Përkujtimi i Kampit të Aushvicit dhe gjenocidi në Kosovë

Në ditën kur anekënd botës përkujtohet çlirimi i Kampit famëkeq të Përqendrimit në Auschwitz (Aushvic), i cili është shndërruar në sinonim të gjenocidit që regjimi nazist kreu kundër popullit hebre, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” shpreh dhembjen e saj për të gjitha viktimat e këtij gjenocidi.

Në këtë përvjetor po veçojmë vetëm disa aspekte që lidhen me krimin e gjenocidit.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjykatat ndërkombëtare dhe të shteteve veç e veç ndoqën dhe ndëshkuan regjimin që kreu gjenocid dhe zinxhirin komandues nga kreu i shtetit e deri te kriminelët që ekzekutuan krimin më të shëmtuar që njeh e drejta penale ndërkombëtare.

Ky ndëshkim duhej të përcillte mesazhin se bota nuk do të tolerojë përsëritjen e krimeve të kësaj natyre. Në funksion të këtij mesazhi Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Fatkeqësisht në dekadën e fundit të shekullit XX, njerëzimi u ballafaqua me tmerre që kishin për qëllim shkatërrimin e grupeve kombëtare, etnike, fetare ose racore në Ruandë, në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i “banalizojë” gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi. Manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Vrasja sistematike e mbi 10 mijë civilëve të paarmatosur shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 1392 fëmijë, ndërkaq 1739 gra; dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare; dëbimi i mbi një milion shqiptarëve në funksion të spastrimit etnik të Kosovës dhe shkatërrimi i qindra mijëra objekteve kulturore, arsimore, fetare dhe të pronave private të shqiptarëve dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.

Për këtë arsye, sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e përkufizimit të krimit të gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Adolf Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit!

Duke qenë tërësisht me dhembjen e popullit hebre në këtë ditë përkujtimi të çlirimit të Kampit të Aushvicit dhe zbulimit të tmerreve që fshiheshin në këtë kamp, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon që të njihet nga të gjitha shtetet e botës tragjedia që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës dhe të ndëshkohet gjenocidi që ka kryer Serbia.

Gjenevë, 27 janar 2021

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Share this post