Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” alarmon për rrezikun nga vendimet e gjykatave vendore që degradojnë natyrën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë!
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Sot, më 18 korrik 2024, Kryetari i Degës së Kosovës i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, z. Bujar Dugolli, dorëzoi zyrtarisht në:
- Këshillin Gjyqësor të Kosovës
- Këshillin Prokurorial të Kosovës
- Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit
- Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Apelit të Kosovës,
parashtresën me shqetësimet tona.
Siç jeni të informuar, më 15 korrik 2024, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, shprehu publikisht shqetësimin e vet për shkeljet e rënda që ka bërë Departamenti për Krime Lufte dhe Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin e rikualifikimit të veprës penale të krimit në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt, duke e degraduar në shkallën më të ulët të krimeve të rënda të parashikuara me të drejtën penale ndërkombëtare, në krime lufte!
Mbesim me shpresë, që institucionet e drejtësisë në Kosovë do të alarmohen për rrezikun që ngërthen në vetvete qasja joprofesionale e trajtimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, sepse vendimet që mund të sjellin gjykatat themelore do të shfrytëzohen nga mohuesit e gjenocidit për të mbështetur pretendimet e tyre, se gjoja Serbia nuk ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë, por krime lufte.