Origjina e nocionit gjenocid (2)
ASPEKTE TEORIKE TË GJENOCIDIT DHE STUDIM RASTESH
Origjina e nocionit gjenocid (2)
Dy muaj pas përfundimit të Procesit të Nurembergut, çështja e përkufizimit të krimeve të kësaj natyre u shtrua në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në seancën plenare të pesëdhjetë e pestë të mbajtur më 11 dhjetor 1946, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 96 (I), në të cilën gjenocidi cilësohet si “mohimi i së drejtës për ekzistencë për grupe të tëra njerëzish, në të njëjtën masë siç është homicidi mohim i së drejtës së një individi për të jetuar”… “Është krim i së drejtës ndërkombëtare, i cili i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit” duke “shkatërruar tërësisht ose pjesërisht grupe racore, fetare, politike ose grupe të tjera”. Si i tillë “gjenocidi është në kundërshtim me frymën dhe qëllimet e Kombeve të Bashkuara dhe i dënueshëm nga e tërë bota e civilizuar”. Prandaj Asambleja e Përgjithshme e OKB-së “ftoi shtetet anëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme legjislative për të parandaluar dhe dënuar këtë krim; rekomandoi të organizohet bashkëpunimi ndërkombëtar i shteteve, me qëllim që të ndërmerren sa më shpejt masa parandaluese kundër krimit të gjenocidit dhe ta lehtësojnë ndëshkimin e tij” dhe “ngarkoi Këshillin Ekonomik dhe Social të ndërmarrë studimet e nevojshme, me qëllim që të hartojë një projekt-konventë për krimin e gjenocidit, që do t’i prezantohej Asamblesë së Përgjithshme në sesionin e zakonshëm të radhës”[1].
Siç mund të konstatohet nga teksti i plotë i Rezolutës 96 (I), përkufizimi i lartpërmendur i gjenocidit nga Rafael Lemkini pati ndikim të madh edhe te grupi i punës që përpiloi këtë rezolutë. Në përputhje me orientimet që dha Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Këshilli Ekonomik dhe Social miratoi një rezolutë[2], nëpërmjet së cilës ngarkoi Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Trygve Lie:
- “Që me ndihmën e ekspertëve të fushës së të drejtës ndërkombëtare dhe penale të ndërmarrë studimet e nevojshme, me qëllim që të hartohet një projekt-konventë, në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme;
- Pasi të ketë konsultuar Komisionin e Asamblesë së Përgjithshme, që është i ngarkuar të studiojë zhvillimin e vazhdueshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe kodifikimin e saj dhe, mundësisht, pasi të jetë konsultuar edhe me Komisionin e të Drejtave të Njeriut, dhe t’u ketë bërë ftesë të gjitha qeverive anëtare që të shprehin mendimin rreth kësaj çështjeje, në sesionin e ardhshëm t’i prezantojë Këshillit Ekonomik dhe Social një projekt-konventë mbi krimin e gjenocidit”[3].
Në funksion të përpilimit të projekt-konventës në fjalë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara krijoi grupin e punës nga juristë të Divizionit për Çështje të së Drejtave të Njeriut dhe ekspertët e njohur të çështjeve juridike, si Rafael Lemkin, Henri Donnedieu de Vabres[4] dhe Vespasien Pella[5].
Më 26 qershor 1947 ekipi hartoi variantin e parë të projekt-konventës për krimin e gjenocidit[6].
Diskutimet dhe divergjencat që shpërthyen në kuadër të organeve të OKB-së gjatë shqyrtimit të kësaj projekt-konvente do të përfshihen në trajtimin e temave të ardhshme. Me qëllim që të shmanget rreziku i largimit të vëmendjes nga objekti parësor i hulumtimit tonë lidhur me origjinën e nocioneve gjenocid, Holokaust dhe Shoah, tani për tani do të kufizohem në rezultatin përfundimtar të këtij procesi.
Më 9 dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[7], e cila hyri në fuqi më 12 janar 1951. Vlen të theksohet se kjo konventë shënon një moment kyç në formësimin e së drejtës penale ndërkombëtare që sot është në fuqi dhe shprehte angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare që të mos lejonte të përsëriteshin krimet e tmerrshme që kishte përjetuar njerëzimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përkundër përkufizimit juridik të nocionit gjenocid që u bë me këtë konventë, në gjuhën e përditshme vazhdoi të përdorej termi holokaust për të emëruar vrasjen e mbi 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Seria televizive amerikane me titull “Holocaust”, e realizuar nga Marvin Chomsky në prill të vitit 1978, i dha një shtytje të madhe përdorimit të gjerë të këtij termi.
