Kuvendi Komunal i Deçanit mbështet unanimisht kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Deçan, 29 dhjetor 2022

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Deçanit, njëzëri u miratua deklarata përmes së cilës Kuvendi Komunal i Deçanit, mbështetë kërkesën të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Përveç miratimit të kërkesës për simbolin unik, në seancën e sotme u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të gjenocidit.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon Kryetarin e Komunës, z. Bashkim Ramosaj për angazhimin e tij maksimal për mbështetjen e kërkesës sonë dhe të gjithë asambleistët e Komunës së Deçanit që e përkrahën në mënyrë unanime që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë

Në vijim keni fjalën e Kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.

 

I nderuari Kryesues,

Të nderuar asamblistë të Kuvendit Komunal të Deçanit,

Para ca kohësh kam qenë në vizitë në disa shtete të demokracive perëndimore dhe ajo që më bëri përshtypje ishte pikërisht fakti se në mënyrë institucionale popujt e këtyre vendeve kishin përcaktuar simbolet të veçanta për të përkujtuar të rënët për lirinë e vendit të tyre.

Duke u nisur nga fakti se ndodhemi në prag të 15 janarit, ditës së përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë unë, si Kryetar i Komunës së Deçanit, kam analizuar me vëmendje të madhe kërkesën publike të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

E shoh të udhës që në këtë rast të përmend se lulëkuqen si simbol të të rëndëve për atdhe e kanë edhe shumë popuj të demokracive perëndimore si SHBA—ja, Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Skocia, Zejlanda e Re etj. Mirëpo, siç e sqarojnë edhe udhëheqësit e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti dhe Adnan Asllani, origjinaliteti i lulëkuqes me katër petale si simbol i gjenocidit në Kosovë qëndron në këto dallime:

Nuanca e ngjyrës së kuqe në simbolin për gjenocidin në Kosovë është nuancë e ngjyrës së kuqe të flamurit tonë kombëtar;
Në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në simbolin tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi;
Për dallim nga petalet e lulëkuqeve-simbol të vendeve të tjera, që nuk janë të specifikuara, katër petalet e lulëkuqes tonë paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë.
a) vrasjet, për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive,

b) dhuna seksuale, për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale,

c) spastrimi etnik që përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik,

 dhe

d) shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar, përfshihet shkatërrimi në vendbanimet shqiptare të 100589 shtëpive, të 358 shkollave, të 30 shtëpive kulturore, të 93 bibliotekave, të 123 institucioneve shëndetësore dhe të 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike;

Petalet e lulëkuqes në këtë simbol janë të prera në atë formë që të transmetojnë mesazhin se kemi të bëjmë me plagë të hapura, nga rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave shqiptare të këtij gjenocidi;
Petalet janë të vendosura në formën e shkronjës X për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet;
Dhe

Në “zemër” të simbolit tonë figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave që pasqyrojnë viktimat e gjenocidit  janë vendosur në formë rrethore, sepse në aspektin figurativ, rrethi simbolizon bashkimin e fuqishëm të njerëzve që kanë ide të njëjta, interesa të njëjta, qëllime të njëjta…Vendosja në rreth e viktimave të gjenocidit në Kosovë nxjerr në pah domosdoshmërinë e bashkimit për të ndriçuar në përmasa botërore tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit, si parakusht i ngadhënjimit të drejtësisë. Në të kundërtën, plagët tona do të mbeten të hapura dhe vuajtjet do të jenë ciklike, pambarimisht, në këtë rreth tmerri!
Të nderuar asambleistë,

Dihet se Serbia ka pasur për qëllim të shkatërrojë, tërësisht ose pjesërisht, shqiptarët e Kosovës si grup i veçantë etnik. Nëpërmjet vrasjeve, dhunës seksuale, dëbimeve gjatë spastrimit etnik dhe shkatërrimeve të objekteve që lidhen me identitetin tonë, Serbia ka vrarë, dhunuar, dëbuar dhe shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë shqiptarët si komb.

Prandaj t’i japim përkrahjen e plotë kërkesës së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë dhe të bashkohemi rreth kësaj plage të madhe që kullon gjak, lot dhe dhembje me shpresë që Serbia të jep llogari për krimin monstruoz që ka kryer kundër shqiptarëve.

Ju faleminderit për vëmendjen.

 Deçan, më 29 dhjetor 2022

Me respekt

Kryetari

Bashkim Ramosaj

Share this post