Në Montebelluna të Italisë: Përurim i shkëlqyer i romanit “Eskadronët e vdekjes” në italisht!

Të shtunën, më 2 mars 2024, Shoqata atdhetare “Zëri atdheut” organizoi përurimin e botimit në italisht të romanit “Gli skuadroni della morte” (“Eskadronët e vdekjes”). Manifestimi u zhvillua në bibliotekën e Montebelluna-s (qytet në zonën e Trevisos, në Itali) në prani të shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia; të konsullit të Republikës së Kosovës në Milano; të autoriteteve komunale të komunës së Montebellunas (këshilltaret: zonja Maria Bortoletto, zonja Lucrezia Favaro dhe përgjegjësja për Marrëdhënie me publikun, zonja Fiorella Lisandron, e cila është dhe drejtoreshe e bibliotekës) dhe të autoriteteve komunale të komunës së Trevignano-s (këshilltari Lino Michelin dhe avokatja e mirënjohur zonja Barbara Baratto Vogliano, e cila, më 2 qershor 2022, është dekoruar me dekret të Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella si Commendatore dell’Ordine “Al Merito della Repubblica Italiana”).

Gjatë tërë kohës të pranishmit treguan interesim të madh për librin dhe, nëpërmjet pyetjeve të tyre, kërkonin sqarime rreth shumë çështjeve që lidheshin me gjenocidin që kishte kryer Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.

Diskutimeve ua shtoi bukurinë fjala e zonjës Fiorella Lisandron, përgjegjëse për Marrëdhënie me publikun në komunën Montebelluna:

“Për katër ditë e kam lexuar romanin dhe ftoj të gjithë të pranishmit që ta lexojnë këtë vepër, sepse mundëson të njohësh të vërtetën e historisë së një populli, të mësosh për  tragjeditë e asaj kohe, që për fat të keq ndodhin, edhe sot e kësaj dite, në disa vende të botës.”- tha në fillim të fjalës së vet zonja Fiorella Lisandron. Ajo nuk e la pa lavdëruar cilësinë e përkthimit, ndërkaq falë angazhimit të z. Eduar Jakës dhe bashkëpunimit me doktoreshën Mirca da Riva, koordinatore e shërbimeve publike, dhe me doktoreshën  Guisi Gallina, përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun, “Gli skuadroni della morte” mban vulën e bibliotekës dhe është vënë në shërbim të lexuesve.

Pasi falënderoi organizatorët e një manifestimi kaq të bukur, këshilltari i komunës së Trevignano-s, z. Lino Michelin deklaroi se diskutimet që ka ngjallur romani e kanë bërë kureshtarë të lexoj romanin dhe të mësojë më shumë rreth një historie që nuk e kishte ditur.

Vlera e manifestimeve të kësaj natyre u përmend edhe nga konsulli i Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati, i cili ftoi shoqatat që të vazhdojnë me përurime të tilla, që shpalosin historinë dhe kulturën tonë kombëtare.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” falenderon Shoqatën “Zëri i atdheut” për këtë organizim të shkëlqyer dhe sidomos i jemi mërënjohës kryetarit të saj, z. Isuf Zenelajt, dhe anëtarëve të kryesisë: Besnik Veselaj, Eduard Jakaj, Raimonda Deda, Arton Gashi, Mentor Zenelaj, Eduard Mazrekaj, Avni Shala.

Manifestimin e nderuan me praninë dhe diskutimet e tyre Bardhul Durmishi, Agim Bajrami dhe Nexhmi Mati të  shoqatës kulturore “Reka e Epërme” në Trento; Shaban Muça, Sadri Hamitaga dhe Agron Halitjaha të shoqatës “Zëri i atdheut” në Reggio Emilia; Irena Mashi e shoqatës “Gjergj Fishta” në Trento; Bajram Desku i shoqatës “Nënë Tereza” në Quinto Di Treviso; Dritan Mashi i Lidhjes së Shkollave shqipe në Itali: Ragip Thaçi, Sedat Hysenaj, Mentor Hajrizaj, Sahit Topalli nga shoqata “Bashkimi Kombëtar” në Bassano Del Grappa; shkrimtarja Etleva Petriti; Sefer Buzhala, Hysni Hoti, Rasim Hoti, Agim Fetahaj, Mërgim Kiçina nga Dega e PDK-së në Itali; veprimtarë të kauzës kombëtare: Isa Fetahi, Bashkim Ramaj, Flori Gashi, Stefania Gasparin, Sejdi Shala, Gëzim Muçolli, Ylli Lleshi, Muhamer Murtezani dhe shumë veprimtarë të tjerë që mbështetën përkthimin dhe redaktimin e romanit në italisht.

Në fund të manifestimit autori nënshkroi librat që u shpërndanë falas të pranishmëve.

Share this post