Fondacioni “Hasan Prishtina” do t’u dhurojë mësimdhënësve të shkollave të Kosovës që mbajnë emrin “Hasan Prishtina” dhe kuadrit pedagogjik të Universitetit “Hasan Prishtina” baxhat me simbolin e gjenocidit në Kosovë

Në një njoftim për medie, Fondacioni “Hasan Prishtina” ka bërë të ditur se do të dhurojë bexhat me simbolin e gjenocidit në Kosovë të gjitha shkollave që mbajnë emrin Hasan Prishtina.

Në këtë njoftim të nënshkruar nga Mehmet Prishtina, një trashëgimtar i familjes së Hasan Prishtinës thuhet:

Pas publikimit të kërkesës së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve të Kosovës, Fondacioni “Hasan Prishtina” ishte ndër institucionet e para kombëtare që mbështeti iniciativë për lulëkuqen me katër petale si simbol unik i gjenocidit në Kosovë.

Në kohën kur Serbia bën kërkesë për kthimin e forcave ushtarake dhe policore në Kosovë, të atyre forcave që kryen gjenocid ndaj popullit shqiptar, shpresojmë që më 15 janar, në Ditën e përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, do t’i tregojmë botës se përderisa Serbia si shtet nuk përgjigjet për krimin e gjenocidit, krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të mbeten PLAGË E HAPUR!

Me qëllim që të japim kontributin tonë modest që Dita e përkujtimit të gjenocidit në Kosovë të shënohet ashtu siç e meritojnë të gjitha viktimat e këtij krimi të shëmtuar, Fondacioni “Hasan Prishtina” do t’u dhurojë mësimdhënësve të shkollave të Kosovës që mbajnë emrin “Hasan Prishtina” dhe kuadrit pedagogjik të Universitetit “Hasan Prishtina” baxhat me simbolin e gjenocidit në Kosovë.

Share this post