Shoqata “Kosova” dhe RTV “Zëri i Kosovës” në Danimarkë kërkojnë të mos shfajësohet Serbia për gjenocidin në Kosovë

SHKSH “KOSOVA” në ÅLborg të Danimarkës dhe RTV “Zëri i Kosovës“ në Kopenhagë protestojnë ashpër për vendimet e gjykatave vendore që aktet gjenocidale të kryera nga forcat serbe në Kosovë,  të kualifikohen si krime të kategorive tjera e jo si gjenocid.  Ne konsiderojmë se kështu bëhet shfajësimi i Serbisë nga gjenocidi që ka zbatuar kundër popullit shqiptar në Kosovë.

  • ⁠ ⁠Më 12 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt.
  • ⁠ ⁠Më 17 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut.

Duke i kualifikuar si krime lufte, aktet gjenocidale që kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjykatat themelore të Kosovës shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës 1998-1999.

Të indinjuar edhe ne protestojmë fuqishëm ndaj këtyre vendimeve dhe mbështesim fuqishëm  Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” me seli në Zvicër, që me kohë ka reaguar  për përdorimin e gabuar ndaj akteve gjenocidale, dhe së fundmi edhe ka ngritur alarmin për sjelljen e vendimeve të tilla gjyqësore, me pasoja të mëdha.

 

Kopenhagë, më 27.07.2024

Ahmet Bytyqi  dhe Ibrahim Xhemajli

Share this post