Eskadronët e vdekjes

CHF 20.00

Dimensionet: 140 x 205 mm
Faqe: 512
Botohet në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, 15 janr 2021

Përshkrimi

Virion Graçi: Romani/kronika historike “Eskadronët e vdekjes” është provë e detajuar dhe e drejtpërdrejtë e krimeve shtetëro­re serbe ndaj shqip­tarëve në përgjithësi, dhe ndaj intelektualëve serbë, që ngritën zë­rin kun­dër gjenocidit në Kosovë. Ndërkohë që shumë prej protagonistëve të kal­varit të Kosovës të viteve ‘90 nuk janë më në jetë, ndërkohë që të rinj­të e të rejat infor­mo­hen e keqinformohen tërthoras e sipër­faqësisht për atë epokë sakrificash të përgjakshme dhe tragjedish indi­vi­duale dhe kolekti­ve, doku­mentimi i historisë nëpërmjet fjalës artisti­ke, është domosdosh­mëri. Kri­mi dhe e vërteta historike nuk mund të bashkëjetojnë. Autori Bar­dhyl Mah­muti hedh dritë mbi të vërtetën, duke na treguar për njerëz realë, jo për personazhe të imagjinuara, e po ashtu flet drejtpërsëdrejti për intri­ga shte­tërore e manipulime media­tike të kohëve moderne e jo atyre miti­ke, pa­ra historike. Prandaj ky libër do të jetë i domosdoshëm edhe për lexuesit jo­­shqip­tarë, të cilët e kanë njohur të vërtetën e kësaj tragjedie njerë­zore pak, aspak ose shtrembë­rueshëm.

Bedri Zenel Islami: Një libër i pazakontë në të gjitha pikëpamjet. I ve­çantë. Tronditës deri në thelb. Që me gjithçka i kalon kufijtë e një ro­ma­ni dhe ky kapërcim kufijsh është artistikisht madhësia e tij si vepër, është koncepti njerëzor që sjell, saktësia e rikrijimit të një bote që ishte e pranishme aq shumë në jetën e shqiptarëve të Kosovës, por edhe përtej tyre… Ndoshta ga­bohem, por asnjëherë më parë, në romanin tonë të këtyre viteve, nuk ka ar­dhur një kërkim kaq i pafund, një fushë kaq e gjerë, ku lëvizin personazhe re­ale me emra dhe bëma reale… Me një fjalë, “Eskadronët e vdekjes” është një libër që të lë pa gjumë dhe të rrëqeth!

Sevi Lami Agolli: Një roman që i duhet me patjetër brezit të ri! Një roman, që dokumenton me aq mjeshtëri artistike një realitet rrëqethës! Nuk kish si të tregoheshin dhe dokumentoheshin më bukur ato ngjarje të dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës, përveçse parë dhe ndier nga këndvështrimi i vetë një serbi! Ky roman i duhet fort kohës sonë!

Informacion shtesë

Pesha 0.9 kg

8 reviews for Eskadronët e vdekjes

  1. 5 out of 5

    Dr. Sadri Ramabaja

    Gjenocidi serb mbi shqiptarët i rrëfyer me gjuhën e artit letrar
    (Bardhyl Mahmuti: “Eskadronët e vdekjes”, roman, Qendra “Gjenocidi në Kosovë — Plagë e hapur”, Ch, 2021)
    Gjatë gushtit 2020, në kushte pothuajse karantine, pata mundësinë të lexoja studimin e jashtëzakonshëm të mikut tim të çmuar, Bardhyl Mahmutit, “Mashtrimi i madh” mbi genocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sa isha peng i Hashim Thaçit në burgjet e Republikës, më kishte rënë t’lexoja vetëm ca njoftime sporadike për këtë kryevepër të llojit të vet.

    Në të njejtën kohë, në orët e mbrëmjes, siç e kisha bërë tashmë shprehi, lexoja letërsi, kësaj radhe romanin “Tatuisti” të Heather Morris-it.

