenocidi nënkupton gjithashtu të gjitha aktet e mëposhtme, të kryera me qëllim që të shkatërrohet një gjuhë, një religjion ose kultura e një grupi kombëtar, racial ose religjioz për arsye të origjinës kombëtare ose raciale, të bindjeve fetare të anëtarëve të tij, si:

  1. ndalimi i përdorimit të gjuhës së grupit në marrëdhëniet e përditshme ose në shkolla, apo ndalesa të shtypen dhe të shpërndahen botime të hartuara në gjuhën e grupit;
  2. shkatërrimi i bibliotekave, muzeve, shkollave, monumenteve historike, vendeve të kultit ose institucioneve dhe objekteve kulturore të grupit apo të ndalimit të përdorimit të tyre”[11].

Çështja nëse gjenocidi “kulturor” do të mbetej në kuadër të konventës nxiti debate dhe mospajtime të shumta. Ithtarët e përfshirjes së gjenocidit “kulturor” në konventë mbështetnin tezën se ka dy mënyra për ta shkatërruar një grup njerëzor: a) duke zhdukur anëtarët e tij apo b) duke shkatërruar karakteristikat e tij të veçanta. Ndërsa kundërshtarët e përfshirjes së gjenocidit “kulturor” në konventë këmbëngulnin në dallimet thelbësore që ekzistonin ndërmjet gjenocidit “fizik” dhe “biologjik”, nga njëra anë, dhe gjenocidit “kulturor”, nga ana tjetër. Madje ata theksonin se “është pikërisht ‘gjenocidi fizik’, ai që paraqet karakterin e jashtëzakonshëm të tmerrit që ka revoltuar ndërgjegjen e njerëzimit. Prandaj propozojnë që aktet, të cilat cenojnë identitetin kulturor të grupeve në fjalë, të mbrohen me instrumentet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për parandalimin e diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve… Përndryshe, mbajtja e termit ‘gjenocid kulturor’ në përkufizimin e gjenocidit mund të kishte ndikim që të refuzohej miratimi i konventës nga një numër shtetesh”[12].

Neni III i variantit të dytë të projekt-konventës u shtrua për diskutim në seancën e tetëdhjetë e tre[13], të datës 25 tetor 1948. Shqyrtimi i projekt-konventës nga përfaqësuesit e shteteve nxori në sipërfaqe një paradoks të llojit të vet: disa delegacione të shteteve që paraprakisht kishin votuar për miratimin e rezolutës 96 (I), në të cilën dënohej krimi i gjenocidit edhe për arsye se i shkaktonte humbje të mëdha njerëzimit, duke shkatërruar karakteristikat e veçanta kulturore të këtyre grupeve, kundërshtuan përfshirjen e gjenocidit “kulturor” në kuadër të përkufizimit të krimit të gjenocidit në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[14].

Me qëllim që të shmangim konfuzionin që mund të krijojë citimi i të gjitha qëndrimeve “për” dhe “kundër” përfshirjes së gjenocidit “kulturor” në konventën në fjalë, do të kufizohemi në rezultatin përfundimtar të këtyre debateve: me 25 vota[15] për të hequr gjenocidin “kulturor” nga konventa, 16 vota kundër[16], 4 abstenime[17] dhe në mungesë të 13 delegacioneve që duhej të ishin të pranishme, Komisioni vendosi të hiqte dispozitat që lidheshin me gjenocidin “kulturor”[18].

Më vonë, shumë qeveri, delegacionet e së cilave nuk ishin të pranishme gjatë votimit për heqjen e gjenocidit kulturor nga konventa, dhe shtete që janë anëtarësuar më vonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhanë qëndrimet e tyre rreth kësaj çështjeje. Si shembull, Nicodème Ruhashyankiko citon komunikatën e Austrisë, në të cilën shprehet mendimi i këtij shteti “për domosdoshmërinë e përpilimit të konventave shtesë, me qëllim që të ndëshkohen aktet e gjenocidit që nuk janë përfshirë në konventën e vitit 1948”[19].

