Qëllimi i veçantë i akteve gjenocidale (8)
Për të nxjerrë në pah rëndësinë që ka shprehja “si i tillë” në përkufizimin e gjenocidit, po citojmë disa vendime të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Fillimisht po përmendim qëndrimin e shumicës së gjyqtarëve, se teksti Elementet e Krimeve, si një nga tekstet juridike themelore të së drejtës penale ndërkombëtare, “ndihmon Gjykatën Penale Ndërkombëtare të interpretojë dhe të zbatojë nenet 6,7 dhe 8”[1] të Statutit të Romës, e që kanë të bëjnë me krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
Në nenin 6 të Statutit të Romës përfshihen, pa asnjë ndryshim, pesë kategoritë e akteve gjenocidale të numëruara në Konventë. Sa u përket këtyre akteve, “‘Elementet e Krimeve’ nxjerrin dy karakteristika të përbashkëta të akteve të numëruara në paragrafët a), b), c), d) dhe e):
- Viktimat duhet t’i përkasin një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, dhe
- Autorët e krimit duhet të veprojnë me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit të veçantë.”[2]
Me një fjalë, përpara se një akt të cilësohet si gjenocid, duhet të dëshmohet që ky akt është kryer me qëllim që të shkatërrohet një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar, si i tillë. Të marrim shembullin e krimit nëpërmjet vrasjes.
Në përputhje me karakteristikën e parë që theksohet tek Elementet e Krimeve, për t’i cilësuar vrasjet si gjenocid, duhet që viktimat t’i përkasin një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar. Ndërsa sa i përket karakteristikës së dytë, shumica e gjyqtarëve vlerësojnë se “krimi i gjenocidit ngërthen në vete dy elemente subjektive:
- Një element subjektiv të përgjithshëm që duhet të shoqërojë të gjitha aktet gjenocidale të parapara nga paragrafët a), b), c), d) dhe e) të Statutit, ku kërkohet nga kryerësi i krimit të ketë qëllim dhe njohuri të përcaktuara me nenin 30 të këtij statuti[3], dhe
- Një element subjektiv shtesë, i cili zakonisht shënjohet me termin dol specialis ose qëllim i veçantë, që nënkupton se çdo akt gjenocidal duhet të kryhet, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, grupi që është vënë në shënjestër”[4].
Siç shihet, në bazë të kritereve të Elementeve të Krimeve, “nuk mjafton të sillen prova për vrasjen e anëtarëve të grupit, d.m.th. homicid me dashje, të jashtëligjshëm, kundër këtyre personave. Duhet të dëshmohet qëllimi shtesë, i cili shpesh cilësohet si qëllim i veçantë ose specifik (Dolus specialis). Pra, nuk mjafton që anëtarët e grupit të jenë marrë si cak, për shkak të përkatësisë së tyre këtij grupi[5], domethënë, për arsye të qëllimit diskriminues të autorëve të krimit. Përveç kësaj, duhet që aktet e parapara në nenin II të jenë kryer me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit, si i tillë. Termat “si i tillë” nxjerrin në pah pikërisht qëllimin për të shkatërruar grupet e mbrojtura”[6].
Përveç qëndrimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila tërheq vëmendjen në rëndësinë e shprehjes “si i tillë”, që lidhet me qëllimin specifik të krimit, që e dallon krimin e gjenocidit nga krimet e tjera, edhe në Kodin e Krimeve kundër Paqes dhe Sigurisë së Njerëzimit vihet theksi në rëndësinë që, në rastet kur bëhet fjalë për krimin e gjenocidit, duhet të dëshmohet se qëllimi i krimit ka qenë shkatërrimi i grupit “si i tillë”. Në paragrafët 6 dhe 7 të nenit 17 të këtij kodi thuhet:
“Së pari, duhet të bëhet fjalë për qëllimin të shkatërrohet një grup, dhe jo thjesht një ose më shumë individë, që, rastësisht, kanë qëlluar të jenë pjesëtarë të një grupi të caktuar. Akti i dënueshëm duhet të jetë kryer për arsye të përkatësisë së viktimës të një grupi të caktuar dhe, rrjedhimisht, me synimin e përgjithshëm të shkatërrimit të grupit. Përkatësia e individit të një grupi të veçantë, e jo identiteti i tij personal, është kriteri vendimtar, që përcakton përzgjedhjen e viktimave të gjenocidit. Si cak final, vetë grupi është vënë në shënjestër dhe ai është përcaktuar të jetë viktimë e këtij lloji të veprimeve kriminale masive. Aksionet që bëhen kundër anëtarëve individualë të grupit, duhet të mundësojnë arritjen e qëllimit kryesor kriminal, që ka të bëjë me grupin.
Së dyti, qëllimi duhet të jetë shkatërrimi i grupit “si i tillë”, që do të thotë si entitet i ndarë dhe i veçantë, e jo thjesht disa individë që janë pjesë e këtij grupi. Sa i përket kësaj çështjeje, Asambleja e Përgjithshme në rezolutën 96 (I) bëri dallimin ndërmjet krimit të gjenocidit dhe krimit të homicidit, duke e përshkruar gjenocidin si “refuzim ndaj grupeve të tëra njerëzore i së drejtës për të ekzistuar” dhe homicidi si “refuzim ndaj një individi i së drejtës për ekzistencë”[7].
Qëndrimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe i Kodit të Krimeve kundër Paqes dhe Sigurisë së Njerëzimit na mundësojnë të kuptojmë gabimin e madh që ngërthen në vetvete përkthimi i përkufizimit, që ka hequr pikërisht termin ku duhet të përqendrohet argumentimi, se aktet gjenocidale të numëruara në tekstet themelore juridike të së drejtës penale ndërkombëtare janë kryer, me qëllim që të shkatërrohet një grup i veçantë kombëtar, etnik, racial apo fetar SI I TILLË!
Në shkrimet e autorëve shqiptarë, që trajtojnë gjenocidin që kanë kryer forcat e armatosura të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, shumë shpesh hasim shprehjen “e kanë vrarë vetëm pse ishte shqiptar”. Nga ajo që u citua më sipër, del se një qëndrim i tillë nuk është i mjaftueshëm: duhet të dëshmohet se, nëpërmjet vrasjeve të personave që përmenden në ato shkrime, qëllimi i Serbisë ishte shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesshëm i shqiptarëve si grup i veçantë kombëtar, etnik e fetar, i ndryshëm nga serbët, d.m.th shkatërrimi i grupit shqiptar SI I TILLË!
Përqendrimi i vëmendjes në qëllimin e krimit është thelbësor, sepse rreth këtij kriteri bëhet edhe cilësimi i krimeve në të drejtën penale ndërkombëtare. Sa për ilustrim po citojmë domosdoshmërinë, që të kemi parasysh dallimin ndërmjet qëllimit të veçantë që kërkohet për krimin e gjenocidit dhe qëllimit të veçantë që kërkohet për krimet kundër njerëzimit.
Në rastin e krimit të gjenocidit, “Dolus specialis / qëllimi i veçantë i akteve gjenocidale ndodhet në qëllimin për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë”[8]. Ndërkaq, në rastin e krimeve kundër njerëzimit, “Dolus specialis / qëllimi i veçantë për krimet kundër njerëzimit ndodhet në aktet e persekutimit, me qëllim që anëtarët e grupit të pësojnë diskriminim për arsye politike, raciale, kombëtare, etnike, kulturore, seksuale ose në raport me kritere të tjera universale, që janë të papranueshme me të drejtën ndërkombëtare”[9].
Pra, në dallim nga krimet kundër njerëzimit, ku grupi vihet në shënjestër për t’u persekutuar, në krimin e gjenocidit grupi vihet në shënjestër me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë!
E veçuam këtë aspekt, sepse shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare mendojnë se dallimi ndërmjet qëllimit gjenocidal për të shkatërruar grupin si të tillë dhe qëllimit për të persekutuar anëtarët e grupit, është thelbësor për çështjen e spastrimit etnik.
Çështjen e spastrimit etnik do ta trajtojmë si temë të veçantë[10]. Në këtë kontekst po theksojmë se, sipas interpretimit të këtyre gjyqtarëve, “as qëllimi politik që ta shndërrosh një zonë etnikisht homogjene dhe as operacionet që ndërmerren për ta zbatuar këtë politikë, si të tilla nuk mund të cilësohen me termin gjenocid; dëbimi ose zhvendosja e anëtarëve që i përkasin një grupi, qoftë edhe me forcë, nuk nënkupton në mënyrë të domosdoshme shkatërrimin e grupit në fjalë dhe se shkatërrimi i tillë nuk rrjedh në mënyrë automatike nga zhvendosja e detyrueshme. Duhet që, në mënyrë të qartë, të bëhet dallimi ndërmjet shkatërrimit fizik dhe shpërbërjes së një grupi. Dëbimi i një grupi ose i një pjese të tij nuk përbën vetvetiu një gjenocid. Një praktikë e tillë mund të përbëjë gjenocid, nëse shoqërohet me elemente të tjera objektive të gjenocidit, të parapara në nenin 6 të Statutit të Romës dhe Elementeve të Krimeve dhe në përputhje me qëllimin specifik, që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht si i tillë grupi që është vënë në shënjestër”[11].
Sqarimi i këtyre aspekteve është tepër i rëndësishëm, për arsye se në hapësirën tonë intelektuale mbretëron një qasje, e cila është në kundërshtim të plotë me terminologjinë e duhur të nocioneve juridike dhe, rrjedhimisht, si rezultat kanë pasur interpretimin jo të saktë të asaj që ka ndodhur në Kosovë.