    Si studimi i Bardhylit mbi gjenocidi serb në Kosovë, edhe rrëfimi i jashtëzakonshëm i H.Morrisit për viktimat e Holokaustit dhe ndeshtrashat jo vetëm në Aushvic, janë shpërfaqje e historive drithëruese, sfiduese për qenien e njeriut, por mbesin gjithësesi dritare prej nga mund të shihen ngjarje nga më të tmerrshmet që ka përjetuar njerëzimi.

    Derisa po shkoja nga fundi i Tatuistit, se si në nëdrdije mu krijua një dëshirë e pa fshehur dot për nevojën që kishte jo vetëm lexuesi ynë, që ndonjëra nga historitë e trishta të “Mashtrimit të madh” të rrëfehej në formën e letrarizuar, dhe t’ na vinte në jetë një personazh që flet shqip, i ngjashëm me atë të Lejli-t.

    Në burgun e Gjilanit, gjatë tre muajve të parë të vitit 2020, pata shkruar esenë e gjatë me titull “ Demonstratat e 1981-it: Prologu i revolucionit të vonuar antikolonial dhe Republika”. Që në fillim të esesë e kisha parë të arsyeshme të pohojë se, gjatë studimit të asaj epoke, do të ishte e rrugës që, tok me rrethanat dhe shkaqet reale, që ndikuan në shpërthimin e revolucionit të vonuar antikolonial (1981–1989), një vend i rëndësishëm t’ju kushtohet idealeve që përqafoi rinia jonë studentore e atij brezi dhe vlerave politike, siç është nacionalizmi progresiv, drejtësia sociale etj., që u dëshmuan më pas si bartëse e idealeve për ndërtimin e shtetit modern. Më tej po reflektoja se, historianët, sigurisht, ndoshta me të drejtë, do të vazhdojnë të insistojnë që në shërbim të kërkimit të së vërtetës historike, të bazohen përgjithësisht tek të dhënat arkivore, në dokumente, në të dhëna faktike e të provueshme. Ndërkaq politologët, antropologët, sociologët etj. do t’i inkurajoja t’i kushtojnë vëmendje të veçantë, mbi të gjitha, ideve dhe qasjeve socio-kulturore.

    Më tej më kishte bërë përshtypje se si bota perëndimore, para së gjithash gjermanët, pas viteve ‘70-të të shek. XX, kishin filluar të përballeshin me të vërtetën e hidhur të gjenocidit të paramenduar ndaj hebrenjve, që gabimisht do të hyjë në histori si nocion që njihet gjerësisht si Holokaust, megjithëse si i tillë do të zëvendësohet edhe zyrtarisht më 12 prill 1951 nga shteti i Izraelit me termin “Shoah”, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën “katastrofë”.

    Kjo përballje nuk do të bazohet vetëm në të dhënat historike, muzeale, por edhe ato të shpërfaqura në vepra arti: në letërsi, film dhe, së fundmi, edhe përmes përqasjes ndaj idealeve të grupeve e shtresave të tëra, të mbi gjashtë milionë hebrenjve që i janë nënshtruar gjenocidit (Shoah-s), atij makthi çnjerëzor që ndodhi në kampet naziste. Për rrjedhojë, perceptimi i këtij realiteti është më i prekshëm, ndërkaq, e vërteta e shpjeguar në rrafshin kulturor është një përvojë e re pozitive.

    Këto shestime po riktheheshin në vëmendjen time sërish gjatë shkurtit të 2021-ës, kur po lexoja romanin e Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes”, që për shumëçka do ët mund të cilësohej si nga më të veçantët në letërsin shqipe.

    Atë që kishte bërë H.Morris-i me Tautistin e Aushvicit, në plan edhe më të gjerë e ka bërë Bardhyli me romanin/kronikë historike “Eskadronët e vdekjes”, duke sjellë provat e detajuara të krimit serb në Kosovë në vitet ‘90-ta të shek. 20-të, por edhe ato ndaj intelektualve serb të paktë që u bënë zë i ndërgjegjes së kombit të vet, atëherë kur ata, në një mënyrë a tjetër, dëshmuan dhe dënuan gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar.

