Poezia dhe fenomeni i luftës në antologjinë “Dritë mbi plagë”

Blerta Haradinaj

Jo shumë larg të kaluarës populli ynë shqiptar kaloi një periudhë të vështirë lufte nga armiku serb.

Shkatërrimi i vendbanimeve, objekteve shtetërore-kulturore, masakrimi i shumë trupave shqiptarë, dëmet e mëdha materiale në përgjithësi, rreth 400 akte gjenocidare, krimet e forcave serbe proklamojnë qartazi gjenocidin kundër kombit shqiptar në Kosovë.

Libri “Dritë mbi plagë”, botuar nga qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur”, është sprovë antologjike që përfshinë poezi me tematikën kruciale ‘gjenocidi në Kosovë’. Shumë profesionistë të fushave të ndryshme, e po ashtu edhe shkrimtarët tanë gjithmonë kujtuan e rikujtuan në forma të ndryshme letrare periudhën e lavdishme e shfarosëse të gjenocidit në Kosovë. Por, kësaj here në librin “Dritë mbi plagë”, që është sprovë për antologji shkrimtarët tanë sjellin kujtesën e rikujtesën e mbarë viktimave shqiptare mes vargjeve të dhimbjes dhe pikërisht me tematikën e gjenocidit me synim që të tërheq para botës verbërinë dhe shurdhjen e një realiteti makabër. Nga të gjithë autorët e përfshirë trajtohet tematika e njëjtë në poezi, gjenocidi, por secili nga ta është unik në penën e tij. Në libër përfshihen nga një deri në katër poezi të të njëjtit autor. Disa nga autorët që përfshihen në këtë sprovë antologjike janë: Hajdin Abazi, Ag Apolloni, Berat Armagedoni, Xhevdet Bajraj, Sali Bashota, Sali Beqiraj, Teki Dervishi, Shqipe Bytyqi, Ali Podrimja, Agim Vinca, Dije Demiri-Frangu, Shqiptar Oseku, Uran Krasniqi etj. Ndër motivet më prezantuese në poezi janë: motivi atdhetar, i vdekjes dhe ai përkushtues.

Poezia atdhetare

Poezia atdhetare na shfaqet në shumë forma dhe zë një pjesë bukur të madhe me poezi. Duke filluar nga poezia e parë dhe nismëtare: “Të strehuarit në male” e Hajdin Abazi, ku këtu autori na paraqet një pamje tmerri e aromë lufte, krimi e gjenocidi, varfërie në pamje toposi, e mungesë ushqimi, pasigurie etj., por që njerëzit mbajnë në vete një zjarr shprese. Poezia tjetër e autorit Xhevdet Bajraj “Ode e ushtarëve të armikut”, autori këtu përshkruan gjendjen mizore e makabre të vendit dhe dhimbjen e autorit për të. Kjo dhimbje vërehet më mirë në vargjet:

Kjo poezi s’është e imja

këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut

e imja është veç dhimbja

dhe ky vaj që … me ty e ndaj[1]

Në poezinë “Poezi e vrarë” e Sali Bashotës- në sfond të kësaj poezie na del djegia e gjërave më të vlefshme të shpirtit të njeriut, gjërave të shtëpisë dhe dhimbja e madhe për to. Autori e përshkruan dhimbjen edhe më të fortë me djegien e gjërave më të vlefshme siç janë: dhoma e tij, shtëpia prej guri, biblioteka e shpirtit, dorëshkrimet e shpirtit, librat e shpirtit etj., këto që për poetin janë dashuri shpirtërore, e që i flakën tej me rënien e gjenocidit në gjithë trevat shqiptare. Pastaj, kjo dhimbje kalon në nivelin piedestal në vargjet përmbyllëse të poezisë, si:

  “më vonë parakalojnë tanket më vonë shtëpisë i del

   tymi

  pastaj vdesin zogjtë një nga një pastaj shkrumbohen

 kujtimet pastaj

digjej dhoma ime shtëpia prej guri biblioteka e shpirtit”.[2]

