Në cilat raste dhuna seksuale është akt i gjenocidit?

Bardhyl Mahmuti

Në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dhuni­mi dhe të gjitha format e dhunës seksuale, që paraqesin ce­nim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës, ja­në të përfshira në të tria kategoritë e krimeve të rënda: kri­met e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjeno­cidit.

Në rastet kur dhuna seksuale ndodh gjatë një konflik­ti të armatosur, qoftë të karakterit ndërkombëtar, qoftë të karakterit të brendshëm të përkufizuar në të drejtën hu­ma­nitare ndërkombëtare, atëherë kemi shkelje të drej­tave themelore të njeriut, të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të protokolleve shtesë I dhe II të vitit 1977.

Ajo që vlen të theksohet lidhur me dhunën seksua­le në kuadër të krimeve të luftës ka të bëjë me faktin se për­gjegjë­sia penale është individuale për autorët e kri­meve, sepse kjo dhunë nuk është rezultat i një projek­ti të plani­fikuar, por akt individual. Në dallim nga dhunimet tjera individuale, dhuna seksuale në kuadër të kësaj kate­go­rie cenon njërën nga kategoritë e mbrojtura me këto ak­te juridike ndërkombëtare. Dhe si e tillë është për­fshi­rë në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [ne­ni 8, pa­ra­grafi (1), pika b-XXII].

Kur dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ush­trohen gjatë aksioneve të përmasave të gjera dhe sis­te­matike kundër një popullsie civile, e cilësdo përkatësi kombë­tare qoftë, atëherë kemi të bëjmë me krim kundër njerë­zimit, sepse në këtë rast viktima cenohet në atë që është njerëzore sipas Statutit të Gjykatës Penale Ndër­kombë­tare, neni 7, paragrafi 1 dhe 2, pika g në të dy para­grafët).

Në dallim nga krimet e luftës, aktet kriminale që hyj­në në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë paqeje dhe dallojnë nga krimi i gjenocidit për faktin se aktet kriminale të cilësuara si kri­me lufte nuk janë domosdoshmërish të drejtuara kundër një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar. Vetëm atëherë kur aktet kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz si i tillë përbën krim të gjenocidit.

Cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religji­oz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (Kon­venta për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi b). I njëjti përkufizim ësh­të përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Pe­nale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Pe­nale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqa­rimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kate­gori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara të titulluar „Elemente të krimeve“, thuhet:

Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

  1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;
  2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
  3. Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial fetar;
  4. Sjellja e tillë është bërë në kuadër të një serie të veprimeve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund ta shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin ak­tet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të traj­ti­me­ve çnjerëzore ose degraduese“ (Vepra e cituar në shkri­min paraprak „Élément des crimes“, Publication de la Cour pénale internationale, f. 2).

Me një fjalë, vetëm format e torturave, e poshtëri­me­ve, e degradimeve që u bëhen anëtarëve të një grupi kombë­tar, etnik, racial, fetar dhe që kanë për qëllim shkatë­rrimin e grupit si të tillë hyjnë në kategorinë e krimit të gjenocidit.

Ajo që është më rëndësi të thuhet lidhur me gjenocid­in për­mes dhunës seksuale, si formë e cenimit të integritetit fiz­ik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në këtë katego­ri nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individu­al për shfryrje të epsheve, por aktet e planifikuara me qëllim të shkatërrimit të cilitdo nga grupet e lartpërmendura.

Pikërisht për këtë arsye, preokupimi i strukturave që ka­në planifikuar dhe zbatuar planin e gjenocidit është fsheh­ja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të tyre ishte zvogëlimi i numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe individë (paramili­ta­rëve), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.

Rrëfimet publike në disa raste të dhunës seksuale në Koso­vë e dëshmojnë më së miri këtë strategji. Gjatë disa dhu­nimeve kemi „ndërhyrjen“ e eprorëve ushtarakë ser­bë, „du­ke i qortuar“ ata që kryenin dhunimet dhe i trajtonin si „pisa“. Madje kemi raste kur kriminelët prezantohen si „të dehur ose nën ndikimin e lëndëve narkotike“. Në kë­të mënyrë, shteti serb përpiqet të prezantojë si veprime indi­vi­duale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vër­tetë­sinë e planifikimit dhe të ekzekutimit të dhunës, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb, si etni, si fe e ndryshme prej tyre.

Dihet se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për vik­ti­mën. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strate­gji­së së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqip­tarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seks­uale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejt­për­drejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të cenohej integri­teti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i të­rë grupit, i të gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të kë­tij qëllimi mund të shpjegohen dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës fa­milje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet dhe anasjelltas.

Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezi­koj­më të individualizojmë një krim të planifikuar nga shte­ti. Fatkeqësisht kemi raste kur viktimat e dhunës seksu­ale ka rënë viktimë e strategjisë së shtetit serb dhe dekla­rojnë se janë dhunuar nga „paramilitarë“. Tragjedi e dyfishtë!

  • Ky shkrim është i publikuar në librin “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit” me autor Bardhyl Mahmuti të cilin mund ta shkarkoni falas këtu.

Share this post