“Etničko čišćenje” serbe – Kornizë programore gjenocidale 

Deklarata e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq (Snežana Paunović) se nëse do të kishte qenë në vend të Millosheviqit, në vitin 1998 do realizonte ‘“etničko čišćenje”n e Kosovës, shpërfaq edhe njëherë qëllimin gjenocidal të politikës serbe. 

Kjo deklaratë ngjalli një shqetësim të madh të të gjithë shqiptarëve, sepse ajo edhe njëherë preku plagën tonë të hapur.  

Kjo deklaratë nuk shpërfaq vetëm synimin për të dëbuar shqiptarët nga Kosova, siç nënkupton nocioni “spastrimin etnik” i përkthyer fjalë për fjalë në mediat tona, por  çështja është më e thellë. 

Nocioni “spastrimi etnik” dallon nga “etničko čišćenje” sepse “etničko čišćenje” (etniçko çishqenje) serbe nuk ka të bëjë me dëbimin e popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, por bëhet fjalë për një kornizë programore gjenocidale në kuadër të së cilës përdoren “masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe mjete të tjera me qëllim të shkatërrimit të Myslimanëve,  kroatëve dhe shqiptarëve si të tillë dhe realizimin e “higjienës etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe”. 

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” përshëndet vendimin e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që ta shpallë person non grata , Snezhana Paunoviqin dhe e konsideron si vendim tërësisht të drejtë kundër të gjithë atyre që jo vetëm mohojnë gjenocidin që kanë kryer forcat serbe në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, por me interpretimet e tyre të së kaluarës përpiqen të nxisin kthimin e kriminelëve në vendin e krimit. 

Të gjithë të interesuarve për dallimin e nocionit “spastrimi etnik” nga ai i “etničko čišćenje”-s, ju ftojmë të lexoni pjesën e librit në dorëshkrim: “Krimi i gjenocidit-Aspekte teorike dhe studime rasti” të autorit Bardhyl Mahmuti. 

Gjenevë, 15 korrik 2026 

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” 

 

*** 

 

Zhvendosja e dhunshme e popullsisë, spastrimi etnik dhe veçoritë e “etničko čišćenje”-s serbe  

 Në shkrime të mëparshme kemi nxjerrë në pah pazarllëqet që kishin bërë pushtetarët serbë me prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për të fshehur qëllimin e Serbisë për shkatërrimin fizik, të tërësishëm ose të pjesshëm, të shqiptarëve si të tillë, që përbën qëllimin specifik të krimit të gjenocidit, dhe prezantimin e qëllimit të krimeve serbe si krime kundër njerëzimit, që gjoja kanë synuar zhvendosjen e dhunshme të popullsisë dhe spastrimin etnik të Kosovës.  

Në këtë kontekst e shohim të domosdoshme të sqarojmë lexuesit, se çështja e dëbimit të popullsisë, deportimeve të dhunshme dhe spastrimit etnik u shtrua për diskutim edhe gjatë debateve për nenin II të variantit të dytë të projekt-konventës (E/794). Në atë kohë Siria dorëzoi amendamentet A/C.6/234, nëpërmjet së cilave kërkonte që të përfshiheshin si akte gjenocidale edhe “masat që detyrojnë anëtarët e grupit të braktisin vatrat e tyre, sepse, në raste të tilla kemi të bëjmë me krim shumë më të rëndë sesa keqtrajtimet” . Amendamentet e Sirisë u shqyrtuan në seancën e tetëdhjetë e dytë, të mbajtur më 23 tetor 1948 dhe nuk gjetën mbështetjen e nevojshme. “Me 29 vota kundër, me 5 vota për dhe me 8 abstenime, amendamentet e Sirisë u hodhën poshtë” . Për këtë arsye kjo kategori krimesh nuk bën pjesë në listën e pesë akteve gjenocidale që numërohen në variantin final të Konventës së gjenocidit.  

