Përfaqësuesit e Qendrës marrin pjesë në manifestimin për Pavarësinë e Kosovës dhe Ditën e Kujtesës për Viktimat e Gjenocidit në Kosovë në Langhirano-Parma të Italisë

Të shtunën, më 4 shkurt 2023, së bashku me Nexhat Mujotën përfaqësuam Qendrën “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” në manifestimin e organizuar nga Shkolla Shqipe “Sckenderbeg Parma” dhe Forumi i Gruas Shqiptare në Parma, që u mbajt në Langhirano, Parma, në Itali për hir të pavarësisë së Kosovës dhe Ditës së Kujtesës për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Programi artistik që shfaqën nxënësit e paraleles në Langhirano dhe asaj në Parma ia shtoi madhështinë këtij manifestimi, sepse poezitë dhe rrëfimet e përzgjedhura nga kultura dhe historia jonë janë rezultat i punës së mësueseve Elvira Lashi Lika dhe Zamira Shkurti  dhe i përkushtimit të prindërve që t’ua transmetojnë gjeneratave të reja të vërtetën e asaj që ka përjetuar populli shqiptar.

Më erdhi mirë që në këtë manifestim ishin të pranishëm Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati, dhe zëvendësi i tij Besnik Maxheri, Nënkryetari i bashkisë Langhirano Anthony Monica, këshilltarja e kulturës Alessandra Brindani, përfaqësuesit e Shoqatës Zëri Atdheut” të qytetit Reggio Emilia, z. Shaban Muqa e z. Agron Halitjaga.

Dhe mbi të gjitha një falënderim i veçantë i takon shtyllës kryesore të këtij manifestimi, z. Durim Lika, i cili kishte përgatitur një sintezë të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë për t’ua prezantuar vendasve Italian.

Share this post