Studiuesit shqiptarë që i preokupon ndriçimi i krimit të gjenocidit në Kosovë duhet ta kenë të qartë, se janë tërësisht të pasakta interpretimet, që gjoja “gjenocidi ndaj shqiptarëve ishte në funksion të spastrimit etnik”[12] apo “spastrimi me detyrim si kulmi i krimeve gjenocidale”[13]. Përkundër provave të shumta që sjellin shkrime të tilla lidhur me krimet që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve, të gjithë autorët që pretendojnë, se “qëllimi i Serbisë ishte spastrimi etnik” dhe se shqiptarët “vriteshin jo për pjesëmarrje në luftë të armatosur, por vetëm për faktin se ishin shqiptarë etnikë dhe si të tillë duhej të zhdukeshin, me qëllim spastrimin etnik të Kosovës”[14], duhet ta kenë të qartë se pohime të tilla i zhvendosin krimet serbe nga kategoria e krimit të gjenocidit në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit. Vetëm duke argumentuar me fakte të pakontestueshme, se qëllimi i Serbisë ka qenë shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesshëm i shqiptarëve si të tillë, ne mund të japim kontributin tonë për të ndriçuar gjenocidin që ka kryer ky shtet kundër shqiptarëve të Kosovës.
Le t’i kthehemi përkufizimit të gjenocidit nga juristët në Shqipëri. Nga hulumtimet kemi gjetur se edhe në veprën e Ismet Elezit[15] përdoret përkufizimi jo i saktë i gjenocidit[16]. Nga të gjitha shkrimet e autorëve të Shqipërisë që kam pasur mundësi t’i lexoj, vetëm Jola Xhafo e sjell përkufizimin e gjenocidit si krim, “ku përfshihet cilado nga veprat e mëposhtme, të kryera me qëllim për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar si të tillë…”[17]. Mirëpo në vijim të analizës së saj, kur flet për “vrasjen e anëtarëve të grupit”, si anë objektive e krimit të gjenocidit, kjo autore e heq termin “si i tillë”[18]. Të njëjtën gjë e bën edhe kur thekson se “të gjitha elementet që përbëjnë anën objektive të gjenocidit, ashtu siç është përshkruar në Konventë, nga pikëpamja subjektive duhet të kryhen me qëllim kriminal për të shkatërruar në tërësi apo në pjesë një grup kombëtar, etnik, racial apo fetar”[19] (mungon sërish shprehja “si i tillë”).
Po e përsërisim, shprehja “si i tillë”, që figuron në përkufizimin e gjenocidit në të drejtën penale ndërkombëtare, nuk është shprehje stilistike, të cilën mund ta përzgjedhë përkthyesi sipas dëshirës së vet, por është nocion juridik tepër i rëndësishëm për të përcaktuar qëllimin e veçantë të akteve gjenocidale. Prandaj do të ishte mirë që të rishikohej jo vetëm përkufizimi i gjenocidit në Kodin Penal të Shqipërisë, por edhe në veprat që shërbejnë si libra reference për juristët e ardhshëm.
-Vijon-
[1] Cour Pénal Internationale, dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, f. 49, § 129:
https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[2] Po aty, § 134, f. 50.
[3] Në nenin 30, Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare parasheh elementet psikologjike që ndërlidhen me krimin e gjenocidit. Më gjerësisht shih temën: Elementet materiale dhe aspekti psikologjik i kryerjes së krimit.
[4] Cour Pénal Internationale, dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, f. 52, § 139:
https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[5] E kanë vrarë veç pse është shqiptar!
[6] Cour Pénal Internationale, dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, f. 53, § 140:
https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[7] Nations Unies, Bureau des affaires juridiques, Projet de Code des crimes contre la paix et la sécurité de l’humanité, f. 47: https://legal.un.org/ilc/texts/instruments/french/commentaries/7_4_1996.pdf
[8] Cour Pénal Internationale, dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, f. 54, § 141:
https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[9] Po aty, f. 54, § 141.
[10] Faqja do të saktësohet në variantin e shtypur.
[11] Po aty, f. 55-56, § 144-145.
Dallimi me ngjyrë më të theksuar është yni.
[12] Limon Rushiti, Krimi-gjenocidi ndaj shqiptarëve më 1912-1915 në funksion të spastrimit etnik dhe vazhdimi i tij më 1918-1921, shkrim i botuar në veprën e cituar më lart të Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale…”, f. 87-96.
[13] Hakif Bajrami, Vrasjet masive dhe gjenocidi serb kundër shqiptarëve prej vitit 1877 deri në vitin 1999:
[14] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 377.
[15] Për kontributet e mëdha që ka dhënë në themelimin dhe zhvillimin e shkencave juridike, sidomos të së drejtës penale, Ismet Elezi ka reputacionin e “dojenit të drejtësisë” dhe “babait të kriminologjisë shqiptare”.
[16] Ismet Elezi, E drejta penale – (Pjesa e posaçme). Azhurnuar dhe e plotësuar me shtesat dhe ndryshimet e bëra me reformën ligjore të viteve 2003, 2004 e 2007, botimet “Erik”, Tiranë, 2007, f. 17-18.
[17] Jola Xhafo, E drejta penale ndërkombëtare, shtëpia botuese “GEER”, 2009, f. 52. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë jurist tjetër ka përkthyer saktësisht përkufizimin e gjenocidit dhe nuk e përmend në këtë studim. Nëse ka të tillë, ju lutem të më vini në dijeni.
[18] Po aty, f. 55.
[19] Po aty, f.56.