Fillimisht zhvendosja dhe transferimi i dhunshëm i njerëzve u përfshinë te krimet kundër njerëzimit dhe te krimet e luftës. Kështu, në nenin 7, paragrafi 1(d) dhe në paragrafin 2(d) të Statutit të Romës lidhur me krimet kundër njerëzimit, “me zhvendosje ose transferim të detyrueshëm të popullsisë nënkuptohet fakti i zhvendosjes me forcë të personave nga një rajon ku jetonin në mënyrë të ligjshme, nëpërmjet dëbimit ose akteve të tjera detyruese, pa arsyet e lejuara nga e drejta ndërkombëtare” . Sa u përket këtyre paragrafëve, tek Elementet e Krimeve saktësohet: “Termi ‘ka bartur nga një vend në vendin tjetër (deportuar) ose transferuar me forcë’ është i barasvlershëm me termin ‘ka zhvendosur me forcë’”, ndërkaq “termi ‘me forcë’ nuk kufizohet me dhunë fizike, por mund të përfshijë kërcënimin me forcë ose detyrimin prej frikës së dhunës, burgimit, ndalimit, presionit psikologjik ose shpërdorimit të pushtetit ndaj këtij personi ose këtyre personave apo një personi tjetër, ose duke përfituar nga mjedisi detyrues” . 

Edhe në listën e krimeve të luftës përfshihet “transferimi i drejtpërdrejt ose i tërthorë nga ana e forcave pushtuese të një pjese të popullsisë civile të territorit të pushtuar, ose dëbimi apo transferimi i tërë popullsisë ose të një pjese të saj brenda ose jashtë territorit të pushtuar” .  

Shpërthimi i luftës gjatë shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë dhe pasojat e kësaj lufte vunë në sprovë institucionet ndërkombëtare. Në këtë kontekst do të veçojmë qëndrimet e tyre ndaj pasojave që shkaktoi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe përpjekjet e raportuesit special të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Jugosllavinë, Tadeusz Mazowiecki , për të shpjeguar qëllimin e këtyre konflikteve.  

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në seancën 3106 të datës 13 gusht 1992 miratoi Rezolutën 771, nëpërmjet së cilës “dënoi ashpër të gjitha shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë edhe atë që përmban praktika e ‘spastrimit etnik’” . Ndërkaq, raportuesi special i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Jugosllavinë, Tadeusz Mazowiecki, në raportin e dytë të datës 27 tetor 1992 tërhoqi vëmendjen “për shkeljet e rënda dhe masive të të drejtave të njeriut në territorin e ish-Jugosllavisë. Konflikti  ushtarak në Bosnje e Hercegovinë, që synon realizimin e ‘spastrimit etnik’ mbetet çështje që kërkon trajtim skajshmërish urgjent” . Mirëpo përveç shqetësimeve që shprehte në këtë raport, Mazowiecki u përpoq të shpjegonte qëllimin e këtyre konflikteve: “Raportuesi special, si dhe vëzhgues të tjerë, mendojnë se qëllimi kryesor i konfliktit ushtarak në Bosnje e Hercegovinë është krijimi i regjioneve etnikisht homogjene. Spastrimi etnik nuk është pasojë e luftës, por qëllimi i saj! Masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe kërcënimet synojnë realizimin e këtij qëllimi, i cili pjesërisht është arritur” .  

Qëndrimet e Tadeusz Mazowiecki-t ishin qëndrime të një gazetari dhe politikani e jo të një juristi. Duke përcaktuar “spastrimin etnik” si qëllim të luftërave serbe, në vend të sqarimit, kjo qasje ngatërron qëllimin e vërtetë të “etničko čišćenje”-s serbe dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, zhvendos krimet serbe nga kategoria e gjenocidit në krime kundër njerëzimit. Siç do të shohim më poshtë, “etničko čišćenje” (etniçko çishqenje) serbe nuk ka të bëjë me dëbimin e popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, por bëhet fjalë për një kornizë programore gjenocidale në kuadër të së cilës përdoren “masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe mjete të tjera me qëllim të shkatërrimit të Myslimanëve,  kroatëve dhe shqiptarëve si të tillë dhe realizimin e “higjienës etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe”. Prandaj Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cilësoi si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik që zbatonin serbët’” . Në të njëjtin vlerësim erdhi edhe Konferenca Botërore e të Drejtave të Njeriut, e organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë nga 14-25 qershor 1993: “Praktika e spastrimit etnik e agresionit serb përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit” .  

