Gazetarja me origjinë çame, Sonila Alushi, përkrah nismën që lulëkuqja të jetë simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë

Gazetarja me origjinë çame, Zonja Sonila Alushi, e cila ka punuar më shumë se 10 vjet për disa media online dhe televizione në Itali, ka dalë haptas në përkrahje të nismës që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Duke qenë tepër e ndjeshme ndaj çështjes së gjenocidit, sepse për dekada të tëra është angazhuar të mos mbetet në heshtje çështja e gjenocidit që Greqia ka kryer kundër shqiptarëve të Çamërisë, zonja Sonila Alushi shkruan në rrjetin shoqëror facebook:

Mbështes dhe unë me gjithë zemër nismën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” që lulëkuqja të jetë simbol në kujtim të viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktualisht zonja Sonila Alushi është presidente e Fondacionit “Migra Onlus” dhe aktiviste e shquar e Shoqatës InNova Bergamo që ka për qëllim të shpalosë vlerat kulturore kombëtare dhe të krijojë ura përafrimi ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon Zonjën Sonila Alushi për përkrahjen e kësaj nisme si dhe për kontributin e saj në përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Kosovë dhe në Çamëri

Bardhyl Mahmuti, Kryetar
Adnan Asllani, Zëvendëskryetar

 

Share this post