Aktualisht me dhjetëra muze, institute hulumtuese, revista shkencore anekënd globit përdorin termin holokaust në emërtimet e tyre. Mirëpo përdorimi i gjerë i këtij termi dhe dëshmitë për djegien e kufomave në krematorë nuk ia shtojnë vërtetësinë shkencore kësaj fjale. Përkundrazi, për një numër hulumtuesish që përmenden në shkrimin e lartpërmendur të Francine Kaufmann, përdorimi i termit teologjik holokaust për të emëruar krimet e ideologjisë naziste, që kishte për qëllim shkatërrimin e hebrenjve, jo vetëm që është i gabuar, por është tejet fyes. Është fyes, për arsye se krimit më të shëmtuar që kishte ndodhur gjatë shekullit XX i jepet dimension hyjnor, sikur të kishim të bënim me ndonjë ndëshkim për hir të Zotit. Prandaj, për t’i hequr karakterin religjioz përdorimit të kësaj fjale në rastin e krimit nazist kundër çifutëve, fjala Holokaust shënohet me shkronjë të madhe dhe ndërlidhet vetëm me këtë krim! Për këtë arsye, është gabim që ky term të përdoret në rastet e krimit të gjenocidit që kanë përjetuar popuj të tjerë, sepse nuk është i qëndrueshëm dhe krijon konfuzion.
Tre vjet pas krijimit të shtetit të Izraelit, më 12 prill 1951, Kuvendi i Izraelit (Kneset) vendosi që termi Shoah të jetë term zyrtar. Me këtë term shteti i Izraelit emëron tragjedinë që populli hebre përjetoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në mënyrë analogjike me termin Holokaust, që gjeti përdorim të gjerë falë serisë së lartpërmendur televizive, shfaqja e filmit dokumentar Shoah në vitin 1985, që u kushtohet vrasjeve masive të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati një ndikim që përdorimi i fjalës hebraishte shoah të përhapet përtej kufijve të Izraelit.
Në vijim do të citojmë pjesë nga intervista e realizuesit francez të këtij filmit, Claude Lanzmann, sepse është shembull se si një fjalë mijëvjeçare, së cilës nuk ia dinte kuptimin as autori që titulloi veprën e tij kinematografike, u bë sinonim i një realiteti të caktuar.
Në intervistën me gazetarin e njohur Jean-Pierre Elkabbach, realizuesi i filmit deklaroi se gjatë punës dymbëdhjetëvjeçare për këtë film ai nuk i kishte vënë asnjë emër, sepse mendonte që “nuk mund t’i vihej emër asaj që nuk mund të emërohej. Në fund përzgjodha fjalën hebraike shoah, për arsye se nuk e kuptoja domethënien e saj. Shoah është një fjalë, të cilën rabinët e kishin gjetur në Bibël dhe që kishte kuptimin e një katastrofe, shkatërrimi dhe, madje, mund të jetë gjithashtu një katastrofë natyrore. Cunami është një fenomen i “shoah” [8].
Përkundër asaj se përdorimi i një termi që ka lidhje me katastrofat natyrore për një tragjedi të shkaktuar nga njerëzit ka revoltuar një numër të konsiderueshëm autorësh hebrenj, nuk duhet harruar fakti se në kontekst të asaj që kanë përjetuar çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore, termat Holokaust dhe Shoah, me shkronjë të madhe, kanë humbur karakterin e tyre fetar dhe kanë ruajtur vetëm aspektin figurativ. Me një fjalë, janë bërë sinonim për këtë krim.
Sa i përket përdorimit të këtyre fjalëve në ligjërimet tona politike ose në shkrimet lidhur me gjenocidin që ka përjetuar populli hebre, mendoj se në fjalorin tonë do të duhej të fusim përdorimin e fjalës Shoah, për të vetmen arsye se është emërtimi zyrtar i shtetit të Izraelit për tragjedinë më të tmerrshme njerëzore të shekullit XX.
– Vijon-
Të enjten më 20.06.2024 do të të mund të lexoni vazhdimin:
Divergjencat rreth grupeve që duhej mbrojtur me Konventën mbi Gjenocidin
[1] United Nations, General Assembly / The Crime of Genocide.
English: A_RES_96(I)-EN – PDF ; Français: A_RES_96(I)-FR-PDF. f. 188-189.
https://digitallibrary.un.org/record/209873
[2] Nations Unis, Conseil Economique et Social, E/325, 28 mars 1947.
Résolutions adoptées par le Conseil économique et social pendant sa Quatrième Session du 28 février au 29 mars 1947. (Rezoluta e miratuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social gjatë Sesionit të Katër të mbajtur më 28 dhe 29 mars 1947): https://treaties.un.org/doc/source/docs/NR075250.pdf
[3] Po aty, f. 33-34.
[4] Jurist francez, që ishte njëri nga katër gjyqtarët në Procesin e Nurembergut.
[5] Jurist rumun, njëri nga promotorët e nocionit “drejtësi ndërkombëtare”, sidomos kur kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit.
[6] Nations Unis, Conseil Economique et Social, Secrétaire Générale, E/447, 26 juin 1947. Projet de Convention sur le crime du génocide: https://digitallibrary.un.org/record/611058?ln=fr
[7] Les Nations Unies, Assemblée générale, A /RES/3/260, 179e séance plénière, 9 décembre 1948.
http://www.un-documents.net/a3r260.htm
[8]Libération, La Chose, më 24 janar 2005: https://www.liberation.fr/france/2005/01/24/la-chose_507145/