Rafis Aliti, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, në mbështetje të kërkesës për lulëkuqen simbol të gjenocidit në Kosovë

Rafis Aliti, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, i njohur gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni si “Komandant Mësuesi”, deputet i Kuvendit të Maqedonisë dhe nënkryetar i saj në disa legjislatura, i bashkohet mbështetjes plebishitare që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Në publikimin që ka bërë në rrjetin social ai shkruan:

MBËSHTETJE PLEBISHITARE PËR SIMBOLIN E GJENOCIDIT NË KOSOVË!

Krimi i gjenocidit që shteti serb zbatoi kundër shqiptarëve të Kosovës, dëshmitarë të së cilit ishim ne, është krimi më monstruoz i fundit të shekullit XX. Është për keqardhje që edhe pas një çerek shekulli nga koha e kryerjes së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve nuk kemi një simbol që do të pasqyronte këtë krim.

Rreshtohem në mbështetje të fushatës së inicuar nga z. Bardhyl Mahmuti dhe Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që ai drejton, për të përcaktuar lulëkuqen me katër petale si simbol unik të përkujtimit të viktimave të gjenocidit që shkaktoi Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Që nga data 16 nëntor 2022 kur u bë publike kjo iniciativë, mbështetja është rritur vazhdimisht. Pa dyshim që është një iniciativë e qëlluar për të memorizuar përjetë kujtimet e një epoke të errët, e një qëndrese heroike përballë një ideologjie të errët shoveniste pushtuese.

Urojmë që më 15 janar, në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, ky simbol të jetë simboli unik që përkujton viktimat e gjenocidit që shkaktoi Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon përzemërsisht atdhetarin Rafis Aliti dhe apelin e tij që në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Kosovë, lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i vetëm i këtij gjenocidi.

Share this post