Studimja, plagë e hapur e krimit dhe e drejtësisë së munguar
Sot përkujtojmë 27-vjetorin e njërit prej akteve më të tmerrshme gjenocidare të kryera gjatë luftës në Kosovë: Masakrën e Studimes, ku më 2 maj 1999 u vranë 116 civilë shqiptarë, burra, gra, të moshuar dhe fëmijë.
Gjatë zbatimit të planit gjenocidar kundër shqiptarëve të Kosovës, forcat e armatosura serbe, më 2 maj 1999, ndaluan kolonën e banorëve të fshatit Studime e Ulët të Vushtrrisë. Aty ata bënë përzgjedhjen dhe ndarjen e civilëve: disa u përcaktuan për t’u vrarë, ndërsa të tjerët për t’u dëbuar me dhunë në drejtim të Shqipërisë.
Në këtë masakër, tragjedia e familjes Gërxhaliu mbetet një nga dëshmitë më rrëqethëse të krimit të kryer. Fati i kësaj familjeje shpreh në mënyrë domethënëse atë që ndodhi edhe në qindra masakra të tjera anekënd Kosovës.
Vetëm nga kjo familje, forcat serbe masakruan Salihen, 74 vjeçe; djalin e saj Selatinin, 49 vjeç; bashkëshorten e tij, Fexhrijen, 39 vjeçe; si dhe fëmijët e tyre: Sebahudinin, 7 vjeç; Muberahen, 8 vjeçe; Abdurrahimin, 10 vjeç; Mexhitin, 11 vjeç; Muharremin, 14 vjeç; Shahinin, 15 vjeç; dhe Shabanin, 16 vjeç.
Edhe pse kanë kaluar 27 vjet nga kjo ngjarje e tmerrshme, asnjë kriminel nuk është vënë para drejtësisë për Masakrën e Studimes. Ndërkohë, Serbia vazhdon ta mohojë gjenocidin e kryer në Kosovë dhe të mbrojë kriminelët që morën pjesë në krime kundër popullsisë civile shqiptare.
Në këtë ditë përkujtimi, kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të intensifikojnë angazhimin e tyre për vendosjen e drejtësisë për Masakrën e Studimes dhe për të gjitha viktimat e zbatimit të planit gjenocidar të shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.
Drejtësi për viktimat!
NE NUK HARROJMË!
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”