    Romani “Eskadronët e vdekjes” është një histori që shpërfaq dimensionet më ekstreme të mendjes e institucionit të shtetit serb për shkatërrimin e një kombi, pa kursyer as brutalitetin e paramenduar së fundmi për ta fshehur atë. Çdo lexues, sado i sprovuar të jetë me margaritarë të tillë të letërsisë botërore, nuk ka se si të mos kaplohet nga emocione të jashtëzakonshme, tek lexon këtë rrëfim romanor, siç është ky, që tashmë e ka në dorë jo vetëm lexuesi shqiptar.

    Lexuesit shqiptar, por edhe të huajt, që e njeh historinë dhe raportet mes shqiptarëve dhe serbëve përgjatë dy shekujve të fundit, sidomos nga viti 1878 e këtej, do t’ i rekomandoja ta lexoj, edhe nëse ka lexuar të gjitha botimet e mundshme të autorëve tanë e të huaj, madje edhe nëse i ka lexuar gjithë atë vistër të projekteve serbe mbi zhdukjen e shqiptarëve (24 sosh sa janë publikuar deri tashti!).

    Objekt rrëfimi i këtij romani historik janë vrasjet sistematike të mbi 10 mijë civilëve të paarmatosur shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 1392 fëmijë e 1739 gra; dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare; burgosja dhe keqtrajtimi mizor i mijëra shqiptarëve, dëbimi i mbi një milion qytetarëve shqiptarë në funksion të spastrimit etnik të Kosovës dhe shkatërrimi i qindra e mijëra objekteve kulturore, arsimore, fetare dhe të pronave private të shqiptarëve… Pra opjekt i trajtimit në rrafshin artistik shndërrohet akti i aplikuar me brutalitet i forcave serbe në trajtën e gjenocidit fizik dhe biologjik në Kosovë, që për qëllim final kishte shkatërrimin e zhbërjen e shqiptarëve të Kosovës edhe si qenie biologjike.

    Prandaj autori këmbëngulë jo një herë se, sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e përkufizimit të krimit të gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Adolf Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit!

    Ndërkaq përshtypjet që i bluan në mendje në një çast reflektimi kryepersonazhi i romanit “Mifi L-ja, tek shfleton lidhur me heshtjen e intelegjencies serbe për gjenocidin serb në Kosovë, e sheston mbi arsyet që kishte revolta e arkimandritit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, janë edhe një lloj reminishence që shoqëron oportunitetin e elitave të shpifura të kombeve të papjekur në rrafshin civilizues.

    “E kuptova revoltën e arkimandritit Sava ndaj heshtjes së intelegjencies serbe, kur bëhej fjalë për krimet në Kosovë, reflekton në një rast gazetari dhe kryepersonazhi i romanit, Mifti L. Por heshtja e tyre ka një shpjegim, vazhdon ai reflektimin e tij. Në mediet e vendeve demoratike shumë shpesh Millosheviqin e kishin quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kishin krahasuar me Hitlerin. Ky krahasim nuk më duket i saktë! Gjermnaia para Luftës së Dytë Botërore nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve ‘90-të. Kur Hitleri filloi të çartej dhe t’i ngjante një kafshe të tërbuar, atë e braktisën një numër intelektualësh, shkenctarësh dhe artistësh eminentë të poullit gjerman. Edhe pse gjatë periudhës së Millosheviqit vendin tonë e braktisën një numër artistësh, shkenctarës dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që, me urdhërin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijenin e tij, çdo ditë nga dora serbe e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë n Kosovë, do të thotë të kërkohet prej tyre që ta pranojnë pjesën e fajësisë së tyre…” (f.378/379).

    Ky roman vjen në letrsinë tonë si një krijim tepër i veçantë artistik dhe si i tillë, me tematikën, me përmbajtjen, por edhe me mesazhin e tij, na imponohet krejt natyrshëm me pretendimin për t’hy në panteonin e letërsisë së përbotshme si kontribut i llojit të vet, ashtu si edhe vet sakrifica e prometheve të lirisë sonë.

