Faleminderit për përkrahjen z. Fatmir Limaj!

Nisma Socialdemokrate e Kosovës është partia e parë politike e Kosovës që publikisht doli në mbështetje të kërkesës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Në deklaratën e lëshuar nga kjo parti më 18 nëntor thuhej:

“Të nderuar qytetarë të Kosovës.

Siç është bërë publike, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” u është drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës me kërkesë që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Duke e analizuar arsyetimin që e shoqëron këtë kërkesë, NISMA Socialdemokrate e Kosovës konsideron se katër petalet e lulëkuqes që pasqyrojnë katër format e akteve gjenocidare dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave, në zëmër të lulëkuqes, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi, simbolizon në mënyrë të denjët tragjedinë kombëtare që kemi përjetuar gjatë luftës së fundit.

Prandaj NISMA Socialdemokrate e Kosovës mbështet plotësisht kërkesën që kjo logo të jetë simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë

Prishtinë 18 nëntor 2022

Kryetar

Fatmir Limaj”

Sot, kur kanë mbetur edhe më pak se dhjetë ditë nga 15 janari, Dita e përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, z. Fatmir Limaj, njëri nga figurat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe personalitet me rëndësi të madhe në procesin e shtetformimit të Kosovës, e përsërit apelin e tij.

Në faqen zyrtare të Nismës Socialdemokrate të Kosovës në rrjetin social facebook dhe në Twitter z. Limaj shkruan:

“Përseris thirrjen ndaj institucioneve shtetërore që para datës 15 Janar të miratohet propozimi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit serb në Kosovë.

E kaluara që harrohet përsëritet, andaj më shumë se kurrë kemi nevojë që kujtesa kombëtare të institucionalizohet në kohën kur po tentohet të na devijohet historia!”

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon përzemërsisht z. Fatmir Limaj dhe i është tepër mirënjohës për këtë mbështetje shumë të rëndësishme dhe për vullnetin e shprehur që kërkesë të jetësohet para datës 15 janar!

Bardhyl Mahmuti- Kryetar

Adnan Asllani- Zëvendëskryetar

Share this post