Shkodran Tolaj: Ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar t’u përsëritet historia 

Edhe artisti i famshëm Shkodran Tolaj ka dalë në përkrahje të kërkesës që lulëkuqja të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Këtë e ka bërë përmes një postimi në rrjetin shoqëror Facebook duke publikuar një deklaratë mbështetëse.

Kjo është deklarata e tij:

DEKLARATË MBËSHTETËSE

Që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.

Kam ndjekur me vëmendje të madhe kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë dhe pas konsultave disa orëshe me mikun e shtëpisë sonë z.Bardhyl Mahmuti, si artist mbështes pa rezervë iniciativën e tij dhe Qendrës „Gjenocidi në Kosovë- plagë e hapur“ që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol unik i përkujtimit të viktimave të gjenocidit që shkaktoi Serbia në Kosovë!

Lulëkuqja paraqet në tërë botën me shekuj të tërë, simbol përkujtimi dhe nderimi për të gjithë heronjtë që dhanë jetën në shërbim të idealeve të larta njerëzore dhe që nga Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918) luan një rol të madh në historinë e datave përkujtimore.

Edhe tek kombi shqiptar e posaçërisht në luftërat e përgjakshme, ajo ka zënë vend madje është shndërruar shpesh në himn lirie! Kështu në këngë “Lulëkuqja e Kosovës” ka simbolizuar Ganimete Tërbeshin, apo “Lulëkuqja e Koshares” ka identifikuar Mujdin Aliun! Valle të shumta janë ndërtuar mbi bazën e simbolit „lulëkuqe“ që paraqet rezistencë, flijim, vuajtje, gjak të derdhur e shpresë për liri dhe jetë!

“Ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar t’u përsëritet historia“ andaj vetëm duke memorizuar historinë tonë për brezat e rinj do të arrijmë ta ruajmë kujtesën kolektive plot dhembje e krenari me uratat që ajo mos përsëritet kurrë!

Uroj që më 15 janar, në Ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë, “Lulëkuqja me katër petale” të bëhet simbol zyrtar i tragjedisë sonë kombëtare të shkaktuar nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me respekt
Shkodran Tolaj

Shkodran Tolaj ka lindur në Deçan më 1980. Ai është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Në skenën e muzikës klasike është i njohur si tenor i cili ka vepruar më tepër se një dekadë në Gjermani. Specializimet e fundit për vokal i ndoqi tek profesori meksikan, tenor i injohur në botë Francisko Araiza. Gjatë punës me të ka realizuar rolet e Puccinit: Rodolfo tek “La Boheme” dhe Pinkerton nga “Madam Batterfly”. Ka bashkëpunuar me Filharmoninë “Orso” të Gjermanisë ku ka realizuar rolin Barin ka hy në operetën “Zigeunbaron” të J. Strauss. Ai është tenor i cili përveç roleve të mëdha operistike botërore, ka përformuar me sukses në veprat moderne të kohës. Ka performuar dhe në skenat franceze dhe zviceriane ku është cilësuar si tenor shumë dimensional i cili përshtatet në të gjitha karakteret kompozicionale dhe epokale muzikore. Ka më tepër se një vit që kontribuon në jetën artistike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Shkodrani përfaqëson një tenor shqiptar të përmasave ndërkombëtare. Veç këngësh dhe për punimesh shumë suksesshme si autori vlejnë të përmenden këngët “Rini thuaja këngës” interpretuar nga grupi “Ilirët” dhe “Shqipet e Uskanës” interpretuar nga ai vet në shoqërim të Besiana Mehmetit dhe vëlleërve Dervishi. Kritika gjermane e ka cilësuar si zë të rrallë e me potencial të jashtëzakonshëm. Eshtë pjesë e shumë Cd-ve kolektive të inçizuara në Gjermani. Ndërkaq ndër Cd-të individuale vlejnë të përmenden “Hape zemrën” me këngë të muzikës së popllarizuar dhe Cd e fundit e cila iu dhurua publikut në koncertin e 20 marsit me arie dhe këngë të popullarizuara “Impresione”.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderon Artistin Shkodran Tolaj për këtë përkrahje shumë të rëndësishme për ne dhe i dëshirojmë atij sukses në karrierën e tij artistike.

Bardhyl Mahmuti, Kryetar
Adnan Asllani, Zëvendëskryetar

Share this post