Shoqëria Shqiptare ILIRIA në Lyon të Francës, mbështet kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë

Shoqëria Shqiptare Iliria me seli në Lyon të Francës, përmes një deklarate, i ka dhënë mbështetje kërkesës që Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka bërë institucioneve të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.

Ndër të tjera në deklaratën e tyre thuhet: “Fuqishëm mbështesim kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.”

Kjo është deklarata e plotë:

Shoqëria Shqiptare ILIRIA në Lyon mbështet kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” drejtuar institucioneve të Kosovës.

Një nismë shumë e qëlluar dhe një domosdoshmëri e madhe që gjenocidi serb mbi popullin e Kosovës të kujtohet dhe të punohet shumë nga të gjitha institucionet dhe aktorët tjerë të shoqërisë sonë për të akuzuar kryerësit e tij.

Serbët edhe sot kanë pretendime dhe tregojnë një agresivitet të egër ndaj Kosovës, prandaj njëherë e përgjithmonë duhet të ndriçohet gjenocidi serb mbi shqiptarët në dekada e shekujt e kaluar.

Prandaj fuqishëm mbështesim kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë. Të punojmë të gjithë së bashku për të njohur et mos harruar kurrë Gjenocidin mbi popullin shqiptar.

Share this post