Një çerek shekulli nga Akti gjenocidar në Likoshan dhe Qirez

NJË ÇEREK SHEKULLI NGA AKTET GJENOCIDARE NË LIKOSHAN DHE QIREZ

Sot, më 28 shkurt 2023, bëhen NJË ÇEREK SHEKULLI NGA AKTET GJENOCIDARE NË LIKOSHAN DHE QIREZ!
Gjatë vitit 2023 do të përkujtohet NJË ÇEREK SHEKULLI I AKTEVE GJENOCIDARE që janë kryer gjatë vitit 1998, ndërsa në vitin 2024 do të përkujtohet NJË ÇEREK SHEKULLI I AKTEVE GJENOCIDARE që janë kryer gjatë vitit 1999.

Më 28 shkurt dhe 1 mars të vitit 1998, forcat e armatosura të Serbisë filluan zbatimin e projektit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës duke vrarë 24 civilë në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Komunës së Skenderajt:

  1. Ilir Nebihu (30 vjeç )
  2. Rukie Nebihu (27)
  3. Xhemshir Nebihu (33)
  4. Rexhep Rexhepi (63)
  5. Beqir Rexhepi (30)
  6. Beqir Sejdiu (26)
  7. Nazmi Sejdiu (24)
  8. Bedri Sejdiu (24)
  9.  Bekim Sejdiu (23)
  10. Ibish Rama (38)
  11. Ismail Behrami (30)
  12. Behram Fazliu (50)
  13. Ahmet Ahmeti (50)
  14. Gani Ahmeti (46)
  15. Hilmi Ahmeti (44)
  16. Hamzë Ahmeti (44)
  17. Driton Ahmeti (23)
  18.  Naim Ahmeti (22)
  19. Lumni Ahmeti (19)
  20. Shemsi Ahmeti (18)
  21. Basri Ahmeti (18)
  22. Elhami Ahmeti (16)
  23. Muhamet Gjeli (70)
  24. Naser Gjeli (38)

Në mesin e të vrarëve ishte edhe një grua shtatzënë, Rukie Nebihu (27 vjeçe).

Dihet se në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin. Me qëllim që të krijonin përshtypjen se nuk bëhej fjalë për civilë të vrarë, por për gjoja ushtarë të UÇK-së, forcat serbe kishin vendosur pushkë dhe bomba pranë kufomave të civilëve të vrarë. Skenarë të ngjashme zbatuan edhe në rastin e krimit të gjenocidit në Reçak dhe në raste të tjera, në funksion të manipulimit me opinionin publik.

Katër vite pas këtij krimi mizor, në artikullin e botuar më 8 mars të vitit 2002 dhe të titulluar “E vërteta shqetësuese” (Uznemiravajuca istina), humanistja serbe Natasha Kandiq akuzoi prokuroren famëkeqe Danica Marinkoviq për përfshirjen e saj në ekzekutimin e civilëve shqiptarë. Duke u mbështetur në pohimet e pjesëtarëve të Njësive Speciale të Policisë së Serbisë, zonja Kandiq shkruan:

“Nga këta policë kam mësuar se Danica Marinkoviq ka urdhëruar likuidimin e disa meshkujve të plagosur të familjes Ahmeti, më 28 shkurt 1998 në fshatin Likoshan. Në shikimin e vendit të krimit kishte ardhur e shoqëruar nga Zëvendës-prokurori i Qarkut, Jovica Jovanoviq dhe punëtorë të policisë kriminalistike. Para shtëpisë së Ahmetajve ndodhej grumbulli i trupave. Disa meshkuj jepnin shenja jete. Në prezencën e tridhjetë pjesëtarëve të Njësive Speciale Antiterroriste, gjykatësja hetuese, Danica Marinkoviq, haptazi kishte thënë: ‘unë këta nuk i marr me vete, vrisni!’ I vranë me pistoletë Heckler. Rezultatet e hetimeve nga vendi ku ishte kryer krimi nuk u publikuan asnjëherë. Më 1 mars 1998, katërmbëdhjetë kufoma u transferuan në spitalin e Prishtinës. Gjykatësja hetuese nuk dha urdhër që të bëhej autopsia, kështu që kufomat, pas identifikimit, iu dorëzuan familjeve. Pjesëtarët e policisë që kishin marrë pjesë në aksionin e Likoshanit tregojnë se pushkët dhe bombat ishin vendosur më vonë pranë trupave të të vrarëve dhe ky falsifikim shërbeu për informimin e opinionit”.

As urdhërdhënësit, as ekzekutuesit dhe as prokurorja Danica Marinkoviq nuk dhanë asnjë përgjegjësi për pjesëmarrjen e tyre në gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Sot, më 28 shkurt 2023, bëhen NJË ÇEREK SHEKULLI NGA AKTET GJENOCIDARE NË LIKOSHAN DHE QIREZ!

Gjatë vitit 2023 do të përkujtohet NJË ÇEREK SHEKULLI I AKTEVE GJENOCIDARE që janë kryer gjatë vitit 1998, ndërsa në vitin 2024 do të përkujtohet NJË ÇEREK SHEKULLI I AKTEVE GJENOCIDARE që janë kryer gjatë vitit 1999.

Prandaj e shohim si obligim të shfrytëzojmë të gjitha resurset intelektuale e organizative, qeveritare e joqeveritare, që ta informojmë opinionin publik ndërkombëtar, qarqet intelektuale dhe institucionet politike anekënd botës për tragjedinë kombëtare që kemi përjetuar gjatë luftës 1998-1999. Me një fjalë: Ta shndërrojmë vitin 2023 dhe 2024 në VIT TË INFORMIMIT për gjenocidin që kemi përjetuar, si parakusht për ngadhënjimin e drejtësisë.

Gjenevë, 28 shkurt 2023
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

Share this post