 Pa e kuptuar përmbajtjen reale të “etničko čišćenje”-s serbe, një numër juristësh dhe historianësh ndërkombëtarë kanë interpretuar aktet kriminale të forcave serbe si akte, që kinse kishin për qëllim dëbimin e popullsisë nga një territor i caktuar, e jo shkatërrimin e një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë. Në mbështetje të kësaj qasjeje ata përmendin faktin, se dëbimi i popullsisë nuk kishte hyrë si akt gjenocidal në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Qëndrimet e juristëve dhe historianëve ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje ndikuan tek autoritetet e Serbisë, që ta orientojnë propagandën e tyre drejt fshehjes së qëllimit të vërtetë të akteve gjenocidale dhe t’i ambalazhojnë si pjesë të projektit, që gjoja kishte për qëllim krijimin e një shteti etnikisht homogjen të serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Bosnjës në baza etnike. 

Mungesa e përfshirjes së dëbimit të dhunshëm të popullsisë në Konventën mbi Gjenocidin pati ndikimin e vet edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me padinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi, ku saktësohet:  

“Zbatimi i masave që detyrojnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre për t’iu shmangur kërcënimit të keqtrajtimit të mëvonshëm, nuk bën pjesë në përkufizimin e gjenocidit siç është bërë me Konventën e vitit 1948 dhe nuk përbën formë të gjenocidit në përputhje me këtë Konventë, pos nëse ato masa përkojnë me njërën nga kategoritë e përcaktuar në nenin II të Konventës mbi Gjenocidin ose që lidhet me ndonjërën nga kategoritë e saj.  

As qëllimi i shprehur nëpërmjet një politike që synon ta bëjë një zonë ‘etnikisht homogjene’, dhe as operacionet që zbatohen për të realizuar një politikë të tillë, nuk munden, si të tilla, të kualifikohen me termin ‘gjenocid’: qëllimi që e karakterizon gjenocidin synon të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një nga grupet e mbrojtura me konventë. Zhvendosja e anëtarëve të një grupi të veçantë, qoftë edhe me forcë, nuk do të thotë me automatizëm që ky veprim e shkatërron grupin si të tillë dhe një shkatërrim i tillë nuk pasqyrohet në mënyrë automatike nga një zhvendosje e dhunshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë se aktet që përfshihen në ‘spastrimin etnik’ nuk mund të kualifikohen si akte gjenocidi. Këto akte mund të kualifikohen si gjenocid, nëse qëllimisht e vënë grupin e caktuar në kushte të tilla jetese që mund të shkaktojë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit që është në kundërshtim me nenin II të Konventës, por me kusht që qëllimi i këtyre akteve të jetë shkatërrimi i grupit e jo dëbimi i tij. Vetëm dëbimi i një grupi ose i një pjese të tij nuk është kriter i vetëm për t’u kualifikuar si gjenocid. Me fjalë të tjera, që të dihet nëse një operacion i veçantë i paraqitur si operacion që ka të bëjë me ‘spastrimin etnik’ është apo nuk është gjenocid varet nga ekzistenca apo mosekzistenca e akteve materiale të numëruara në nenin II të konventës, që janë me qëllim të shkatërrimit të grupit si të tillë” .  

Të njëjtin qëndrim mban edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në procesin gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit:  

“Të gjitha ligjërimet që arsyetojnë qëllim e krijimit të shtetit etnikisht homogjen të serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Bosnjës në baza etnike nuk dëshmojnë se konkluzion i vetëm i arsyeshëm që do të mund të nxirrej ishte se për të realizuar një synim të tillë, udhëheqja e serbëve të Bosnjës ka pasur për qëllim shkatërrimin e Muslimanëve  të Bosnjës ose/dhe kroatëve të Bosnjës” .  