  2. 5 out of 5

    Lirim Gashi

    Romani “Eskadronet e Vdekjes” i autorit Bardhyl Mahmuti, është sipas mendimit tim një bestseler i nivelit më të lartë publicistik, epik, letrar, dramatik, kriminalistik, artistik, historik dhe politik, që është krijuar prej ndonjë autori shqiptar në Kosovën e pasluftës.
    Ky roman meriton vëmendje të posaçme jo vetem pse e trajton në mënyrë jo konvencionale pjesën më të dhimbshme të luftës sonë të shenjtë dhe të drejtë për shpëtim, çlirim, liri dhe pavarësi, apo gjenocidin serb ndaj popullit tonë viktimë, por sepse autori e ka përzgjedhur një këndvështrim tepër interesant, inteligjent dhe kreativ, jo vetëm për të shkëlqyer individualisht, por para së gjithash për ta dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ndriçimin multi dimensional të se vërtetës së dhimbshme.
    Kjo është arsyeja parësore pse leximin e këtij romani ia preferoj çdo shqiptari të rritur, i cili e zotëron mirë alfabetin dhe shkrim-leximin shqip.
    Ndërsa arsyeja dytësore është fakti, se bëhet fjalë për një delikatesë artistike të nivelit më të lartë letrar, epik, kriminalistik, publicistik, dramatik, politik dhe historik në Kosovën e pasluftës.
    Gjermanët do të thoshin : Wer dieses Meisterstück nicht liest ist selber schuld”.
    Që shqip i bie “Kushdo që nuk e lexon këtë Kryevepër është vetë fajtor”.

  3. 5 out of 5

    Enver Tivoli

    Një libër nga i cili kam mësuar shumë!
    Nëse ka ndonjë libër që më ka mbajtur të lidhur derisa e përfundova, ky është romani ”Eskadronët e vdekjes” të mikut tim, Bardhyl Mahmuti. Nga ky libër kam mësuar shumë për makinerinë vrastare të shtetit serb dhe për këtë arsye ftoj çdo shqiptarë ta lexojë këtë roman, sepse jam i bindur se, përkundër ngjarjeve tragjike që përshkruhen në të, do të ndihet i kënaqur që tragjedia e popullit tonë del në dritë edhe në formën artistike.
    Jam në dijeni se romani është përkthyer në gjuhën angleze dhe është duke u përkthyer në gjuhën spanjishte dhe turqishte. Uroj që kjo vepër letrare të sheh dritë në shumë gjuhë, që lexuesit e tërë rruzullit tokësor ta marrin vesh se populli shqiptar i Kosovës ka përjetuar gjenocid në fund të shekullit XX.
    Faleminderit shokut tim, Bardhyl Mahmuti

  4. 5 out of 5

    Driton Smakaj

    E kam lexuar këtë libër derisa ishte ende në dorëshkrim. Është një nga ata libra që gjenden shumë rrallë për t’i lexuar. Aty ku përshkruhet në detaje realiteti i një dhimbje të madhe njerëzore në plan të parë. Aty ku gjëmat e shekullit trokasin në ndërgjegjen njerëzore e ku ato rënkime të dhimbjes bëjnë thirrje që gjëra të tilla të mos ndodhin kurrë më, askund në botë!
    Është padyshim një libër që nuk e kemi pasur deri tani mes lexuesve. I mbushur brenda me plot ngjarje të detajuara dhe të tirshta, rreth asaj se çka mundet t’i ndodhë një njeriu brenda dhomave të burgjeve me urdhëra të drejtuesve të institucioneve të shtetit. Përshkrime që të bëjnë të ndjehesh keq në lëkurën tënde si njeri, kur e kupton se çfarë është në gjendje njeriu t’i bëjë njeriut pavarësisht motivit për çka. Ky libër do t’i mbetet dëshmi historisë njerëzore, një dëshmi e një kohe vërtetë të trishtë në Ballkan.

