Poeti Hasan Qyqalla mbështet kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Poeti Hasan Qyqalla ka lindur në Bardh të Fushë Kosovës më 1961. Ka botuar disa vëllime me poezi të cilat janë mirëpritur nga lexuesit dhe nga kritika. Poezinë filloi ta shkruajë që në bankat e shkollës fillore. Më 1976 botoi poezinë e parë në revistën “Shëndeti“. Që atëherë ishte i pranishëm pothuaj në të gjitha organet letrare të kohës në Kosovë. Ishte themelues e kryetar i klubit letrar “Naim Frashëri“ të Bardhit, anëtar i klubit letrar “Lulëkuqet“, të Klubit Letrar të Fushë-Kosovës, të Fakultetit Filozofik etj.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është fitues në disa konkurse poetike, si: çmimi i parë në konkursin për “Ditën e dëshmorëve dhe Ditën e çlirimit të Malishevës” (2009), çmimi i parë nga krijuesit e mërgatës në festivalin poetik tradicional “ProKult” të Podujevës (2014), çmimi i dytë në manifestimin “Azem Shkreli” (2012), çmimi i parë te “Malli poetik 2016”, pastaj te shoqata “Mirëdita” – çmimi vjetor për poezi më 2016 etj., si  dhe bartës i shumë mirënjohjeve dhe i dekoratave. Në zgjedhjet nacionale të vitit 2021 ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jeton dhe vepron në Gjermani.

Në një postim në llogarinë e tij facebook ai i ka dhënë mbështetje të plotë kërkesës të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i ka dërguar institucioneve të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ja shënimi i tij i plotë:

Kam nderin te deklarohem zëshëm, me gjithë nivelin tim personal, moral e intelektual në përkrahjen e fuqishme të nismës që “Lulëkuqja me katër petale” të identifikohet si simbol përkujtimi i rezistencës sikur dhe viktimave te gjenocidit ne Kosove. Them kështu pasi që asnjë viktimë nuk u dorëzua kundrejt barbarisë serbe por i robëruan apo kidnapuan dhunshëm duke kryer gjenocid të paparë deri sot në historinë e njerëzimit të epokës së fundit.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon Zotin Hasan Qyqalla për këtë mbështetje dhe fjalët e zgjedhura me këtë rast.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti, Kryetar

Adnan Asllani, Zëvendëskryetar

 

Share this post