Poezia tjetër e tij: “Prishtina natën e 31 marsit” është poezi përshkruese e ambientit që mbizotëron në Prishtinë, përshkrim i një atmosfere me përzierje ndjenjash, me pamje të rëndë zymtësie, të përgjakur nga armiku ku miqtë presin trenin e vdekjes. Përshkrimi, dhe kjo gjendje e mërzitshme që ka kapluar vendin na dalin edhe në vargjet:

“Duke i coptuar vargjet e lidhura nga mallkimi

Korba korba korba fluturojnë mbi Kosovë

Asfalti i mbushur me gjak gjurmët e ferrit ndrijnë

E nesërmja e plagosur si thikë vizëllon

Prishtina mbyllet në burg si ta shpëtojmë kokën

A jeni gjallë miqtë e mi po vjen treni i vdekjes”…[3]

Poezinë e karakterizon figura e metaforës kur përmenden; korbat, asfalti me gjak, e nesmërja e plagosur si thikë vizëllon, arkivoli pa shqipshkrim, shiu i përgjakur i marsit e vargje të tjera shfaqin atmosferën mbretëruese të vendit në të tashmen dhe të nesërmen e ardhme. Poezi atdhetare është edhe poezia e Teki Dervishit: “Ploja e natës në Deçan”. Në këtë poezi autori pikturon me anën e penës mes vargjeve të tij një vajzë shtatëvjeçare, Hanën, në terrin e dhomës, midis trupave të masakruar të prindërve, vëllezërve dhe motrave të saj. Autori plojën e natës në Deçan e përshkruan me një tis të zi të mbështjellur që ka përfshirë shtëpinë e të masakruarve dhe tërë të masakruarit, e në mesin e tyre Hanën shtatëvjeçare, me një pafajësi rinore e me dhembjen në kurriz për familjarët e rënë.

Poezi atdhetare është edhe poezia: “Pema ime larë me gjak” e Shefqet Dibrani, “Tablo e vrarë” e Naim Fetaj, poezia “Rënkimi” e poezia “Ankthi” të Ali Podrimjes etj.

Paraqitja e detajitetit të poezisë atdhetare na del në dimensione të ndryshme në poezi, herë si paraqitje e ambientit nga dora e rëndë e ushtarëve serb, herë si paraqitje e të masakruarve e të rënëve për liri, herë si përshkrim i emblemave materiale e shpirtërore të popullatës shqiptare etj.

Vdekja si dhembje njerëzore

Motivi i vdekjes në përmbledhjen me poezi “Dritë mbi plagë” na del në dimensione të ndryshme artistike. Por më e shumta del si dhimbje për martirët e luftës, sakrificën, maltretimet e flijimet e tyre. Vdekja e tjetrit është dhimbje edhe për ne, është bashkëndjesi shpirtërore, por kur ajo zgjeron horizontin në kufijtë e atdheut e për atdheun ajo merr përmasa ideale.

Poezia: “Nëntëmbëdhjetë të ekzekutuar në Padalishtë” e Xhevdet Bajraj është poezi e përafërt për nga horizonti i pritjes me poezinë: “Grua prej guri” e Ag Apollonit, ku në brendi të të dyjave mbizotëron dhimbja dhe mungesa e familjarëve. Por, për deri sa tek poezia “Grua prej guri” kemi pritjen e fëmijëve e të burrit nga gruaja që nuk ju kthyen ende as të gjallë e as të vdekur, tek poezia: “Nëntëmbëdhjetë të ekzekutuar në Padalishtë” tregohet se këta janë të vrarë po të gjithë dhe këtu nuk shfaqet pritja si pasojë, por vetëm dhimbja, ku hetohet edhe përmes vargjeve në poezi. Dhimbja në këtë poezi bëhet edhe më hiperbolizuese dhe merr përmasa sensibiliteti kur thuhet në vargje se:

