“Revolta e Syzifit” – Zë i fuqishëm kundër harresës!
Isha në dijeni se im bir Skenderi u angazhua me tërë qenien e vet që të jepte kontributin e tij në restaurimin e fotove të dëmtuara nga lufta për t’u dhënë lexuesve të romanit “Revolta e Syzifit” të autorit Bardhyl Mahmuti, mundësinë të shohin fytyrat engjëllore të fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave të vrarë dhe të djegur mizorisht në shtëpinë e Sinan Muqollit në Poklek të Vjetër. Dhe mezi prisja ta merrja në dorë kopjen fizike të librit që doli në dritë më 17 prill 2026, në përkujtimin e 27-vjetorit të këtij akti gjenocidal.
Megjithëse në moshën 92-vjeçare dhe vështirësive të mbaj për një kohë të gjatë vëmendjen e përqendruar, jam i shtrënguar të them se rrëfimi i kësaj ngjarjeje nëpërmjet gojës së Fadil Muqollit (Syzifit shqiptar) më gozhdoi në vend dhe nuk më lëshoi derisa i dola në fund.
Është një roman dokumentar me plot e përplot fakte bindëse për tragjedinë që kemi përjetuar si komb dhe domosdoshmërinë që të MOS HARROJMË KURRË mizoritë që i kemi përjetuar si shqiptarë nga forcat e armatosura serbe.
Kam bindjen se çdo lexues i këtij romani do ta skalitë në kujtesën e vet shtëpinë-kremator të Poklekut të Vjetër ku u vranë dhe u dogjën 53 shqiptarë: Lirija gjashtëmuajshe, Qëndrimi 1 vjeç, Kushtrimi 2 vjeç, Fatosi 2 vjeç, Florentina 3 vjeçe, Eronita 4 vjeçe, Egzoni 4 vjeç, Vahidja 4 vjeçe, Mërgimi 5 vjeç, Albulena 6 vjeçe, Mirsadi 7 vjeç, Agroni 10 vjeç, Ylberi 10 vjeç, Hafija 10 vjeçe, Nderimi 11 vjeç, Mendohija 12 vjeçe, Hasani 12 vjeç, Besarti 13 vjeç, Rexhepi 13 vjeç, Abdullahu 13 vjeç, Naseri 13 vjeç, Shehidja 14 vjeçe, Kujtimi 16 vjeç, Fatmirja 18 vjeçe, Sherifja 18 vjeçe, Kimetja 18 vjeçe, Mirani 21 vjeç, Elifja 21 vjeçe, Vezirja 22 vjeçe, Arifja 22 vjeçe, Lindita 22 vjeçe, Naimja 23 vjeçe e deri te Mehreme Tahiri-Muqolli 58 vjeçe.
Krahas kësaj tragjedia të rëndë familjare, lexuesi do të njihet edhe me vrasjet e tjera në Poklek të Vjetër (Mirvete Muqollit 28 vjeçare, Ana Maria Angjelak, 53 vjeçe, Sala Krasniqi-Muqolli, 58 vjeçe, Naile Grajçevci-Elshani 75 vjeçe dhe Halil Kluna 77 vjeç; do të njihet me vrasjet në Abri të Epërme, në Reçak, në Izbicë, Qirez dhe aktet e shumta gjenocidale anekënd Kosovës.
Ftoj miqtë dhe dashamirët e librit që këtë libër ta lexojnë me përkushtim dhe ta shpërndajnë sa më shumë, sepse është mënyra më e mirë që të ruajmë në kujtesën tonë kolektive atë që nuk duhet ta harrojmë!
Me respekt
Fitim Fitimi
Fitim Fitimi (Nysret Islam Hajdari) u lind më 10.01.1935 në fshatin Tërpezë të komunës së Vitisë.
Nga viti 1969 e deri në fund të vitit 1985, Fitim Fitimi, si edhe shumë shqiptarë të tjerë, ka bërë jetën e kurbetçarit në Gjermani. Ka qenë bashkëveprimtar i Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit, Faton Topallit etj.
Në janar të vitit 1986, i akuzuar për veprimtari politike antijugosllave gjatë kohës sa kishte qenë në Gjermani, Fitim Fitimi arrestohet së bashku me djalin, Skënderin, në Prishtinë dhe dënohet me katër vite burg, kurse djali i tij, Skënderi, me tre vite burg. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Nysret Hajdari, bashkë me Skënderin, e vazhdojnë më tej veprimtarinë e tyre të fshehtë për Kosovën Republikë.
Për shkak të përndjekjes nga pushtuesi, në vjeshtën e vitit 1994, bashkë me Skënderin, emigrojnë në Zvicër.
Gjatë viteve 1998/1999 të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Fitim Fitimi ka dhënë kontribut të veçantë për mbledhjen e ndihmave financiare në kuadër të fondit “Vendlindja Thërret”, fond ky i dedikuar për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fitim Fitimi është edhe autor i librit me dy vëllime “Kujtime të ndritura në kohë të errëta”, në të cilin ka përmbledhur kujtime nga jeta, veprimtaria dhe përjetimet e tij në periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.





