Shqipe Bytyqi përfaqësoi Qendrën „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ në Konferencën e Gruas në Durrës

Me ftesën e WAW (Women Alb World), zonja Shqipe Bytyqi, arkitekte, ligjëruese, supervizore, poete dhe anëtare e kryesisë së Qendrës „Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur“ mori pjesë në Konferencën kushtuar gruas me moton „Liria fillon me të drejtat e gruas, mbajtur në Durrës më 29 prill 2023. Në fundjavën e shkuar salla e konferencave e Hotelit Adriatik mblodhi shumë zonja të suksesshme nga bota e politikës, shkencës, biznesit dhe artit nga Anglia, Italia, Zvicra, Kosova, Shqipëria dhe vende tjera.

Zonja Shqipe Bytyqi foli në panel për temën më delikate “Mbrojtja e Gruas” dhe ndau mendimin lidhur me këtë temë të rëndësishme shoqërore, me theks të veçantë për sfidat dhe vështirësitë e gruas në diasporë.  Përveç tjerash ajo potencoi edhe sfidat e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, pritjet e tyre të gjata që drejtësia të vihet në vend, kauzë për të cilën angazhohet Qendra „Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur“.

Në mbyllje të fjalës, ajo apeloi që gratë pjesëmarrëse, profesioniste nga fusha dhe vende të ndryshme, të mbështesin këtë kauzë të ndjeshme që kërkon drejtësi.

Ishte një ditë suksesi për gruan në përgjithësi dhe në veçanti për gruan shqiptare. Zonja Mirela Mezani, drejtuese e Women Alb World me seli ne Gjenevë bëri një punë të madhe dhe organizim të shkëlqyer. Liria, vërtetë fillon me të drejtat e gruas!

 

Share this post