Ratifikimi i Konventes mbi Gjenocidin nga ana e shteteve (7)

Në pjesën e sipërme të këtij studimi përmendëm ndikimin negativ të përkthimit jo të saktë të përkufizimit të gjenocidit në gjuhën shqipe. Përpara se ta shqyrtojmë hollësisht këtë aspekt, e shohim të udhës të përmendim disa ngjarje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kontekstin politik ndërkombëtar, që kushtëzoi, deri në një masë të madhe, dinamikën e zhvillimeve të kësaj konvente në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare.

Diskutimet rreth përmbajtjes së Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit nxorën në shesh ndikimin e madh të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në qëndrimet e delegacioneve të shteteve që udhëhiqeshin nga partitë komuniste. Mirëpo në vlugun e divergjencave lidhur me nocionet që duhej t’i hiqeshin apo t’i shtoheshin projekt-konventës, shpërtheu publikisht konflikti ndërmjet BRSS-së dhe shteteve që ishin nën ndikimin e plotë të Stalinit, nga njëra anë, dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, nga ana tjetër[1]. Më 28 qershor 1948, Byroja Informative e Partive Komuniste dhe e Partive të Punës[2] përjashtoi Jugosllavinë nga gjiri i kësaj organizate dhe akuzoi Partinë Komuniste Jugosllave se kishte rënë nën ndikimin e qarqeve nacionaliste.

Edhe pse motivet e këtij konflikti politik nuk kishin asgjë të përbashkët me debatet rreth përmbajtjes së Konventës mbi Gjenocidin, kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për temën që po trajtojmë, sepse në këtë periudhë ndërpriten marrëdhëniet dhe koordinimi i delegacionit jugosllav me atë sovjetik. Si rezultat i mungesës së koordinimit me BRSS-në, Jugosllavia nënshkroi Konventën mbi Gjenocidin më 11 dhjetor 1948, pra një ditë pasi ishte miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërkaq BRSS-ja e nënshkroi një vit më vonë, më 16 dhjetor 1949.

Në dallim nga të gjitha shtetet e tjera të “demokracive popullore” të udhëhequra nga partitë komuniste që shprehën rezervat e tyre ndaj disa neneve të kësaj konvente, më 21 qershor 1950, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Jugosllavisë aderoi në Konventën mbi Gjenocidin pa asnjë rezervë[3]. Këtij vendimi iu bashkëngjit teksti i plotë i konventës, i përkthyer në gjuhën serbo-kroate.

E theksojmë këtë fakt, për arsye të vetme se, siç do të shihet më poshtë, ky përkthim ka ndikuar kaq shumë te juristët shqiptarë të Kosovës, saqë as sot e kësaj dite nuk janë liruar nga terminologjia jo e saktë e tij.

Le t’u kthehemi zhvillimeve rreth konventës!

Divergjencat[4] që u shfaqën në sesionin e pestë të Asamblesë së Përgjithshme dhe në Komisionin e Gjashtë vazhduan edhe gjatë aderimit të shteteve në Konventën mbi gjenocidin dhe ratifikimin e saj. Një numër shtetesh shprehën rezervat e tyre për formën përfundimtare që kishte marrë konventa. Kjo çështje shtrëngoi Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që, nëpërmjet një rezolute[5] të veçantë, të kërkojë sqarime nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Problemi që shtrohej kishte të bënte me pyetjen: “A mund të konsiderohet pjesë e konventës shteti që ka shprehur rezervë lidhur me ndonjë nen të konventës, në rast se një apo më shumë shtete, që janë pjesë e konventës, nuk pajtohen me rezervat e shtetit në fjalë”[6].

Më 28 maj 1951 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin se, në rastet “kur një shtet ka shprehur dhe mban rezervë, për të cilën nuk pajtohet një ose më shumë shtete që janë pjesë e konventës, ndërsa pjesëtarë të tjerë të konventës nuk e kundërshtojnë një qëndrim të tillë, atëherë shteti në fjalë mund të konsiderohet si pjesë e konventës, nëse rezerva përputhet me substancën dhe qëllimin e konventës; në të kundërtën, nuk mund të konsiderohet pjesë e saj”[7].