Edhe në paragrafin 2625 trupi gjykues i rikthehet të njëjtës çështje dhe thekson: “Trupi gjykues rikujton se qëllimi ka qenë krijimi i shtetit serb etnikisht i pastër, si dhe ndërlidhja e regjioneve serbe, që do të kërkonte një shpërndarje të re të popullsisë dhe jo shkatërrim fizik të banorëve. Serbët e Bosnjës promovuan idenë se ata nuk mund të jetonin me askënd tjetër, prandaj Bosnja dhe Hercegovina duhej të ndaheshin në baza kombëtare. Rezultatet në terren ishin në përputhje me këtë qëllim… Duke i shikuar në këtë kontekst, trupi gjykues nuk u bind përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i vetmi konkluzion që do të mund të nxirrej nga përshkrimi i krimeve të lartpërmendura është se ka ekzistuar qëllimi për të shkatërruar pjesërisht grupin e Muslimanëve të Bosnjës dhe të Kroatëve të Bosnjës si të tillë, në komunat e përmendura në pikën 1 të aktakuzës” . 

Nga ajo që u tha më sipër del qartë se interpretimet, të cilat “gjenocidin ndaj shqiptarëve e shohin në funksion të spastrimit etnik”  apo “spastrimi me detyrim si kulmi i krimeve gjenocidale” , të kryer “me QËLLIM spastrimin etnik të Kosovës”  janë të pasakta, sepse përcaktojnë si qëllim të krimeve serbe diçka tjetër nga ajo që ka ndodhur realisht. Ngatërrimi i qëllimit të akteve kriminale jo vetëm që nuk është “serioz, shkencor, profesional” , por tërësisht i gabuar dhe, si i tillë, i bën dëm të rëndë Republikës së Kosovës, sepse u jepen “prova” negacionistëve t’i zhvendosin krimet serbe ndaj shqiptarëve në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit dhe, në këtë mënyrë, Serbia shfajësohet për krimin e gjenocidit! 

Me një fjalë, përdorimi i termave “deportime të dhunëshme” dhe “spastrimi etnik” nuk është “gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”, për arsye se kemi të bëjmë me terminologji të përbashkët për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Fatkeqësisht, këto nocione përdoren si instrumente manipulimi nga negacionistët për të mohuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.  

Sipas jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, “Praktika e spastrimit etnik mund të përbëjë gjenocid nëse shoqërohet me elementet e tjera objektive të gjenocidit, të parapara në nenin 6 të Statutit të Romës dhe Elementeve të Krimeve dhe në përputhje me qëllimin specifik që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë, grupi që është vënë në shënjestër” .   

Kur kemi të bëjmë me qëllimin specifik që i karakterizon aktet gjenocidale, rikujtojmë se, në mungesë të programeve apo deklaratave që do të na mundësonin të vërtetonim qëllimin gjenocidal të krimeve të caktuara, vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandënnë procesin kundër Jean-Paul-Akayesu, sqaron se ky qëllim mund të nxirret “nga konteksti i përgjithshëm i kryerjes së akteve të dënueshme, të drejtuara në mënyrë sistematike kundër të njëjtit grup, të kryera qoftë nga i njëjti person ose nga persona të tjerë. Faktorë të tjerë, si shkalla e armiqësive të kryera, karakteri i tyre i përgjithshëm në një rajon ose vend, apo fakti i përzgjedhjes së qëllimshme dhe sistematike i viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre të një grupi të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera, i mundësojnë Dhomës që të nxjerrë qëllimin për gjenocid” .  

Për të shmangur pandëshkueshmërinë për krimet më të rënda të së drejtës humanitare, një numër shtetesh anëtare të OKB-së ndërmorën nismën për themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në Konferencën Diplomatike të të Plotfuqishmëve të Kombeve të Bashkuara për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të mbajtur nga 15-17 korrik 1998, u miratua Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Kjo ngjarje shënon momentin më të rëndësishëm në formësimin e së drejtës penale ndërkombëtare. Në funksion të saktësimit të përkufizimeve të krimeve ndërkombëtare dhe plotësimit të zbrazëtirave normative, Kombet e Bashkuara krijuan Komision Përgatitor, që do të hartonte edhe dy dokumente themelore të së drejtës penale ndërkombëtare: Elementet e Krimeve dhe Rregulloren e Procedurave dhe Dëshmive. Varianti i parë i Elementeve të Krimeve u finalizua në fund të vitit 1999, ndërkaq varianti i dytë në nëntor të vitit 2000 . Mirëpo, siç e kemi përmendur më lart, dokumenti përfundimtar u miratua në Konferencën për rishikimin e Statutit të Romës, të mbajtur më 31 maj-11 qershor 2010 në kryeqytetin e Ugandës, në Kampala.  