Sa u përket veçorive kulturore, Selia e Shenjtë, ndër të tjera, deklaron: “Trashëgimia kulturore e një populli është vetë shprehja e tij dhe paraqet thelbin e asaj që çimenton unitetin e atij populli. Trashëgimia e një populli me gjuhën e tij, me zakonet që ka, me besimet e veta, me artin e tij, me muzikën, me ligjet që zbaton, me strukturat shoqërore tradicionale dhe botëkuptimet që ka, nuk është një strukturë statike. Është një faktor dinamik i unitetit, është një çerdhe ku lulëzon njeriu dhe premtim për ardhmërinë e këtij populli. Për shkak të parimeve të lartpërmendura duhet të shqyrtohet seriozisht çështja e akteve që mund të kualifikohen si ‘gjenocid kulturor’, ‘etnocid’ ose ‘ekocid’[20].

Rreth domosdoshmërisë që të mendohet për përfshirjen e gjenocidit “kulturor” në listën e akteve gjenocidale u deklaruan edhe “qeveritë e Ekuatorit, Izraelit, Omanit, Rumanisë dhe Finlandës, të cilat ishin të mendimit se duhet të mendohet përfshirja e gjenocidit kulturor në listën e akteve gjenocidale”[21].

Është me rëndësi të theksohet, se tërësia e debateve dhe e qëndrimeve lidhur me domosdoshmërinë e përfshirjes së krimeve që synojnë shkatërrimin e identitetit kulturor të një grupi kombëtar, etnik, racial apo religjioz kanë vënë në dilemë edhe raportuesin special të Kombeve të Bashkuara, Nicodème Ruhashyankiko, i cili shkruan:

“Të dhënat që disponon raportuesi special dhe që u prezantuan më lart nuk i lejojnë të nxjerrë konkluzion definitiv rreth çështjes nëse aktet që konsiderohen si gjenocid kulturor ose “etnocid” paraqesin elemente përbërëse të krimit të gjenocidit dhe nëse ka mundësi të arrihet një marrëveshje për një konventë shtesë, që do të kishte për cak gjenocidin kulturor apo ta përfshinin në një konventë të rishikuar mbi gjenocidin. Kuptohet se mundësia që të njihet gjenocidi kulturor nëpërmjet instrumenteve të tjera konvencionale varet nga vullneti i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe, në mënyrë të veçantë, nga ato shtete që janë pjesë e Konventës së 1948. Këto shtete mund të procedojnë një rishikim të ri të problemeve që kanë të bëjnë me parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, në mesin e së cilit gjenocidi kulturor nuk do të injorohej dhe, për këtë qëllim, në kuadër të parandalimit dhe dënimit të gjenocidit të ndërmerreshin masat e nevojshme ndërkombëtare.”[22]

Deri tani jo vetëm që nuk është bërë as rishikimi i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe as ndonjë konventë plotësuese, që do të përfshinte gjenocidin kulturor, por, përkundrazi, heqja e gjenocidit “kulturor” u përforcua edhe me Kodin e Krimeve kundër Paqes dhe Sigurisë së Njerëzimit[23], i miratuar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare[24].  Sa i përket çështjes së gjenocidit kulturor, në paragrafin 12 të nenit 17 të këtij kodi thuhet: “Nga punimet përgatitore të Konventës për Gjenocid del qartë se kur flitet për shkatërrim, bëhet fjalë për shkatërrimin material të një grupi të caktuar qoftë me mjete fizike, qoftë me ato biologjike, dhe assesi shkatërrimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, fetar, kulturor ose tjetër të këtij grupi. As elementi kombëtar, as ai fetar, as racial as ai etnik nuk është marrë në konsideratë në përkufizimin e termit ‘shkatërrim’. Me shkatërrim duhet të kuptohet vetëm në kuptimin e tij material, fizik dhe biologjik. Është e vërtetë që projekt-konventa e prezantuar nga Sekretari i Përgjithshëm[25] në sesionin e dytë të Asamblesë së Përgjithshme në vitin 1948, si dhe projekt-konventa për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit[26], e hartuar nga Komiteti i veçantë i ngarkuar për gjenocidin përmbante dispozita, që kishin të bënin me gjenocidin ‘kulturor’, që mbulonte cilindo akt që përmendet më poshtë, që është kryer me paramendim dhe që ka pasur për qëllim që të shkatërrohet gjuha, religjioni ose kultura e një grupi siç ishin ndalimi i përdorimit të gjuhës së grupit në marrëdhëniet e përditshme ose në shkolla, apo të shtypen dhe të shpërndahen publikime të redaktuara në gjuhën e grupit, ose shkatërrimin e bibliotekave, muzeve, shkollave, monumenteve historike, vendeve të kultit dhe institucioneve dhe objekteve kulturore të grupit, ose ndalimi i përdorimit të tyre. Por Konventa që doli nga Komisioni i Gjashtë dhe që u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e eliminoi nocionin gjenocid ‘kulturor’ të paraparë nga të dy projektet, dhe u kufizua në numërimin e akteve që hyjnë në kategorinë e gjenocidit ‘fizik’ ose ‘biologjik’. Paragrafët (a), (b) dhe (c) të këtij neni numërojnë aktet e ‘gjenocidit fizik’, ndërkaq paragrafët (d) dhe (e) numërojnë aktet e ‘gjenocidit biologjik’”[27].

Sa i përket kësaj çështjeje, në fusnotën 122 sqarohet se, “megjithatë, disa akte që përmenden në këtë paragraf, në rrethana të caktuara mund të përbëjnë krim kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit, p.sh. krim kundër njerëzimit në përputhje me paragrafët (e) dhe (f) të nenin 18 të këtij kodi, ose krim lufte, në përputhje me paragrafin (a IV) të nenit 20 të këtij kodi”[28].

Përveç Kodit të krimeve kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit, ku theksohet se në rrethana të caktuara disa nga aktet e lartpërmendura mund të përfshihen në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës, edhe Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare[29] e përfshin çështjen e persekutimit për motive kulturore, në kuadër të krimeve kundër njerëzimit[30]. Edhe në tekstin themelor juridik të Gjykatës Penale Ndërkombëtare,  Elementet e krimeve[31], tekst që fatkeqësisht nuk merret në konsideratë nga asnjëri prej juristëve të lartpërmendur, “persekutimi për motive kulturore hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit.”[32].

Ndërkaq, as në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe as në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, çështja e krimeve që janë kryer për motive kulturore nuk figuron fare. Duke pasur për bazë procesin e mësipërm lidhur me heqjen e gjenocidit kulturor nga përkufizimi i gjenocidit në Konventën për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në tekstet themelore juridike të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk është aspak serioze, shkencore dhe profesionale të mbështetemi në përkufizimet që kanë figuruar në projekt-konventa, por që nuk kanë arritur të gjejnë mbështetjen e nevojshme për t’u shndërruar në kategori juridike të së drejtës penale ndërkombëtare, dhe mbi bazë të tyre të interpretojmë persekutimet në fushën e arsimit dhe të kulturës si prova të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

Që të kemi sukses në prezantimin e fakteve të gjenocidit që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve të Kosovës duhet t’i përmbahemi me rigorozitet përkufizimit të gjenocidit, të tillë siç është në dokumentet juridike fondamentale të së drejtës penale ndërkombëtare, dhe të gjitha provat që ofrojmë të jenë në përputhje me elementet përbërëse të krimit të gjenocidit. Çdo përpjekje për t’i futur në kuadër të nocionit gjenocid aktet që nuk janë pjesë e këtij krimi, dëshmojnë për mungesën e  profesionalizmit dhe të seriozitetit në trajtimin e një çështjeje kaq të rëndësishme.