Në këtë kontekst do të veçojmë qëndrimin e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Gjatë gjithë kohës sa ishte gjallë Stalini[8], BRSS-ja dhe shtetet që ishin nën ndikimin e tij nuk e ratifikuan këtë konventë. Pas zvarritjes pesëvjeçare dhe një vit pas vdekjes së Stalinit, më 3 maj 1954, BRSS-ja ratifikoi konventën, por me rezervat e mëposhtme:

“Për sa i përket nenit IX:

Bashkimi Sovjetik nuk konsiderohet i lidhur nga dispozitat e nenit IX, që parashikon se mosmarrëveshjet midis palëve kontraktuese në lidhje me interpretimin, aplikimin ose zbatimin e Konventës do t’i nënshtrohen shqyrtimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me kërkesën e njërës palë në mosmarrëveshje dhe deklaron se, për sa i përket kompetencës së Gjykatës mbi mosmarrëveshjet lidhur me interpretimin, aplikimin dhe zbatimin e Konventës, Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë të mbrojë pikëpamjen, sikurse e ka bërë deri më sot, se, në çdo rast të veçantë, pajtimi i të gjitha palëve në mosmarrëveshje është i nevojshëm për t’i dhënë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kompetencë që të gjykojë dhe të vendosë për mosmarrëveshjet.

Për sa i përket nenit XII:

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike deklaron se nuk pranon termat e nenit XII të Konventës dhe çmon se të gjitha klauzolat e kësaj konvente duhet të zbatohen në territoret jo autonome, duke përfshirë edhe vendet që janë nën tutelë”[9].

Ratifikimi i Konventës për Gjenocid nga ana e BRSS-ja u hapi rrugë edhe shteteve të tjera socialiste të bënin të njëjtën gjë. Me të njëjtin tekst[10], pa ndryshuar as edhe një fjalë të vetme, të njëjtat rezerva i bëri edhe Republika Socialiste Sovjetike e Bjellorusisë[11] (më 11 gusht 1954), Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës[12] (më 15 nëntor 1954), Republika Popullore e Bullgarisë[13] (më 12 korrik 1955) etj.

Republika Popullore e Shqipërisë[14] ratifikoi konventën më 12 maj 1955. Mirëpo përpara ratifikimit, më 9 nëntor 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi dekretin[15] mbi aderimin e Shqipërisë në këtë konventë. Në dekretin e miratuar, Shqipëria kopjoi në tërësi tekstin e rezervave që kishte pasur BRSS-ja lidhur me nenin IX dhe me nenin XII të konventës dhe u identifikua plotësisht me këto qëndrime. Për absurditetin e identifikimit të Shqipërisë me rezervat e lartpërmendura do të flasim në pjesën e dytë, kur do të shqyrtohen raste të gjenocidit[16]. Tani për tani po theksojmë se dekretit për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit iu bashkëngjit teksti i plotë i konventës, i përkthyer në gjuhën shqipe.

Në përkufizimin e krimit të gjenocidit në nenin II të tekstit të përkthyer në gjuhën shqipe thuhet: “Në këtë konventë për gjenocid kuptohet një nga veprimet e mëposhtme, i bërë me qëllim për të shkatruar, plotësisht ose pjesërishtë një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar… (dhe vijojnë pesë aktet gjenocidale)”[17].

Duke mos qenë pjesë e Konventës mbi Gjenocidin, Kodi Penal i Republikës Popullore të Shqipërisë i vitit 1952 nuk parashihte asnjë masë ligjore për këtë krim. Mirëpo pas aderimit dhe ratifikimit të konventës, u ndërmorën masat e nevojshme ligjore[18] për përfshirjen e krimit të gjenocidit në Kodin Penal. Në nenin 71 të Kodit Penal[19] të vitit 1959 u fut i njëjti përkthim i përkufizimit të gjenocidit.

Mirëpo një vendim politik, që në pamje të parë nuk ka asgjë të përbashkët me çështjen e përkufizimit të gjenocidit, pati ndikim edhe në qasjen e juristëve shqiptarë të Shqipërisë ndaj këtij përkufizimi. Bëhet fjalë për dekretin nr. 4337, i datës 13 nëntor 1967, nëpërmjet të cilit Presidiumi i Kuvendit Popullor shfuqizoi[20] të gjitha dekretet e mëparshme, që rregullonin funksionimin e bashkësive fetare.