Në nenin 6(c) të Elementeve të Krimeve , që i kushtohet gjenocidit nëpërmjet imponimit të qëllimshëm të kushteve të jetesës, që mund të shkaktojnë shkatërrim të tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi të mbrojtur me konventë, sqarohet: 

  1. Autori i krimit detyroi një ose më shumë persona t’u nënshtrohen kushteve të caktuara të jetesës. 
  2. Ky person ose këta persona i përkisnin një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose  fetar. 
  3. Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë.
  4. Kushtet e jetës duhej të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të këtij grupi. 
  5. Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë” .

 

Me qëllim që të hiqen dilemat se çfarë nënkuptohet me kushte jetese, që mund të shkaktojnë shkatërrim të tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi, në fusnotën 4 të këtij neni saktësohet:  

“Termi ‘kushtet e jetës’ mund të përfshijë, por nuk kufizohet domosdoshmërish, me privimin e qëllimshëm të burimeve të domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi ose shërbimet mjekësore, apo dëbimin sistematik nga shtëpitë” .  

Megjithatë, përkundër asaj që, sipas jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, “praktika e spastrimit etnik mund të përbëjë gjenocid nëse shoqërohet me elementet e tjera objektive të gjenocidit të parapara në nenin 6 të Statutit të Romës dhe të Elementeve të Krimeve dhe në përputhje me qëllimin specifik që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë, grupi që është vënë në shënjestër”  dhe përfshirjes tek Elementet e Krimeve të dëbimit sistematik nga shtëpitë si akt gjenocidal, negacionistët e gjenocidit në Kosovë vazhdojnë t’i interpretojnë krimet e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve si krime që gjoja kishin për qëllim dëbimin e shqiptarëve, e jo shkatërrimin e tyre fizik, të tërësishëm ose të pjesshëm. Kështu William A. Schabas mbron tezën se, “në njëfarë kuptimi, gjenocidi dhe spastrimi etnik mund të kenë të njëjtin cak, që është të eliminojë grupin e persekutuar nga një zonë e caktuar, edhe pse spastrimi etnik toleron ekzistencën e grupit gjetiu, ndërsa gjenocidi nuk e lejon një gjë të tillë. Hitleri kishte ambicie modeste të eliminonte të gjithë çifutët e Europës, por në rast se do të kishte pasur mundësinë, do ta shtrinte fushatën e tij vrastare në tërë botën. Sa i përket Millosheviqit, ai dëshironte t’i dëbonte Myslimanët e Kosovës, edhe pse nuk dukej i shqetësuar nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Maqedoni apo në Shqipëri, për shembull. A nuk ka një dallim domethënës këtu? Edhe pse aktet materiale të realizuara gjatë kryerjes së krimeve mund shpesh t’i ngjajnë njëri-tjetrit, ata ndjekin dy qëllime specifike shumë të ndryshme!!! Njëri synon zhvendosjen e popullsisë, tjetri shkatërrimin e saj! Çështja qëndron te qëllimi dhe logjikisht është e pakapshme që dy agjenda të ekzistojnë në të njëjtën kohë” .  

Jo, William A. Schabas nuk ka të drejtë kur pretendon se “ka një dallim domethënës ndërmjet ambicieve të Hitlerit dhe dëshirave të Millosheviqit”. Sa i përket qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racial ose fetar si të tillë, që përbën thelbin e gjenocidit, nuk ka asnjë dallim ndërmjet gjenocidit që zbatoi regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit që zbatoi regjimi i Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit.  