    Faleminderit Bardhyl për këtë vepër madhështore si rrëfim, e ndërtuar me delikatesë si ngjarje dhe e strukturuar si një arkitekt në shtrirje!

  5. 5 out of 5

    Ramë Buja

    “Eskadronët e vdekjes”, roman që duhet ta lexojë çdo person!

    Ramë Buja

    Veprën “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti e lexova me një frymë, duke mbetur shpesh pa të, me gulçimë, derdhje lotësh dhe krenarie njëkohësisht për madhështinë krijuese që ngërthen në vete ky roman.

    Kam bindjen e plotë se një vepër të tillë artistike, ku kombinohet mjeshtërisht romani historik dhe kronika si gjini letrare, nuk e kemi pasur deri tani. Prandaj e shoh si domosdoshmëri t’i ftoj të gjitha ata që nuk e kanë lexuar këtë libër ta lexojnë sa më parë, sepse vërtet do të kenë në duar fakte të pakontestueshme të realitetit tonë tragjik të përshkruara me mjeshtri të jashtëzakonshme.

    Shpesh thuhet se një intelektual i mirëfilltë nuk duhet të vdes pa lexuar disa kryevepra letrare.

    Sipas mendimit tim, “Eskadronët e vdekjes” është një roman që duhet ta lexojë çdo person që ka përjetuar luftën në Kosovë apo që dëshiron të mësojë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

    Një falënderim Bardhyl Mahmutit.

    Burimi: Epoka e Re

  6. 5 out of 5

    Bedri Halimi

    Një roman emblematik, me idenë më të mirë për film artistik

    Ngjarjet që zhvillohen në roman janë ngjarje që të rënqethin, të tmerrojnë.

