Romani Eskadronët e Vdekjes nxjerr në dritë historinë tragjike të popullit shqiptar

Eskadronët e Vdekjes – Recension
Dr. Sc. Salihe Salihu

Romani “Eskadronët e vdekjes” është një trajtesë e zhanrit letrar, ku autori Bardhyl Mahmuti përmes mjeteve artistike përshkruan realitetin e vuajtjeve të popullit shqiptar të shkaktuara nga politika gjenocidale e Serbisë. Autori në mënyrë të përkryer arrin të përshkruajë planifikimin dhe kryerjen e akteve mizore të Serbisë kundër shqiptarëve. Me shkathtësi autori përmes shpalosjes së tregimeve depërton thellë në receptorët e njeriut duke përçuar dhembjen e plagëve nga protagonistët te lexuesi.

Në librin e autorit Mahmuti përmes prova faktike për lidhshmërinë direkte të udhëheqësisë serbe në kryerjen dhe zbatimin e politikës gjenocidale, gjejmë gjithashtu edhe planifikimin për zhdukjen e këtyre dëshmive.

Serbia e beretëkuqëve apo e eskadronëve të vdekjes ishin në gjendje të kryenin vepra më monstruoze në fundshekullin XX. Serbia e beretëkuqëve kishte ndërtuar sistem strukturor të shtrirë në sfondin e një strategji politiko-ushtarake gjenocidale që prodhonte frikë, tortura mizore e vrasje makabre jo vetëm kundër shqiptarëve, por kundër të gjithë atyre njerëzve që ishin kundër zbatimit të politikës së tyre gjenocidale që zbatohej mbi shqiptarët. Kordoni i kësaj strukture kishte kërthizën në piramidën më të lartë shtetërore, në kupolën e udhëheqjes së shtetit, të cilët kishin ndërmarrë të gjitha masat, duke përdorur të gjitha mjetet për të arritur qëllimin për zgjidhjen finale të çështjes shqiptare në Kosovë.

Shteti kishte përgatitur struktura dhe planifikime strategjike për realizimin e qëllimit që të shkatërronin shqiptarët si grup kombëtar i veçantë nga serbët. Metodat dhe mënyrat më barbare që janë ushtruar gjatë kryerjes së gjenocidit në Kosovë në vitet 1998-1999 janë ndriçuar në romanin e Bardhyl Mahmutit. Romani vërtet sjell dëshmi, që kanë një përmbajtje të trishtueshme dhe jashtëzakonisht të dhimbshme, por njëkohësisht sjell edhe një shpresë se krimi gjenocidal i kryer nuk heshtet, por ndriçohet dhe merr ndëshkim nga bota demokratike.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se autori, në mënyrë të përzgjedhur, e fillon shkrimin romanit me një analogji të gjenocidit nazist mbi hebrenjtë dhe e përfundon romanin me një volum mbi 500 faqe, po ashtu me një analogji. Autori me mprehtësi tërheq paralelizëm analogjik krahasues mes nazistëve mbi hebrenjtë me atë serbëve mbi shqiptarët. Përmes tërheqjes së kësaj analogjie, autori e bën më të kuptueshme konceptin e politikës gjenocidale, duke paraqitur ngjashmëritë e bishave të egra të Einstasgruppen të nazistëve dhe eskadronëve të vdekjes, që kishin qëllim shfarosjen e popullit hebre respektivisht gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Në roman përmblidhet metodologjia gjenocidale e ngulitur në mentalitetin e udhëheqësve serbë, që fillon nga shtrembërimi i së vërtetës. Dhe vërtet në shkollat e psikologjisë është vërtetuar fuqishëm, se çdo mendje kriminale ka nismën e vet, duke filluar me strukturimin e gënjeshtrave. E mësimi për të gënjyer e për të  përgënjeshtruar të vërtetat është ushqyer brez pas brezi nga udhëheqësit serbë te populli i tyre. Gënjeshtra është ushqim për udhëheqësit serbë, e sipas Dobrica Qosiqit, ish-presidentit të Serbisë për vitin 1992-1993, gënjeshtra duhej të konsiderohej si nevojë biologjike e psikologjike, kombëtare e politike për të dëshmuar inteligjencën. Dhe fatkeqësisht, kjo praktikë e shkollës së gënjeshtrave tek udhëheqësia e Serbisë është ende duke vazhduar dhe me çdo çmim përpiqet ta fshehë të vërtetën e njohur botërisht për kryerjen e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.

