Në cilat raste dhuna seksuale është akt i gjenocidit?
Bardhyl Mahmuti
Në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dhunimi dhe të gjitha format e dhunës seksuale, që paraqesin cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës, janë të përfshira në të tria kategoritë e krimeve të rënda: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit.
Në rastet kur dhuna seksuale ndodh gjatë një konflikti të armatosur, qoftë të karakterit ndërkombëtar, qoftë të karakterit të brendshëm të përkufizuar në të drejtën humanitare ndërkombëtare, atëherë kemi shkelje të drejtave themelore të njeriut, të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të protokolleve shtesë I dhe II të vitit 1977.
Ajo që vlen të theksohet lidhur me dhunën seksuale në kuadër të krimeve të luftës ka të bëjë me faktin se përgjegjësia penale është individuale për autorët e krimeve, sepse kjo dhunë nuk është rezultat i një projekti të planifikuar, por akt individual. Në dallim nga dhunimet tjera individuale, dhuna seksuale në kuadër të kësaj kategorie cenon njërën nga kategoritë e mbrojtura me këto akte juridike ndërkombëtare. Dhe si e tillë është përfshirë në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [neni 8, paragrafi (1), pika b-XXII].
Kur dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ushtrohen gjatë aksioneve të përmasave të gjera dhe sistematike kundër një popullsie civile, e cilësdo përkatësi kombëtare qoftë, atëherë kemi të bëjmë me krim kundër njerëzimit, sepse në këtë rast viktima cenohet në atë që është njerëzore sipas Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, paragrafi 1 dhe 2, pika g në të dy paragrafët).
Në dallim nga krimet e luftës, aktet kriminale që hyjnë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë paqeje dhe dallojnë nga krimi i gjenocidit për faktin se aktet kriminale të cilësuara si krime lufte nuk janë domosdoshmërish të drejtuara kundër një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar. Vetëm atëherë kur aktet kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz si i tillë përbën krim të gjenocidit.
Cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi b). I njëjti përkufizim është përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara të titulluar „Elemente të krimeve“, thuhet:
„Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:
- Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;
- Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
- Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial fetar;
- Sjellja e tillë është bërë në kuadër të një serie të veprimeve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund ta shkaktonte një shkatërrim të tillë.
Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese“ (Vepra e cituar në shkrimin paraprak „Élément des crimes“, Publication de la Cour pénale internationale, f. 2).
Me një fjalë, vetëm format e torturave, e poshtërimeve, e degradimeve që u bëhen anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar dhe që kanë për qëllim shkatërrimin e grupit si të tillë hyjnë në kategorinë e krimit të gjenocidit.
Ajo që është më rëndësi të thuhet lidhur me gjenocidin përmes dhunës seksuale, si formë e cenimit të integritetit fizik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në këtë kategori nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individual për shfryrje të epsheve, por aktet e planifikuara me qëllim të shkatërrimit të cilitdo nga grupet e lartpërmendura.
Pikërisht për këtë arsye, preokupimi i strukturave që kanë planifikuar dhe zbatuar planin e gjenocidit është fshehja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të tyre ishte zvogëlimi i numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe individë (paramilitarëve), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.
Rrëfimet publike në disa raste të dhunës seksuale në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë strategji. Gjatë disa dhunimeve kemi „ndërhyrjen“ e eprorëve ushtarakë serbë, „duke i qortuar“ ata që kryenin dhunimet dhe i trajtonin si „pisa“. Madje kemi raste kur kriminelët prezantohen si „të dehur ose nën ndikimin e lëndëve narkotike“. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet të prezantojë si veprime individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë e planifikimit dhe të ekzekutimit të dhunës, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb, si etni, si fe e ndryshme prej tyre.
Dihet se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të cenohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të këtij qëllimi mund të shpjegohen dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës familje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet dhe anasjelltas.
Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim të planifikuar nga shteti. Fatkeqësisht kemi raste kur viktimat e dhunës seksuale ka rënë viktimë e strategjisë së shtetit serb dhe deklarojnë se janë dhunuar nga „paramilitarë“. Tragjedi e dyfishtë!
- Ky shkrim është i publikuar në librin “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit” me autor Bardhyl Mahmuti të cilin mund ta shkarkoni falas këtu.