    Pas jehonës së sukseshme të librit “Mashtrimi i madh”, Bardhyl Mahmuti startoi edhe në fushën letrare me romanin “Eskadronët e vdekjes” duke sjellur befasi të këndëshme për lexuesit dhe studiuesit e letërsisë.
    Sapo lexuesi të lexjë disa faqe të librit, shpejtësia e zhvillimit të ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër, të rrëmben të tërin duke e bërë për vete. Kjo për faktin se lexuesi me padurim dëshiron të di zhvillimin e ngjarjeve deri në fund.
    Ky libër, nuk është një roman ku lexuesi i stërvitur mund të paramendoj zhvillimin e ngjarjeve duke i imagjinuar ato. Ngjarjet në këtë libër janë përtej imagjinatës. As studiuesit më të stërvitur të letërsisë nuk kanë mundësi t’i imagjinojnë këto ngjarje, sepse imagjinata e veprimeve çnjerëzore dhe veprimeve iracionale të personazheve real, e thejnë çdo parashikim imagjinar.
    Struktura e romanit, e bazuar në ngjarje reale, është tejet komplekse. Dhe e vështirë. E vështirë për shkak të vërtetësisë së ngjarjeve. Kështuqë për autorin kjo ka paraqitur rrezik për faktin se: a do t’ia dal si duhet t’i ndërthur ngjarjet duke mos i dëmtuar ato përmes prezantimit artistik. Ndërkaq e lehtë është, nëse mund të thuhet kështu, për faktin se argumentet, të dhënat e shumta të sistemuara brenda librit, ku secila ngjarje jepet me përmasat reale dhe me mundësi të natyrshme absorbimi nga lexuesi – është veti e krijuesve ose që kanë përvojë të gjatë të shkrimit, ose që kanë talent të veçantë në shkrim. Në këtë aspekt zhdërvjelltësia krijuese e autorit gjithsesi ka triumfuar.
    Personazhi kryesor, ndonse serb, për lexuesin shqiptar bëhet i pranueshëm ngase me qëndrimet e veta, asnjëherë nuk e mohon e as nuk e dëmton përkatësinë e vet kombëtare. Përkundërazi, ai kurdoher sillet vertikalisht. Ai është fanatik me kulturën dhe civilizimin e popullit të tij. Por edhe poaq kritik dhe i pamëshirshëm në këqijat që paraqiten brenda popullit dhe shtetit të tij. Prandaj është luftëtar i pakomporomis kundër të keqes kolektive që e ka pllakosur popullin e tij.
    Ai në rrethana të vështira e të rrezikshme mundohet t’i tregoj popullit përmes shkrimeve të tij që t’i hapin sytë dhe ta kuptojnë sa më parë, të keqen e madhe që shteti i tij i kapur nga kriminelët ka bërë kasaphane në Kosovë. Përmend me guxim mahnitës dhunimet e femrave shqiptare, vrasjen e fëmijëve, pleqve, plakave, të rinjëve, meshkujve, ashtu siç në të vërtetë kanë ndodhur. Skena të tmerrshme padyshim përshkruan personazhi kryesor në këtë roman.
    Si pasojë e kësaj edhe vetë personazhi kryesor Mifi, në luftë për ta thënë të vërtetën, e pëson, madje e pëson shumë keq. Në këtë luftë të pabarabartë mes gënjeshtrës së ngritur në dogmë shtetërore nga shteti serbe në krye me Sllobodan Millosheviqin dhe të vërtetës së lansuar përmes shkrimeve nga personazhet si Mifi, të cilat shteti i ka shpallur si krim, gënjeshtër, propagandë, të personazhit kryesor, ku si rrjedhojë, ky i fundit, ballafaqohet me tortura të mëdha fizike e psiqike. Sa më shumë torturohet nga shteti, aq më shumë e kupton thellësinë e së keqes, se deri ku është katandisur vendi i tij.
    Në fund, përshkrimi i të keqës dhe personazheve që kanë shkaktuar dhëmbje të mëdha, vrasje, dhunime etj, kanë përfunduar si më keq, që as në filmat fantastik nuk ka mundur të programohet përfundimi më i mirë në kuptimin e luftimit dhe përfundimit të së keqës.
    Krajatat jetësore, dhuna shtetërore personazhin kryesor e bëjnë edhe më të fortë. Ai gjatë rrugëtimit të tij nëpër labirinthet e dhunës shtetërore arrinë të mësoj shumë gjëra që as vetë nuk i ka ditur. Inkorporimi i dhunës së përjetuar nga personazhi me rrëfimet e përjetuara nga personazhet tjera shqiptare e serbe edhe më shumë ia forcojnë bindjen personazhit kryesor; edhe më shumë e bëjnë të vendosur që t’i shkoj deri në fund betejës për zbardhjen e të vërtetës e cila ndonëse thuhej botërisht në botën demokratike, por personazhit kryesor i është dashur të ecë nëpër tehun e shpatës, për të shpëtuar nga më e keqja.
    Qëndrimit të personazhit kryesor në shkrimet e tij, bëri që bota demokratike ta ngrit zërin për fatin e tij, pas arrestimit nga shteti i kriminalizuar deri në palcë. Kjo bëri që edhe popullata serbe e lodhur nga regjimi kriminal të mos heshtë më në fund ndaj arrestimit të tij. Falë mençurisë dhe këshillave të miqëve të tij nuk pëson fatin e Stamboliçit, Çuruvisë dhe shumë të tjerëve.
    Në këtë roman, sistemimi i ngjarjeve është bërë me mjeshtëri, ku pjesa dërmuese e ngjarjeve tragjike në Kosovë përmenden mjaftueshëm, për të lënë për të kuptuar te lexuesi, se të gjitha ngjarjet tragjike i kanë përjetimet e veta nga secili prej akterëve të tyre.
    Ky roman është i denjë për tu bërë film artistik i metrazhit të gjatë. Të shpresojmë se libri do të arrijë jo vetëm te lexuesit e thjeshtë por edhe te faktorët relevant, të cilët do të duhej t’i bënin një refresh trurit, për të mos lejuar që gjërat t’i mbuloj ndryshku. Urojmë që në fund edhe pas kaq kohe të kaluar nga tragjedia e popullit shqiptarë në Kosovë, ndërgjegjja e fjetur të rizgjohet dhe ta luaj rolin praktik në shoqëri. Ja kështu siç po bën autori i këtij libri.
    Romani “Eskadronët e Vdekjes” është roman emblematik, nga i cili rrjedh ideja më e mirë e mundshme për tu bërë film artistik.