Fatkeqësisht, të gjitha shkrimet e autorëve shqiptarë që kam lexuar rreth kësaj teme, duke filluar nga shkrimi i Ymer Jakës[33] dhe Abdullah Vokrrit[34], e deri te punimi i bashkautorëve Sadik Mehmeti dhe Valon Shkodra[35], si dhe libri i Arsim Bajramit[36], diskriminimin në arsim dhe kulturë e cilësojnë si “gjenocid”, “etnocid”, “kulturocid”.

“Segregacioni në shkolla të mesme dhe universitete” nuk mund të konsiderohet si “fazë e parë e gjenocidit”[37], dhe as “mbyllja e Universitetet të Prishtinës, largimi masiv i mësimdhënësve universitarë, ndalimi i punës së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mbyllja e shkollave të mesme dhe të atyre fillore, mbyllja e instituteve kërkimore shkencore…”[38] nuk mund të përfshihen në kuadër të listës së krimeve që përbëjnë krimin e gjenocidit.  Të gjitha këto fakte dhe provat e shumta të dhunës dhe të diskriminimit që ka zbatuar Serbia ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare, që kanë publikuar autorët e lartpërmendur, duhet të denoncohen në përputhje me instrumentet përkatëse të së drejtës ndërkombëtare dhe të shmanget përpjekja për t’i futur në kuadër të krimit të gjenocidit.

Këmbëngulja për ta paraqitur se gjoja “tipologjia dalluese e gjenocidit serb në Kosovë ishte kulturocidi, përkatësisht shkatërrimi i kulturës së shqiptarëve” dhe, në mbështetje të kësaj ideje, citimi i mendimit të Rafael Lemkinit “se një gjenocidi i paraprijnë gjithmonë ‘sulmet ndaj kulturës’…”[39], janë të paqëndrueshme dhe mund të kthehet kundër nesh.

Si ilustrim për të parë se si mund të kthehet kundër nesh mosrespektimi rigoroz i normave juridike dhe mbështetja në mendimet që nuk janë përfshirë në dokumentet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare, qofshin ato mendime edhe të Rafael Lemkinit, po përmendim një rast nga jurisprudenca[40] e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Me qëllim tjetërsimin e përmbajtjes reale të asaj se çka nënkuptohej me shprehjen “shkatërrim i pjesshëm i një grupi” në përkufizimin e gjenocidit, mbrojtja e Radisllav Kërstiqit[41] ishte përpjekur të mbështetej në punën përgatitore të juristëve që kishin punuar rreth Konventës për  Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në vërejtjet që kishte bërë Rafael Lemkini në Kongresin Amerikan. Mirëpo gjykata i dha përgjigje të qartë:

“Debatet që ka nxitur kjo çështje gjatë punimeve përgatitore nuk mund të ndriçojnë asgjë: një lexim i thjesht i tekstit të Konventës e hedh poshtë këtë interpretim. Sipas Konventës, shprehja ‘tërësisht ose pjesërisht’ ka të bëjë me qëllimin e krimit, e jo me aktin e kryer të shkatërrimit të grupit. Falsifikimi[42] i kuptimit të zakonshëm të termave që përdoren në Konventë, duke iu referuar punimeve përgatitore, të cilave u mungon qartësia rreth kësaj çështjeje, është në kundërshtim të plotë me rregullat e interpretimit[43].

Autorët e shkrimeve dhe të veprave që trajtojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë duhet të heqin dorë nga qasja e gabuar e mbështetjes në punimet përgatitore të konventës apo në pikëpamje personale të juristëve lidhur me termat që nuk janë përfshirë në nocionin e gjenocidit, të tillë siç përkufizohet në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në Statutin e Romës dhe në Elementet e Krimeve. Përndryshe mund të akuzohen për “falsifikim të kuptimit të zakonshëm të termave që përdoren në Konventë” dhe si përkrahës “të qëndrimeve që janë në kundërshtim të plotë me rregullat e interpretimit juridik”.

