Deklaratë me rastin e ndezjes së qirinjve në Prishtinë

Deklaratë në emër të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” të cilën e paraqiti Zëvendëskryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” z. Adnan Asllani, me rastin e ndezjes së qirinjve në sheshin “Skenderbej” në Prishtinë më 15 janar 2022, në kujtim të viktimave të Gjenocidit në Kosovë.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot sheshi “Skënderbej” i Prishtinës u ndriçua nga qirinj, të cilët u ndezën në shenjë kujtimi e nderimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Duhet të kujtojmë këtu, se gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, forcat serbe, gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit, kanë vrarë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë; kanë dëbuar dhunshëm shumicën e popullsisë shqiptare të Kosovës duke u shkatërruar atyre dokumentet e identifikimit; kanë dhunuar mbi njëzet mijë gra shqiptare dhe kanë rrënuar fshatra të tëra, objekte banimi në qytete, objekte kulturore e arsimore, monumente të trashëgimisë kulturore e etnike shqiptare.

Sot, ndërsa ne kujtojmë viktimat e gjenocidit në Kosovë, ditë që përkon me njërin nga aktet më të tmerrshme gjenocidare, Masakrën e Reçakut, drejtësia ende nuk është vendosur. Por, akoma më keq, Serbia vazhdon të fshehë krimet, duke mohuar e hedhur të pavërteta dhe, kështu, duke lënduar ndjenjat tona për të afërmit tanë, që ajo na i ka vrarë e masakruar.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, që për herë të parë sot në Kosovë në hapësira publike ka ndërmarrë nismën e ndezjes së qirinjve, do të vazhdojë të punojë në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik për tragjedinë që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së fundit.

Ne asnjëherë nuk do të ndalemi për të kërkuar njohje e drejtësi për gjenocidin në Kosovë.

Inkurajojmë qeverinë e Kosovës, që të intensifikojë përpjekjet e saj në drejtim të grumbullimit e sistemimit të fakteve për gjenocidin në Kosovë, si dhe për përgatitjen e dosjes për padi kundër Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ftojmë vendet demokratike, sidomos ato shtete që ishin dëshmitare të drejtpërdrejta të gjenocidit në Kosovë dhe ndërhynë ushtarakisht për ta ndërprerë këtë krim monstruoz, që kuvendet e tyre të njohin zyrtarisht krimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës në Kosovë.

Njohja e këtij gjenocidi është një çështje humane, sepse vetëm kështu do të mund të gjente zbatim thirrja e moçme “Never Again” (Kurrë më!); sepse vetëm kështu ne, si njerëz, do të ndalonim që kriminelë të ndryshëm, anekënd botës, të kryejnë akte të tilla.

Vetëm njohja e krimit të gjenocidit të kryer dhe drejtësia për viktimat e tij në Kosovë, do të mund ta mbyllte plagën tonë të hapur, të cilën shteti serb edhe sot vazhdon ta ngacmojë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon të gjithë ata që i janë përgjigjur thirrjes sonë dhe kanë nderuar viktimat e gjenocidit duke ndezur një qiri për ta.

Kjo na inkurajon ne, që të vazhdojmë të punojmë më me përkushtim në rrugën tonë të drejtë.

Si përfundim, dua të ndaj me ju edhe një njoftim:

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, më 13 janar 2022, në Prishtinë, mbajti Kuvendin Themelues të Degës së saj për Kosovën dhe zgjodhi profesor Bujar Dugollin udhëheqës të kësaj dege.

Në emër të të gjithë aktivistëve të Qendrës, si dhe në emër të kryetarit të Qendrës, z. Bardhyl Mahmuti, i uroj punë të mbarë e suksese në këtë mision fisnik.

Prishtinë, 15 janar 2022

Share this post