    Durrës, 05.08.2021

  7. 5 out of 5

    Musa Gashi

    Një vështrim i shkurtër për librin ‘Eskadronët e vdekjes’ të autorit Bardhyl Mahmuti

    Musa Gashi

    Ishte njëri ndër udhëtimet që po bënim bashkë me disa nga shokët e burgut, gjatë kësaj vere, dhe si zakonisht derisa po bisedonim për tema të ndryshme, njëri nga shokët përmendi librin “Eskadronët e Vdekjes”.
    Dhe, derisa i dëgjoja tek flisnin me aq pasion për këtë libër, me veten time u zotova se do ta lexoj sa më parë që do të kem mundësi.
    Fatkeqësisht, mund të konstatojmë se është kjo kohë e një krize leximi, sikur jemi mësuar të lexojmë vetëm shkrime të shkurtëra dhe vetëm në mënyrë elektronike, dhe sikur na ka humbur durimi të lexojmë ndonjë shkrim më të gjatë. Madje, edhe nëse nuk është shkrimi i shkurtër që do të lexohej me një frymë, sikur nuk na tërheqë për ta lexuar. Natyrisht që kjo është e dëmshme dhe kjo mënyrë e të lexuarit pashmangshëm na shtyen të funksionojmë sipërfaqësisht si qenie, dhe ashtu sikur një frymëmarrje sipërfaqësore e cila dëmton mushkëritë tona ashtu edhe kjo formë e leximit është fatale për ne si lexues.
    Kisha një udhëtim të planifikuar për pushime në fund verë, dhe më duhej te fluturoja me aeroplan, kështu që mund të them se i erdhi radha edhe këtij libri. Si çdoherë kur kam ndonjë udhëtim të tillë, marr me vete ndonjë libër, për të shmangur sadopak pritjet e bezdisshme ne aeroport dhe kohën gjatë fluturimit.
    Dhe, sa fillova ta lexoj, më bëri për vete, me mënyrën brilante të të shkruarit dhe me përmbajtjen e tij. Edhepse kishte shumë faqe të shkruara, keto faqe po harxhoheshin shpejtë. Nuk mundja ta hiqja nga duart, dhe asgjë përreth nuk më pengonte që të thellohesha brenda tij. Në shumë nga ato ngjarje që përshkruheshin në formë të një kronike, më dukej se isha pjesëmarrës edhe vet.
    Që në fillim më ra në sy dedikimi, ku pos tjerash i dedikohej edhe Natasha Kandiq për kontributin në ngritjen e zërit të saj kundër gjenocidit në Kosovë, dhe padyshim që ky e rriste interesimin tim për këtë libër.
    Personalisht, si njëri nga të burgosurit në kazamatet serbe, nga takimet që kam pasur me zonjën e nderuar Natasha Kandiq, gjatë kohës sa isha i mbajtur në kampin e përqendrimit në Burgun e Mitrovicës së Sremit bashkë me shumë shokë të tjerë të burgosur shqiptarë, apo edhe më pas, pasi jam liruar nga aty, kam përshtypje të jashtëzakoshme për këtë zonjë të nderuar, veprimtare e devotshme dhe intelektuale, e cila me veprimtarinë e saj në Fondin për të Drejtën Njerëzore (Fond za Humanitarno Pravo) kishte bërë aq shumë për ndriqimin e shume ngjarjeve të luftës dhe qeshtjen e te pagjeturve në Kosovë. Për këtë ajo gëzonte respektin tim maksimal.
    Ajo qe më ra në sy menjeherë në këtë libër ishte këndvështrimi i veçante i paraqitjes se ngjarjeve. Ishte vetë gazetari serb (Mifi L.), i cili përmes paraqitjeve ne mediat vendore ne Serbi dhe ne media te njohura nderkombetare, paraqiste tmerrin e asaj qe kishte dëgjuar nga pjesëmarrës ne masakrat e zhvilluara kudo në Kosovë gjate luftës, të cilët i ishin rrëfyer atij, të tmerruar çfarë kishin parë dhe të penduar për atë që kishin bërë.
