Gjenocidi i kthyer në art pamor

Pranë djellit një lutje që përzihet me lotët e gjyshes që nuk shterojnë, gjyshit të mbështjellë me heshtjen e tij funebre. Nëna kërkon një copë tokë se ku mund të ta vajtojë të birin, i ati qëndron nën hijen e një qiparisi. Edhe vegjetacioni ngurron të mbijë në ato toka. Oazë gjaku, kapilarë që ende kërkojnë atë venë gjigante ku rreh pulsi i një jete të mohuar.

Ornela Raovicka
Ornela Raovicka

(Dy fjalë duke lexuar vëllimin poetik: “Ëndërr në Zarf” të autorit Ismail Syla)

Memorie, do të thotë edhe Art, kështu Gjenocidi kthehet në art për të mos harruar. Dikush fotografon një këmishë të përgjakur, dikush kodifikon epigrafe gëlltitje lotësh. Hije dhe fjalë. Mungojnë buzëqeshjet. Një qiri në mes të errësirës.

Kur lexon vëllim poetik, “Ëndërr në zarf” të çudit fakti se poezitë kthehen në copëza manifesti, brenda kornizave ku pikëzojnë rruaza të kuqe.

Rrjedhin në eter e çdo copëz kthehet në zarf që mban parabolë dramatike, të cilat të përcjellin në hinkën: Gjenocidi mbi shqiptarët në Kosovë, ende një hemorragji e hapur.

Udhëton në këtë tren vargjesh, të ngarkuar me hirin e martirëve shqiptarë të Kosovës e do të ndihesh që çdo vagon, rrëfen me pergamenën e tij, që ngjajnë faqje të një arkivi luftërash.

Vargje, copëza kujtimesh, akte përshkrimesh të ngjyer në shpirt, monologje të shkruara me beben e syrit mbi copën “ajrit” në kozmo.

Zarfa që nuk iu arrijnë destinatarëve. I vetëdijshëm, kërkon që ai Hi të jetë një hi-feniksi, humusi i të cilit do të shërbejë për ringjalljen.

Ëndrrat e tyre, ngelën në kosmo. Një zarf, me fjalë të mbetur pezull, që pikojnë gjak e klithma shpirtrash.

Një regjistër anagrafik i paplotësuar. Listë emrash që ngelen si pikat e vesës mbi ujin e kthyer në avull.

Pranë, një lule që mban erë plumbi. As zogjtë nuk pinë ujë në ato lëndina, kocka të bardha, që në palcën e tyre mbartin britmat e pafajësisë.

Rrugë… Diku një çorape e vetme, që ende frymon. Një këngë e mbetur mes rrudhave të buzëve të mekura, rrahje zemrash të mbështetur mbi petalet e një lulëkuqeje. Gjurmë, këpucë të miturish nëpër dëborë. Banesa të heshtura, zëra të shurdhët. Shtëpi, ku jeta rrjedh me kafshime në shpirt. Furra nuk është ndezur më që nga ajo ditë e zezë. Në mur çanta e shkollës mbeti ashtu sterile, siç e lanë ato duart e pastra të të miturit, trupi i të cilit nuk gjendet. Diku një libër i mbështetur mbi komodinë.

Pranë djellit një lutje që përzihet me lotët e gjyshes që nuk shterojnë, gjyshit të mbështjellë me heshtjen e tij funebre. Nëna kërkon një copë tokë se ku mund të ta vajtojë të birin, i ati qëndron nën hijen e një qiparisi. Edhe vegjetacioni ngurron të mbijë në ato toka. Oazë gjaku, kapilarë që ende kërkojnë atë venë gjigante ku rreh pulsi i një jete të mohuar.

Njerëzore, do të thotë të jetosh me dinjitet, të vdesësh me dinjitet, të varrosesh me dinjitet, e të prehesh me dinjitet. Në këtë lëndine me lule, copëza jete të bardha, të acarta, si thika që shpojnë. Një qytezë, një fshat, një popull, një fare: Shqiptar!

Ndërsa lexova këto poezi më vinin ndër mend vargjet e Pasolinit mbi Gjenocidin Ebraiko, ndoshta sepse gjenocidet mbartin te njëjtën vulë: Kriminelë që të zhdukin në embrion.

Autori, në trajtimin e temës është i detajuar në fjalë dhe në strukturë. Ai zgjedh formën, këtë e shohim që në kopertinë “Plagë qe bari s’i mbulon” ku (autori) në vend të pjesëzës mohuese “nuk”, përdor shkronjën “S ” me apostrof, kod i shkëputjes stronkimi i jetës kthyer në martirë. Me një gjuhë të thjeshtë, të drejpërdrejtë sjellë tragjedinë e krimit e të gjenocidit në Kosovë.

Shënim: Libri më është dhuruar nga Zoti Ibrahim Xhejmali, Radio Televizioni “Zëri i Kosovës” në Danimarkë, gjatë tubimit përkujtimor të organizuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, mbajtur në Cyrih më 18\01\2026.

Ornela Radovicka
Qendra albanologjike kërkime për gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Antonio Bellusci, Frascineto/28/01/2026

Vërejtje:
Ornela Radovicka është kryetare e kësaj qendre në Frashinet të Kalabrisë. Në tekst është ruajtur të shkruarit e fjalës faqje – për faqe, djellit- për diell, kozmo – për kozmos, ebraiko për hebraik dhe drejpërdrejt- për drejtpërdrejt, stronkimi – për shkatërrim, italisht, si ngjyresa të arbërishtes.

 

Share this post