Kuvendi Komunal i Klinës mbështet unanimisht kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Klinës, njëzëri u miratua deklarata përmes së cilës Kuvendi Komunal i Klinës, mbështet kërkesën të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Në këtë deklaratë thuhet:
LULËKUQJA ME KATËR PETALE SIMBOL UNIK PËRKUJTIMOR I GJENOCIDIT NË KOSOVË
Në seancën e sotme të rregullt të punës së Kuvendit Komunal Klinë, me një deklaratë të përbashkët në mënyrë unanime mbështetën idenë e qendrës “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”, që LULËKUQJA të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Simboli i katër petaleve të lulëkuqes paraqet katër format e akteve gjenocidare, që Serbia zbatoi në Kosovë si vrasjet, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.
Kuvendi i komunës së Klinës, vlerëson se e ardhmja e popullit tonë determinohet edhe nga ndërtimi i memories kolektive dhe përkujtimi i viktimave nga e kaluara jonë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon Kuvendin Komunal të Klinës si dhe të gjithë asambleistët për mbështetjen unanime.