    Me tutje, deri në detaje janë paraqitur torturat e përjetuara nga ai gjate marrjes ne pyetje dhe burgosjes neper qendra te ndalimit dhe burgje, tortura të cilat në një ose mënyrë tjetër i kishin perjetuar pothuajse të gjithë shqiptarët e burgosur në Serbi. Por edhe bashkëbisedimi qe kishte pasur me te burgosurit shqiptare brenda në burg, si Sadik Zeqiri etj., te cilët me rrëfimin e të vërtetës së tyre të perjetuar në kazamatet serbe e kishin lënë ate pa fjale, dhe perjetimin e tij nën hije. Nga ata, ai kishte mesuar per tmerrin që shqiptarët e burgosur kishin perjetuar në burgjet serbe, për torturat ç njerëzore, për Masakrën mbi të burgosurit në Burgun e Dubravës dhe gjithë tmerrin e përjetuar neper burgjet apo më mirë të themi kazamatet serbe.
    Si i burgosur kisha pasur rastin t’i takoja në burg shumë nga të burgosurit shqiptarë, si Naitin, Dinin, Ismetin, Skendën, Izetin, Muhametin, Xhevatin, me pas me Bajrushin, Bislimin, Isakun, Xhelalin, Defin, Sadikun e plot të tjerë, nga të cilët kisha dëgjuar për perjetimet në burg, dhe kisha krijuar bindjen se burgu ishte vendi ku kishte filluar rezistenca. Serbia duke tentuar qe me burgosje te shuante rezistencen, po i ndodhte e kundërta. Pothuajse te gjithe te burgosurit politikë shqiptarë pas daljes nga burgu kishin vazhduar rezistencën edhe më me këmbëngulje, dhe liria e Kosovës pos tjerash kishte rrenjet edhe ne burgjet serbe.
    Ne kete libër gjen shume detaje nga ngjarjet e ndryshme te luftës te ndodhura ne Kosove, nga masakrat e ndryshme te ndodhura gjate asaj kohe, por edhe nga zhvarrimi, transporti dhe fshehja e shqiptarëve të masakruar, në mënyrë çnjerëzore, neper varrezat masive kudo në Serbi.
    Mënyra e të shkruarit të këtij libri është e thjeshtë, rrëfimi është i rrjedhshëm, dhe ky rrëfim arrin të të emocionoj shpesh gjatë leximit.
    Ky libër më shtyn të hulumtoj dhe gjej edhe shkrime të tjera të autorit Bardhyl Mahmuti, për t’i lexuar.
    Ky është një libër i mirë për t’ia preferuar për ta lexuar dhe dhuruar një miku.
    Dhe, në fund, ky libër do të ishte nje skenar i mirë për film për luftën e Kosovës.
    (Musa Gashi është ekspert mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ish i burgosur gjatë luftës.)

    Burimi: Epoka e Re

  8. 5 out of 5

    Agush Buja

    Libri më i ri i Bardhyl Mahmutit, romani ESKADRONËT E VDEKJES (Kronikë e një kasaphane) që u botua në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë 15 Janar 2021 po shpërndahet në dy Republikat tona dhe në vise dhe gjithë andej Evropës e deri në Amerikë deri tani kur po shkruajme(nëntor 2021) janë shpërnda mbi 2000 ekzemplar dhe po vlerësohet lartë nga lexues e krijues të shumtë si shkrimtarët e mirënjohur Virion GRAÇI, Bedri Zenel Islami, Besnik Mustafaj e shume lexues të tjerë.
    Sektori i shpërndarjes së librit në kuadër të QENDRËS…mirëpret porosit me pakicë e shumicë për librin


Shkruaj një recension