Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Fatkeqësisht, përveç Kuvendit të Kosovës që ka përkufizuar në mënyrë të qartë natyrën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri në ditën e sotme asnjë vend tjetër nuk e ka emërtuar qartë dhe pa ambiguitet faktin se shteti serb ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Dihet se faktet nuk flasin vet, prandaj është në përgjegjësinë e intelektualëve të fushave të ndryshme që t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës.

Në funksion të këtij qëllimi, më 30 qershor 2019, në Bernë të Zvicrës u themelua  “Qendra GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR”.

Qendra ka për qëllim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe të këmbëngul në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë.

Qendra ka logon e vet domethënëse në formë të lulëkuqes me katër petale, të cilat paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në logon tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra mijëra objekte të shkatërruara gjatë politikës gjenocidare të Serbisë në Kosovë.

Nismëtarët e themelimit të kësaj qendre vendosën t’ia besojnë udhëheqjen e saj politologut Bardhyl Mahmuti, ndërsa Adnan Asllani u caktua si zëvendës i tij.

Ftojmë të gjithë ata të cilët janë të interesuar që vullnetarisht të ndihmojnë për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë, kudo qofshin në botë, t’i bashkëngjiten qendrës “GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR” dhe të japin kontributin e tyre për ta bërë të njohur në çdo cep të globit tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës.