ME RASTIN E DITËS SË PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT NDAJ SHQIPTARËVE NË KOSOVË

Aktet gjenocidare të 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe sidomos gjymtimi i viktimave të civilëve shqiptarë nxori në shesh barbarinë e shtetit serb dhe vendosmërinë e pushtetit të Beogradit që të realizonte gjenocidin kundër shqiptarëve autoktonë të Kosovës. Skenat e tmerrshme me civilë të masakruar përshkuan mediet ndërkombëtare dhe patën ndikim të jashtëzakonshëm në mobilizimin e opinionit publik dhe të qendrave vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i japin fund një herë e përgjithmonë politikës gjenocidare të Serbisë.

Pikërisht për shkak të jehonës së madhe ndërkombëtare që patën krimet monstruoze të kryera në këtë fshat, Kuvendi i Kosovës shpalli 15 janarin si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë. Prandaj sot, më 15 janar, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtojmë civilët e vrarë 22 vjet më parë në fshatin Reçak, përkujtojmë të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë,  në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të vazhdojë angazhimet e veta me qëllim që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht dhe të ngadhënjejë drejtësia për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre.

U bëjmë ftesë të gjithë atyre që janë të interesuar që vullnetarisht të ndihmojnë për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë, t’i bashkëngjiten qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe të japin kontributin e tyre për ta bërë të njohur në çdo cep të globit tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të kërkojë nga institucionet e Kosovës që do të burojnë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 që në qendër të aktiviteteve diplomatike të vihet njohja ndërkombëtare e gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës.

Gjenevë, më 15 janar 2021

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Share this post