Fondacioni “Hasan Prishtina” mbështet propozimin publik për simbolin e gjenocidit

Fondacioni “Hasan Prishtina” i ka dhënë mbështetje kërkesës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.

Fondacioni Hasan Prishtina që drejtohet nga pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, ka dhënë një kontribut në ndërtimin e memorialit në vendin ku ka qenë i vendosur Kampi i Bllacës në Han të Elezit si dhe parkut “Hasan Prishtina” që ndodhet po aty.

Ky është njoftimi që ky fondacion ka publikuar në faqen zyrtare hasanprishtina.info:

 

Të nderuar qytetar të Kosovës,

Siç jeni të informuar, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” u është drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës, që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

Duke qenë tërësisht të angazhuar në çështjet me interes kombëtar dhe si njëri nga sponzorizuesit e Memorialit “Bllaca 99” dhe “Parkut Hasan Prishtina”, në Han të Elezit, Fondacioni “Hasan Prishtina” analizoi propozimin publik për simbolin e gjenocidit në Kosovë.

Domethënia e katër petaleleve të lulëkuqes, si katër forma të akteve gjenocidare, ku përfshihen mbi 10 mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar; mbi njëzet mijë femra të dhunuara seksualisht, mbi një milion shqiptarë të dëbuar nga vatrat e tyre dhe shkatërrimi i mbi 100 mijë objekteve që lidhen me identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, është kuptimplotë dhe më gjithëpërfshirës për gjenocidin në Kosovë.

Për këto arsye, Fondacioni “Hasan Prishtina” mbështet fuqishëm këtë iniciativë dhe urojmë që më 15 janar, në ditën e përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, të dalim me këtë simbol, si simbol i vetëm që pasqyron gjenocidin në Kosovë.

Mehmet Prishtina  

Prishtinë, 01.12.2022

Share this post