Ndalimi i besimeve fetare dhe ambiciet politike të komunistëve shqiptarë për të ndërtuar shtetin e parë ateist në botë nënkuptonin shkatërrimin e grupeve fetare. Ky qëllim binte ndesh me angazhimet që kishte marrë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë për të parandaluar dhe dënuar krimin e gjenocidit. Në vend të respektimit të detyrimeve që dilnin nga ratifikimi i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Shqipëria Socialiste ndërmori masa të nevojshme për të qenë në përputhje me juridiksionin e brendshëm. Për këtë arsye, në nenin 55 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të miratuar më 15 qershor 1977, si gjenocid u përkufizuan “veprat e kryera me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik dhe racial”[21], duke e hequr grupin fetar nga grupet e mbrojtura me konventë!Mirëpo një dekadë e gjysmë më vonë ndodhi përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri. Këto ndryshime politike kushtëzuan rishikimin e Kodit Penal edhe në raport me përkufizimin e gjenocidit. Në nenin 73 të Kodit të ri Penal të Republikës së Shqipërisë, të miratuar më 27 janar 1995, gjenocidi përkufizohet si “Zbatimi i një plani të paramenduar, që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo fetar i drejtuar kundër anëtarëve të grupit dhe i shoqëruar me veprat që vijojnë…”[22]. Me një fjalë, juristët shqiptarë që punuan rreth Kodit të ri Penal të Shqipërisë u përpoqën ta përafronin përkufizimin e nocionit gjenocid me normat e së drejtës penale ndërkombëtare. Them të përafronin normat juridike me standardet ndërkombëtare, sepse që nga përkthimi i parë i tekstit të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, që u vu si shtojcë e Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për aderimin e Republikës Popullore të Shqipërisë në këtë konventë, e deri te Kodi Penal i Shqipërisë i vitit 1995, përkufizimin e krimit të gjenocidit e kanë shoqëruar pasaktësi të shumta.

Sa i përket përdorimit të termit “paramendim”, në përkufizimin e lartpërmendur, në pjesën e sipërme lexuesit patën mundësi të informoheshin me të dhëna të mjaftueshme lidhur me kontekstin dhe arsyet përse ky term nuk mbeti në variantin përfundimtar të konventës, edhe pse figuronte në projekt-konventë. Si rezultat i këtij procesi, termi “paramendim” nuk përmendet jo vetëm në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, por në asnjërin nga tekstet themelore juridike të së drejtës penale ndërkombëtare (Statutin e Romës dhe Elementet e Krimeve). Është e pakuptueshme përse juristët shqiptarë e përfshinë në Kodin e ri Penal një përkufizim të tillë, kur termi “paramendim” nuk figuron as në Kodin e Krimeve kundër Paqes dhe Sigurisë së Njerëzimit[23]!

Nëse krahasojmë tekstin në gjuhën shqipe me tekstin e Konventës në gjuhën angleze, atë frënge dhe italiane, si gjuhë zyrtare të dokumenteve të Kombeve të Bashkuara, menjëherë do të konstatohet se, përveç përfshirjes së termit “paramendim”, që nuk ekziston në përkufizimin e gjenocidit në të drejtën penale ndërkombëtare, në tekstin në gjuhën shqipe është hequr shprehja “si i tillë”[24]!

Shprehja “si i tillë”, që figuron në përkufizimin e gjenocidit në të drejtën penale ndërkombëtare nuk është shprehje stilistike, të cilën mund ta përzgjedhë përkthyesi sipas dëshirës së vet, por është nocion juridik tepër i rëndësishëm për të përcaktuar qëllimin e veçantë të akteve gjenocidale. Rrjedhimisht, heqja e togfjalëshit “si i tillë” dëmton thelbin e përkufizimit të gjenocidit.

-Vijon-


[1] Në vijim do të përmendet shkurtimisht vetëm emri “Jugosllavi”.

[2] Byroja Informative e Partive Komuniste dhe e Partive të Punës u themelua më 5 tetor 1947 dhe, në njëfarë mënyre, ishte organizata që zëvendësoi Internacionalen Komuniste. Kjo strukturë organizative u shpërbë më 17 prill 1956.