 “Afrimi ishte dy vjeç

 kur ushtari ia këputi krahun me bajonetë

 në atë moment fëmija filloi të qante dhe klithi

 baba

 ky njeri ma mori dorën”.[4]

Këto vargje njëherazi përfaqësojnë gjenocidin e vërtetë në trupat e njerëzve e të fëmijëve e mbarë popullit shqiptar në veçanti. Poezia është shkruar në formë rrëfyese e me një stil të thjeshtë. Poezi me motiv të vdekjes është edhe poezia: “Rrëfimet e nënës për vrasjen e babait” nga Sali Beqiraj. Që nga emërimi sugjestiv i poezisë kuptojmë se bëhet fjalë për rrëfimin e një gruaje për vrasjen e burrit të saj. Dhimbja e shprehur në poezi na del si rrëfim i të birit mbi rrëfimin e nënës. Në fillim të vargjeve të kësaj poezie përshkruhet karakteri e virtytet e babait që ishte punëtor e i urtë etj., e mandej rrëfimi vazhdon deri tek mënyra e vrasjes së tij. Në vargjet e kësaj poezie vërejmë një rrëfim të thjeshtë e të drejtpërdrejtë gjatë gjithë poezisë. Poezia përmbanë tonin e rrëfimit/kallëzimit të ngjarjes deri në vargjet përmbyllëse të saj, si për shembull:

Në ballkon kam qenë, thotë nëna

Kur e kanë vrarë

Baba kish dhjetë fëmijë

Një më pak se kopshtin që e pati mbjellë

Në Rozhajë

Dikush në Shkodër

Tjetri në Tiranë

Unë në Ulqin       

Vëllai i vdekur në litar

Tre në mërgrim

Dhe asnjëri nuk kemi qenë skaj tij

Kur ka dhënë shpirt.[5]

Gjithashtu, poezi me motiv të vdekjes është edhe poezia “Ëmbëlgjaku” e Shaip Beqirit. Këtu përshkruhet ndjeshëm vdekja e një foshnje njëmuajshe, Dituri Deliaj, ku vdiq në trumbën e njërës prej familjeve të masakruara nga bandat serbe më 26 shtator 1998, në Arbri të Epërme. Mes vargjeve të prekshme të kësaj poezie dedikuar vdekjes së një foshnjeje të njomë në vrullin e luftës së etur për vrasje, lufta e gjaku nuk njeh moshë, e edhe më e prekshme tingëllon në vargjet si:   “Midis vetëtimave të dehura

Kërkoje fëtyrën e qeshur

Të nënës së bërë statujë

Ajo hurbë tambli e gjaku

Kurorë trëndafilash që nxin

….

Ajo hurbë gjaku e tambli

Tufë ninullash që ngrin”.[6]

Me motiv të vdekjes janë edhe poezitë: “Nji tamël ma prunë do gra”, e Gazmend Bërlajolli, “Dita e parë e verës ’98” e Teki Dervishit etj.

Poezia si reminishencë

Në këtë motiv autorët tanë i gjejmë se i kushtuan shumë poezi martirëve që ranë për liri, por edhe shumë figurave që edhe sot janë gjallë por që lufta u la vazhgë si kujtim e mos harrim.

