Në përkujtimin e çerekshekullit të krimit të gjenocidit të dëshmojmë përkujdesjen e lartë shoqërore dhe shtetërore!

Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për Gjenocidin Serb të kryer në Kosovë dhe shpalli 15 janarin Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Më 15 janar 2024 bëhet një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit në Kosovë!

I bëjmë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, Kryeministrit z. Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarëve të Partive Politike në Kosovë, Kryetarëve të Kuvendeve Komunale, shoqërisë civile, shoqatave e klubeve dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë, që të mobilizohen sa më shumë e sa më mirë, në mënyrë që ky çerekshekull i Gjenocidit në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme.

Ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është njjë obligim yni kombëtar, në mënyrë që të sensibilizojmë botën demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve.

Qendra Gjenocidi në Kosovë do të organizojë një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë çerekshekulli në mënyrë sa më dinjitoze.

Ftojmë Institucionet e Kosovës, që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999.

Gjenevë, 28 dhjetor 2023
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”


Share this post