Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, priti në takim një delegacion të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me në krye Kryetarin Bardhyl Mahmuti

Prishtinë, 18 janar 2023

Një delegacion i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i përbërë nga Kryetari i Qendrës, Bardhyl Mahmuti, Zëvendëskryetari Adnan Asllani dhe Drejtuesi i Qendrës në Kosovë Bujar Dugolli, u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca.

Temë e këtij takimi ishte kërkesa të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” e informoi në hollësi Zotin Konjufca lidhur me përmbajtjen e kërkesës që ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës si dhe i dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm me sqarime se çka përmban kjo kërkesë.

Kosova tashmë po hyn në çerekshekullin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të cilin shteti serb e ka zbatuar gjatë luftës së fundit, andaj kërkohet një dinamizëm më i madh në hedhjen e hapave në rrugëtimin drejt ngadhënjimit të drejtësisë.

Nga ana e tij. Kryetari i Kuvendit, Z. Konjufca premtoi se do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe do ta diskutojë me strukturat brenda Kuvendit të Kosovës për hapat e mëtutjeshëm.

 

Pritje edhe te Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj

Në një takim tjetër, edhe Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj, priti Kryetarin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” z. Bardhyl Mahmuti.

Edhe në këtë takim temë diskutimi ishte kërkesa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” drejtuar institucioneve të Kosovës që lulëkuqja të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Kryetari i Qendrës Bardhyl Mahmuti e njoftoi mbi ecurinë e fushatës për lulëkuqen dhe përkrahjen që kërkesë ka marrë nga shumë institucione e personalitete.

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës e siguroi Kryetarin e Qendrës se ai personalisht do të angazhohet në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës që kjo çështje të shtrohet në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai edhe njëherë e konfirmoi përkrahjen e tij për kërkesën e Qendrës, si një domosdoshmëri e kohës.

 

Takim edhe me z. Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

Në një takim tjetër, Kryetari i Qendrës Bardhyl Mahmuti, i shoqëruar nga Zëvendëskryetari Adnan Asllani zhvilluan një takim me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Arben Gashi.

Edhe këtu temë e diskutimit ishte kërkesa të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës që lulëkuqja të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Delegacioni i Qendrës e informoi edhe njëherë z. Arben Gashi për kërkesën e Qendrës dhe domosdoshmërinë e miratimit të këtij simboli.

U dhanë sqarime të nevojshme reciproke lidhur me procedurat që duhet ndjekur në mënyrë që kjo kërkesë të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Nga ana e tij z. Gashi e konfirmoi se ai do ta mbështesë një kërkesë të tillë në rast se ajo procedohet në Kuvendin e Kosovës.

 

 

 

Share this post