Nisur nga poezia “Grua prej guri” nga Ag Apolloni, autori këtu lartëson figurën e gruas, e qëndresën e saj, ku pikërisht tek qëndresa e durimi i saj është gjithë veçantia e virtytet e saj që peshojnë karshi dhimbjes që bart në vete. Gruan, zonjën e quajtur Donja, autori e lartëson në vargje me figurën e simbolit, duke e quajtur “mit dhe legjendë” si në vargjet: “Je mit në alabastër, Je legjendë në lëkurë”. Dhimbja e gruas në poezi bëhet edhe më e madhe me pritjen për fëmijët e burrin e saj, kështu dhe autori e emëron zonjën: “Donja, zonjë e dhimbjes”. Pra, e gjithë poezia është dhembje, pikëllim, mospërmbushje e një mungese të personave më të afërm familjar. Poezia “Njëzet mijë dhembje” e poetës Shqipe Bytyqi është poezi përkushtuese për Marte Tanaj dhe Vasfije Krasniqi. Që nga titulli i poezisë poetja numëron me një numër simbolik: “njëzet mijë dhembje”, që numëri njëzet mijë nga forma metaforike e saj nënkupton dhembjet e këtyre dy emrave, por edhe të shumë emërave të tjerë që janë prekur në luftën e përgjakshme, të gjenocidit, dhunës e maltretimeve të shumta në Kosovë. Poetja proteston mes vargjeve para botës për dhimbjen e të dhunuarave nga lufta, mes zërit të tyre të heshtur na del me vargjet:

 “kurrizit ngarkuar, ato bartin

  njëzet vjet heshtje

 njëzet mijë dhembje”…[7]

Po kjo autore ka edhe dy poezi të veçanta përkushtuese, njëra titullohet: “Vdekja m’flet serbisht”, e tjetra “Rita”. Në të parën “Vdekja m’flet serbisht” i kushtohet “Dren Cakës, një djaloshi nëntëvjeçar, të mbijetuarit të vetëm nga masakra e Gjakovës, më 02.04.1999, ku forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe dogjën 21 fëmijë dhe gra”. Poetja këtu del në vendin e djaloshit, në përjetimin e fjalët e tij thurë vargjet e poezisë së ndjeshme, që rrëfen me figurën e metaforës vdekjen me sy e duar dhe imagjinatë ferri, vdekja që i flet serbisht, vdekja që i erdhi e i mori të gjithë familjarët e tij e ky po i dëgjonte e përjetonte të gjitha në moshë fëmijërore. Edhe pse i padëshirë të jetojë më pas vdekjes së tyre ai zgjohet e shtrihet me vdekje, në kujtesën për ta. Ndërsa, në poezinë “Rita” kemi përshkrimin e vajzës dyvjeçare të vrarë dhe të djegur së bashku me njëzet martirë të tjerë në gjendje lemerie. Në këtë cikël poezish hynë pashmangshëm edhe poezia e Ali Podrimjes “Përtej dhimbjes”. Ku në vargjet që stisë për Kosovën poeti ndjen rrënimin e vendit të tij e të shumë gjërave personale e kolektive në përgjithësi. Thekson se Kosovës i ka rënë më e keqja sipër kur përshkuan në vargje si: “Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të shituar, Kosovë.” Poezi të tjera përkushtuese janë edhe poezitë: “Bashkëvendësve të ekzekutuar” e Lulëzim Etemaj, që i kushtohet bashkëvendësve të këtij poeti që ranë për liri, siç përmenden në poezi: Din Grabovci, Berat Dreshaj, Gani Isufi etj., poezi të po këtij motivi janë edhe “Dhimbja që nuk ka emër” e Adem Gashi, “99 Emra” e Shqiptar Oseku, “Nata e 2 prillit” e Elirona Mahmuti, “Rrëfimi për një nanë” e Eduard Frrokaj etj.

Poezitë në sprovën antologjike “Dritë mbi plagë” shënjojnë një tematikë emotive për të gjithë ne pa dallim, dhe më botimin e tyre i dhanë më shumë kthesë drite retrospektivës së përvuajshme mbi popullin e vendin tonë. Shumica e titujve të poezive në këtë libër janë tituj sugjestiv në paralele me vargje të ngjarjeve e dhembjeve të shekullit. Secila poezi e kësaj përmbledhjeje shpalosë një histori gjenocidi në vete që tërheq vëmendjen e lexuesve edhe sot.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / Huazuar nga KultPlus.com

Share this post