Metodë më të rafinuar për të ushqyer mendjen kriminale është nxitja e urrejtjes. Me qëllim të mbjelljes së urrejtjes mes popullit shqiptar e serb, siç është rasti në kafenë “Panda”, ku njësia speciale kishte vrarë 6 të rinj serbë dhe akuzonte shqiptarët për këtë masakër, me qëllim që t’u atribuonte shqiptarëve vepra terroriste.  Duke përdorur rastin e “Pandës”, kreu i Serbisë arriti që të mobilizojë serbët e malazezët që të luftonin kundër shqiptarëve. Me të njëjtin qëllim, udhëheqja e Serbisë kishte financuar botimin e një libër mbi 1000 faqe me përmbajtje anti-shqiptare, ku shqiptarëve iu mveshin vepra terroriste. Ky libër ishte përkthyer në shumë gjuhë të huaja botërore dhe shpërndahej me synim të përligjjes së veprimeve të tyre gjenocidale të kryera në Kosovë. Jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës së Kosovës vazhdonte të mbillej urrejtja masive ndaj çdo gjëje shqiptare. Këtë ndjellje të urrejtjes e lexojmë te shprehjet pezhorative ndaj qenies shqiptare, që Mahmuti e gjen te përshkrimet me titujt bombastikë në media, duke e përdorur nofkën “shqiptar” të kryekriminelit të klanit të Zemunit, që emrin e vërtetë e kishte Dushan Spasojevic.

Në roman zbardhen metodat që qeveria e Serbisë përdorte për burgimin dhe zhdukjen e së vërtetës. Çdo tentim që është bërë për të nxjerrë të vërtetën mbi Kosovë është paguar me çmim të lartë: me çmimin e jetës, me një vdekje që shpirti të nxirret përmes torturave mizore. Në mesin e shumë mizorive përshkruhet edhe mizoria e protagonistit të librit Mifi L., gazetari me përkatësi serbe, i cili demaskon fytyrën e vërtetë të regjimit gjenocidale serb. Tentativa e Mifit për të ndriçuar gjenocidin në Kosovë ishte motivuar nga rrëfimet që ai kishte dëgjuar nga njerëz që kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të ngjarjeve kur ishin kryer krimet gjenocidale në Kosovë. Këto rrëfime Mifi i kishte bërë publike në media të huaja dhe tregimet ishin më të llahtarshme, sesa mund të imagjinonte ndonjë njeri. Në rrëfime tregohej për vrasjet, dhunimet, copëtimin e trupave të njerëzve deri në vdekjen e tyre, djegiet e trupave të njerëzve të të gjitha moshave. Krimi gjenocidal i serbëve ka tejkaluar përmasat e krimeve naziste, me faktin se serbët kanë shkuar më tej në shkallën e kryerjes së krimit gjenocidal, duke u zbavitur me trupat e shqiptarëve. Kriminelët serbë trupat e shqiptarëve jo vetëm që i kanë zierë, por kanë bërë eksperiment për përdorimin e kockave të shqiptarëve si llamba elektrike.

Në roman përveç trishtimit e dhembjes nga rrëfimet e krimeve gjenocidale të serbëve mbi shqiptarët nëpër rreshta e gjejmë të spikatur edhe heroizmin e shqiptarëve të burgosur, në mesin e tyre edhe figura me emra realë të të burgosurve shqiptarë, si Bajra, Naiti, Sadiku e shumë të tjerë.

Me elegancë artistike paraqiten bisedat mes protagonistit kryesor, Mifit, me personazhet shqiptare që janë të burgosur, duke pasqyruar ngjarjet e torturave mizore që përjetuan të burgosurit shqiptarë dhe të mbijetuarit e masakrës së burgut të Dubravës me 117 vdekur e mbi 400 të plagosur.

Në fund fare mund të them se romani i Bardhyl Mahmutit nxjerr në dritë historinë tragjike të popullit shqiptar gjatë periudhës së luftës së fundit, në vitet 1998-1999, të shkaktuar nga përdorimi i politikës gjenocidale të Serbisë në Kosovë, si dhe politikës së tyre për heshtjen dhe zhdukjen e dëshmive mbi gjenocidin.

Share this post