[3] Gazeta Zyrtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor të RFP-së së Jugosllavisë, Beograd, 15 korrik 1950:

 https://www.sistory.si/cdn/publikacije/40001-41000/40262/Sluzbeni_vijesnik_1950-07-15_02.pdf

[4] Për më shumë hollësi rreth këtyre divergjencave shih:

Cour International de Justice, Mémoires, Plaidoiries et Documents, Réserves à la Convention pour la Prévention et la Répression du Crime de Génocide, Avis consultatif, 28 maj 1951, (Materialet janë në gjuhën angleze dhe frënge): https://www.icj-cij.org/sites/default/files/case-related/12/11766.pdf

[5] Nations Unis, Assamblée Générale, Résolutions adoptées sur les rapports de la Sixième Commission, Résolution 478 (V). Réserves aux Conventions multilaterales. 16 novembre 1950: https://www.un.org/french/documents/ga/res/5/fres5.htm

Në faqen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është publikuar edhe letra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Trygve Lie, drejtuar kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

https://www.icj-cij.org/sites/default/files/case-related/12/10854.pdf

[6] Cour International de Justice, Réserves à la Convention pour la Prévention et la Répression du Crime de Génocide, Avis consultatif, 28 maj 1951, f. 16.

 https://www.icj-cij.org/sites/default/files/case-related/12/012-19510528-ADV-01-00-FR.pdf

[7] Po aty, f. 18-19.

[8] Jossif Visarionoviç Gjougashvilli, i njohur si Stalini, ishte diktator komunist që udhëhoqi Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike që nga vdekja e Vlladimir Iliq-Leninit, më 21 janar të vitit 1924, derisa vdiq, më 5 mars 1953.

[9] Recueil des Traités des Nations Unies, volum 190, f.381-382.

https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%20190/v190.pdf

[10] Në shtojcën 3 janë ratifikimet e konventës nga BRSS-ja, Bjellorusia, Ukraina, Bullgaria dhe Shqipëria.

[11] Recueil des Traités des Nations Unies, vëllimi 196, f.345-346.

https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%20196/v196.pdf

[12] Recueil des Traités des Nations Unies, vëllimi 201, f.368-369.

https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%20201/v201.pdf

[13] Recueil des Traités des Nations Unies, vëllimi 78, f.319.

https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%2078/v78.pdf

[14] Recueil des Traités des Nations Unies, vëllimi 210, f.332-333.

https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/Volume%20210/v210.pdf

[15] Gazeta Zyrtare, dekreti nr. 1962 mbi aderimin e Republikës Popullore të Shqipërisë në Konventën për Ndalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, f. 561.

https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2019/03/Konventa-me-Greqine-p%C3%ABr-Transferimin-e-te-denuarve_1993.pdf

[16] Numri i faqes do të publikohen në variantin e shtypur të librit.

[17] Gazeta Zyrtare, Dekreti nr. 1962, f. 562. Teksti përshkruhet nga origjinali, pa korrigjuar gabimet drejtshkrimore.

[18] Dekret nr. 2477 i datës 3 qershor 1957 dhe ligji nr. 2804 i datës 4 dhjetor 1958.

[19] Dekret nr. 2868, datë 16.3.1959, Mbi shpalljen e Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë:

https://www.academia.edu/28618922/DEKRET_2868_dt_16_03

[20] Mbi shfuqizimin e disa dekreteve, dekreti nr. 4337, datë 13.11.1967: http://licodu.cois.it/?p=291

[21] Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, datë 15 qershor 1977, neni 55.

https://fr.scribd.com/document/413563283/Kodi-Penal-15-6-1977-Albanian?fbclid=IwAR3YRTIp9Xl31gT6q68-196cVQmk2ZCVC-HTcTwdnDg3wh9SLLZfxD6GKbM

[22] Kodit Penal i Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin 7895, më datë 27/01/1995:

https://www.idp.al/wp-content/uploads/2020/11/Ligj_nr_7895_Kodi_penal_i_ndryshuar_2020.pdf

[23] Rikujtojmë se ky kod u miratua nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare, që është organ i OKB-së, i ngarkuar për kodifikimin dhe zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.

[24] Shih përkufizimin e lartpërmendur në nenin II të Konventës për Gjenocid, në fillim të kësaj teme.

Share this post