Më tej do t’i kthehemi sërish kësaj teme dhe do të shohim se si duhet të trajtohen shkatërrimet e shkollave, të bibliotekave, të monumenteve historike, të objekteve të kultit dhe të asaj që ishte thelbësore për shqiptarët si grup kombëtar, etnik apo religjioz i ndryshëm nga serbët, që të marrin cilësimin e duhur në kontekstin e provave për të dëshmuar qëllimin gjenocidal të vrasjeve, të dhunës seksuale dhe të spastrimit etnik që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.

-Vijon-


[1] Nations Unis, Conseil Economique et Social, Projet de Convention sur le Crime de Génocide, E/447, 26 juin 1947, f. 21: https://digitallibrary.un.org/record/611058?ln=fr

[2] Po aty.

[3] Po aty, f. 30-31.

[4] Po aty, f. 31.

[5] Po aty, f. 31.

[6] Po aty, f. 31.

[7] Po aty, f. 31.

[8] Po aty, f. 31.

[9] Po aty, f. 31-33.

[10] Nation Unis, Conseil Economique et Social, Comité spécial du génocide (5 avril-10 mai 1948)

Rapport du comité et projet de convention élaboré par le comité (Dr. Karim Azkoul), E/794, 26 mai 1948.

https://digitallibrary.un.org/record/604195?ln=fr

(Origjinali në gjuhën frënge. Në gjuhën angleze shih projekt-konventën e dytë në faqen e mëposhtme:

Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide

– the Secretariat and Ad Hoc Committee Drafts

Secretariat Draft

First Draft of the Genocide Convention,

Prepared by the UN Secretariat, [May] 1947 [UN Doc. E/447]

Ad Hoc Committee Draft

Second Draft Genocide Convention

Prepared by the Ad Hoc Committee of the Economic and Social Council (ECOSOC),

meeting between April 5, 1948 and May 10, 1948 [UN Doc. E/AC.25/SR.1 to 28 ]

http://www.preventgenocide.org/law/convention/drafts/

[11] Nation Unis, Conseil Economique et Social, Comité spécial du génocide (5 avril-10 mai 1948)

Rapport du comité et projet de convention élaboré par le comité (Dr. Karim Azkoul), E/794, 26 mai 1948,

neni III, f. 16.

 https://digitallibrary.un.org/record/604195?ln=f

[12] Po aty, f. 16.

[13] Vepra e cituar “Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale, Première Partie, Questions juridiques, Sixième Commission, Comptes Rendus Analytiques des Séances 21 septembre-10 décembre 1948”, f. 193.

[14] Për qëndrimet e përfaqësuesve të shteteve të ndryshme shih veprën e cituar “Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale, Première Partie, Questions juridiques, Sixième Commission, Comptes Rendus Analytiques des Séances 21 septembre -10 décembre 1948”, sidomos f. 193-206.

[15] Për heqjen e dispozitave që lidheshin me gjenocidin “kulturor” votuan: Unioni i Afrikës Jugore, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Australia, Belgjika, Bolivia, Brazili, Kanadaja, Kili, Danimarka, Republika Dominikane, Franca, Greqia, India, Irani, Liberia, Luksemburgu, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Panamaja, Peruja, Siami, Suedia dhe Turqia.

[16] Votuan kundër: BRSS-ja, Jugosllavia, RSS e Bjellorusisë, Kina, Çekosllovakia, Ekuatori, Egjipti, Etiopia, Libani, Meksika, Pakistani, Filipinet, Polonia, Arabia Saudite, Siria dhe RSS e Ukrainës.

[17] Abstenuan: Venezuela, Afganistani, Argjentina dhe Kuba.