Nëse kemi parasysh të gjitha aktet gjenocidale (vrasjet, dhunën seksuale, dëbimet sistematike nga shtëpitë, shkatërrimin e pronës private dhe të objekteve që lidhen me identitetit kulturor dhe historik të shqiptarëve), atëherë pa asnjë ngurrim mund të pohojmë se mbi 90% e shqiptarëve të Kosovës kanë përjetuar, së paku, njërin nga aktet gjenocidale. Në qoftë se përmasat e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë janë pakrahasimisht më të vogla me përmasat e vrasjeve të hebrenjve, madje edhe në krahasim me përmasat e vrasjeve në Bosnjë, ky realitet është si rezultat i “ndërgjegjësimit” të udhëheqësve të shtetit serb, se pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, përgjegjësia për krimet e kryera ishte e pashmangshme. “Ndërgjegjësimi” i pushtetarëve të Beogradit se nuk mund t’i shpëtonin ndëshkimit, i shtrëngoi që të ndërmerrnin operacione për fshehjen e gjurmëve të krimeve dhe mohimin e qëllimit të pushtetit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë. I vetmi “dallim domethënës” qëndron ndërmjet realitetit dhe interpretimit të tij nga negacionistët!  

Të quash “modeste ambiciet e Hitlerit për eliminimin e çifutëve të Europës, në pamundësi që të shtrinte fushatën e tij vrastare në tërë botën”, është banalizim i skajshëm i tragjedisë që kanë përjetuar hebrenjtë, siç është banalizim neveritës interpretimi që u bën William A. Schabas dëshirave të Millosheviqit për t’i dëbuar, jo shqiptarët, por Myslimanët e Kosovës (!), të cilit “Sllobodan Millosheviqi nuk i është dukur i shqetësuar nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Maqedoni apo në Shqipëri”! 

Për ta bërë sa më të besueshëm qëndrimin e tij, William A. Schabas sajoi si “kriter dallimi” ndërmjet spastrimit etnik dhe gjenocidit, qëndrimin ndaj pranisë ose mospranisë së grupit që është vënë në shënjestër për t’u eliminuar nga një zonë e caktuar: “spastrimi etnik toleron ekzistencën e grupit gjetiu, ndërsa gjenocidi nuk e lejon një gjë të tillë”!  

Një kriter i tillë dallues jo vetëm që nuk ekziston në asnjë tekst themelor të së drejtës penale ndërkombëtare, por kjo sajesë është në kundërshtim të plotë me normat e përcaktuara në dokumentet themelore të saj. Në tekstin Elementet e Krimeve, që aq shpesh i referohet në librin e tij William A. Schabas, saktësohet se kemi gjenocid nëpërmjet vrasjes kur:  

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona.
  2. Ky person ose këta persona i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
  3. Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik,  racial ose fetar, si të tillë. 

Sajesa se gjoja gjenocidi nuk lejon në një zonë të caktuar praninë e pjesëtarëve të grupit që është vënë në shënjestër, mohon nga përkufizimi i gjenocidit aktet që kanë për qëllim shkatërrimin e pjesshëm, të një ose të më shumë personave, që i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar dhe, rrjedhimisht, është në kundërshtim të plotë me përkufizimin juridik të gjenocidit. 

Kriteri i lartpërmendur që zbaton William A. Schabas hyn në funksion të arsyetimit të dallimeve që ky autor sheh ndërmjet akteve kriminale të Hitlerit dhe të Millosheviqit. Sa i përket krahasimit të këtyre dy kriminelëve, do të citojmë gazetarin e njohur serb, MiroslavFilipoviq: 

“Në mediet e vendeve demokratike shumë shpesh Millosheviqin e kishin quajtur ‘Kasap të Ballkanit’ dhe e kishin krahasuar me Hitlerin. Ky krahasim nuk më duket i saktë! Gjermania para Luftës së Dytë Botërore nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve ‘90. Kur Hitleri filloi të çartej dhe t’i ngjante një kafshe të tërbuar, atë e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh eminentë të popullit gjerman. Edhe pse gjatë periudhës së sundimit të Millosheviqit, vendin tonë e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që, me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë nga dora serbe e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë në Kosovë, do të thotë të kërkohet prej tyre që ta pranojnë pjesën e fajësisë së tyre (…)” . 

Share this post