Deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Ferat Shala: Nisma që të zyrtarizohet lulëkuqja si simbol i gjenocidit në Kosovë duhet të mbështetet në përmasa mbarëkombëtare!

Profesori universitar, inxhinieri Dr. Ferat Shala, që njëherësh është deputet i Kuvendit të Kosovës ka dalë hapur në mbështetje të kërkesës për simbolin unik të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Në një postim në rrjetin social facebook ai shkruan:

Mbështes nismën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, nën udhëheqjen e intelektualit dhe veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, që lulëkuqja me katër petale të zyrtarizohet në simbol unik të përkujtimit të viktimave të gjenocidit të kryer nga forcat ushtarako-policore serbe në Kosovë gjatë viteve 1997-1999.

Kjo nismë duhet të mbështetet në përmasa mbarëkombëtare në shërbim të senzibilizimit dhe përkujtimit  të krimeve të kryera në Kosovë, dhe me qëllim të përkujtimit të qëndresës heroike të popullit liridashës të Kosovës përballë një pushtuesi gjenocidial.

Kjo nismë duhet të mbështetet në përmasa mbarëkombëtare në shërbim që të mos harrojmë asnjëherë këtë ngjarje të errët të krimit dhe të gjenocidin mbi popullin e Kosovës, dhe me qëllim që të mos lejojmë të na përsëritet kurrë më një  ngjarje e tillë makabre. 

Kjo nismë duhet të mbështetet në përmasa mbarëkombëtare në shërbim të sjelljes së drejtësisë së patjetërsueshme për viktimat e këtij gjenocidi dhe me qëllim të vënies para përgjegjësisë së kryerësve të këtij krimi.

Kjo nismë është domosdoshme në funksion që të ndërgjegjësoj dhe nxisë institucionet dhe shoqërinë tonë që të punohet më shumë për të ndërkombëtarizuar dhe shpërndarë anekënd globit të vërtetën për tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës dhe me qëllim që gjenocidi në Kosovë të pranohet botërisht.

Uroj që formalizimi i kësaj inciative të përkoj me datën 15 janar 2023 në datën kur Kosova shënon Ditën e Gjenocidit.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon përzemërsisht atdhetarin e shquar. Luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intelektualin e respektuar z. Ferat Shala për këtë mbështetje shumë të rëndësishme dhe apelin që në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Kosovë, lulëkuqja të merr formën zyrtare si simbol i vetëm i këtij gjenocidi.

Share this post