Lamtumirë akademik Rexhep Qosja!
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.
Në emër të qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe gjithë ata që ndien dhembje për këtë humbje të madhe.
Rexhep Qosja ishte një ndër figurat më të mëdha të mendimit shqiptar, një intelektual i shquar, studiues i palodhur, shkrimtar, kritik letrar dhe zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare. Me veprën, guximin intelektual dhe përkushtimin ndaj së vërtetës, ai la gjurmë të pashlyeshme në kulturën, historinë dhe jetën publike shqiptare.
Për Qendrën tonë, kujtimi për akademik Rexhep Qosjen mbetet i veçantë dhe i paharrueshëm, sepse ai ishte një mbështetës i çmuar i veprimtarisë së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe i përpjekjeve tona për ngadhënjimin e drejtësisë për gjenocidin që shteti serb ka kryer kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në vitin 2022, kur Qendra jonë kërkoi që lulëkuqja me katër petale të bëhej simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë, akademik Qosja ishte ndër personalitetet e para që e mbështeti këtë kërkesë. Mbështetja e tij ishte e rëndësishme për ne dhe për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Qoftë i paharruar kujtimi për akademik Rexhep Qosjen!
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
