Përfundoi përkthimi në spanjisht i romanit “Eskadronët e vdekjes”

Të dashur anëtarë dhe mbështetës të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”.

Ju njoftojmë se falë kontributit tuaj financiar, pas përkthimit të romanit “Eskadronët e vdekjes” në anglisht dhe turqisht, këto ditë përfundoi edhe përkthimi në spanjisht, ndërkaq vazhdon përkthimi në gjermanisht dhe frengjisht.

Përkthyesi i romanit në spanjisht, Dritan Mara, ka qenë gazetar, skenarist, redaktor dhe drejtues programesh në Radio Tirana, i cili, pasi ka diplomuar për Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe Spanjolle në Universitetin e Tiranës, ka kryer studime pasuniversitare në Spanjë dhe ka të mbrojtur shkallën e parë të doktoraturës në Universitetin Komplutense të Madridit. Prej njëzet vitesh punon si përkthyes dhe specialist i gjuhës shqipe në Spanjë, ku jeton bashkë me familjen e tij.

Në vijim mund të lexoni disa fjalë të përkthyesit:

Për mua përkthimi i këtij libri përbënte një sfidë dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi të madhe. Sfidë, sepse edhe pse kam shumë vite eksperiencë si përkthyes, gjithnjë përkthimi i një libri është një punë e mundimshme. Një libër lind në një gjuhë të caktuar dhe kalimi i tij në një gjuhë tjetër nuk është thjesht një kthim fjalësh nga një gjuhë në një tjetër, është shumë më tepër se kaq. Por përkthimi i këtij romani përbënte në vetvete edhe një përgjegjësi të madhe për mua, dhe përgjegjësia qëndronte tek drama e tij, që është drama e Kosovës, drama e popullit tonë. Kjo dramë duhet të bëhej e kuptueshme, e prekshme, duhej sjellë në një gjuhë të huaj, për një lexues të huaj, që Kosovën e ka parë në ekrane televizorësh por që nuk e njeh, nuk e njeh historinë e saj, të vërtetën e saj dhe për fat të keq as shtetin e saj.

Lexuesit e parë të këtij libri në spanjisht ishin disa miq të mi spanjollë, që mbetën të habitur nga historia e tij, nga të vërtetat që zbulon ky libër dhe u bënë kuriozë të mësojnë më shumë për Kosovën dhe shqiptarët. Mes të tjerash, ky është misioni i këtij libri.

Dëshiroj të përshëndes përzemërsisht autorin e tij, Z. Bardhyl Mahmuti, sepse me shumë mund dhe art ka krijuar një roman historik që do të zërë vend si ata gurët e themelit në ngrehinën e madhe të kujtesës së Kosovës dhe të gjithë kombit tonë shqiptar. Respekt dhe nderim për punën dhe vuajtjet e tij!

Nderim, respekt dhe mirënjohje për vuajtjet, dhimbjen, sakrificat dhe luftën e të gjithë atyre që dhanë edhe gjakun e tyre që Kosova të jetë e lirë!

Me respekt,

Dritan Mara

Share this post