[18] Vepra e cituar: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale, Première Partie, Questions juridiques, Sixième Commission, Comptes Rendus Analytiques des Séances 21 septembre-10 décembre 1948, f. 206.

[19] Vepra e cituar: Etude sur la question de la prévention et de la répression du crime de génocide, Etude préparée par M. Nicodème Ruhashyankiko, Rapporteur spécial, f. 124.

[20] Po aty, f. 125.

[21] Po aty, f. 125-126.

[22] Po aty, f. 129.

[23] I cituar më lart, në temën kushtuar grupeve politike.

[24] Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare është organ i OKB-së, i ngarkuar për kodifikimin dhe zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.

Fillimisht projekti për këtë kod u miratua në vitin 1954, në sesionin e gjashtë të këtij komisioni, ndërkaq formën aktuale ka marrë pas miratimit në sesionin e dyzet e tetë, të mbajtur në vitin 1996.

[25] Bëhet fjalë për projekt-konventën E/447.

[26] Fjala është për projekt-konventën E/794.

[27] Nations Unies, Bureau des affaires juridiques, Projet de Code des crimes contre la paix et la sécurité de l’humanité, f. 48.

https://legal.un.org/ilc/texts/instruments/french/commentaries/7_4_1996.pdf

[28] Po aty, f. 48.

[29] Statuti i Romës i Gjykatës penale ndërkombëtare, i datës 17 korrik 1998, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Në vijim do të përdoret shkurtimisht: Statuti i Romës.

https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE7-9CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf

[30] Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, § (h).

[31] Dokumentin zyrtar i miratuar në Konferencën për rishikimin e Statutit të Romës mbajtur nga 31 maj-11 qershor 2010 në kryeqytetin e Ugandës, në Kampala.

Cour Pénale Internationale, Textes juridiques fondamentaux, Éléments des crimes,

https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/Publications/Elements-des-crimes.pdf

[32] Po aty, f. 8, neni 7 1h), § 3.

[33] Vepra e cituar më lart e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës: “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale…”, “Vërsuljet gjenocidale të pushtetit serb ndaj qenies kombëtare shqiptare në fushën e arsimit, të shkencës dhe të kulturës,” f. 207-215.

[34] Po aty, “Etnocidi dhe gjenocidi serb ndaj shkollës dhe arsimit shqip në Kosovë në periudhën 1919-1940”, f. 129-137.

[35] Sadik Mehmeti dhe Valon Shkodra “Kulturocidi serb ndaj shqiptarëve: Rasti i Kosovës – 1998-1999”, punim i prezantuar në konferencën shkencore “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX”, i mbajtur më 7 dhe 8 prill 2022, në Prishtinë.

[36] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, sidomos f. 337-341 dhe

  1. 344-347.

[37] Po aty, f. 339.

[38] Po aty, f. 339.

[39] Po aty, f. 344.

[40] Në kuptimin e përgjithshëm, jurisprudenca është tërësia e vendimeve që sjell drejtësia për një çështje të caktuar dhe që shërben për të kaluar nga rregulla abstrakte e ligjit në zbatimin konkret të tij.

[41] Radislav Krstić është i dënuari i parë për gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Ai u dënua me 46 vjet burg.

Hagë, 2 août 2001, Première condamnation pour génocide par le Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie: Radislav Krstic condamné à 46 ans d’emprisonnement.

https://www.icty.org/fr/sid/7964

[42] Në gjuhën frënge përdoret fjala “altérer”, që ka kuptimin e ndryshimit për keq, falsifikimit, shtrembërimit.

[43] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991,

Affaire no: IT-98-33-T, 02 août 2001, Krstic (IT-98-33), Jugement, § 583-584.

https://www.icty.org/x/cases/krstic/tjug/fr/010802f.pdf

Dallimi me ngjyrë të theksuar është yni.

Share this post