Deklaratë me rastin e njohjes nga Presidenti amerikan J. Biden të gjenocidit ndaj armenëve

DEKLARATË

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” përshëndet qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden që të njohë zyrtarisht gjenocidin e kryer para 106 vjetësh nga Perandoria Osmane kundër popullit armen.

Qëndrimi i këtij burrështetasi demokrat dëshmon se gjenocidi është krimi më i shëmtuar që godet njerëzimin në tërësi dhe si i tillë nuk harrohet asnjëherë!

Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës, i kryer para dy dekadash nga shteti serb, është një plagë e madhe, e hapur dhe e mbushur plot e përplot me të vrarë, të përdhunuar seksualisht, të dëbuar në politikën e spastrimit etnik që synonte shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.

Viktimat e mbijetuara të këtij gjenocidi dhe një popull i tërë që u ballafaqua me politikën gjenocidare të Serbisë kërkon drejtësi!

Njohja e gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë është kusht paraprak për të dalë nga logjika e mosndëshkimit të gjenocidit dhe formë e parandalimit të përsëritjes së krimeve të tilla.

Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht nga presidenti J. Biden që të njohë zyrtarisht cilësimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë si krim i gjenocidit!

Ftojmë institucionet e Kosovës që të veprojnë në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës lidhur me krimin e gjenocidit dhe të intensifikojë angazhimet në fushën diplomatike që gjenocidi i kryer në Kosovë të njihet botërisht.

Gjenevë, 24 prill 2021

 

Kryetari: Bardhyl Mahmuti

Zëvendës Kryetari: Adnan Asllani

Share this post