OJQ “Jeta në Kastriot” mbështet kërkesën për simbolin e gjenocidit
Në një njoftim për medie, OJQ “Jeta në Kastriot” që ka trajtuar kryesisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbështetë fuqishëm kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i gjenocidit në Kosovë.
Ky është njoftimi i plotë që ata ua kanë shpërndarë medieve:
Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë
Organizata “JETA NË KASTRIOT” ka trajtuar me kujdes e me përgjegjësi temën e femrave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ne kemi trajtuar viktimat e këtij krimi, e në të ardhmen do të mbështesim edhe më shumë ato, duke u ndihmuar në rehabilitimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Dhuna seksuale është njëra nga format e gjenocidit në Kosovë të cilin e kanë aplikuar forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit, andaj organizata jonë nuk do ta ndalë punën në ndriçimin e plotë të krimeve të kryera e veçanërisht të dhunës seksuale.
Ne kemi lexuar vëmendje kërkesën që Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol unik i gjenocidit në Kosovë. Meqenëse ky propozim është gjithëpërfshirës dhe se arsyetimi është i qëndrueshëm, e përkon edhe me synimet tona, ne e mbështesim fuqishëm këtë kërkesë.
Ky është momenti i fundit që ne duhet të hapim sytë e të punojmë shumë, në mënyrë që bota të mësojë më shumë për tragjedinë tonë në të kaluarën.
Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që ta miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur” dhe lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përbashkët për përkujtimin e gjenocidit në Kosovë.
Prishtinë, 8 dhjetor 2022
OJQ “Jeta në Kastriot”
Luljeta Selimi, drejtoreshë