TAKIM I KOORDINATORIT TË QENDRËS NË DANIMARKË ME ISH KRYEMINISTRIN DANEZ RASMUSSEN

Koordinatori i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” për Danimarkë, z. Ibrahim Xhemajli takoi ish kryeministrin danez, z. Paul Nyrup Rasmussen, i cili përkrahu Kosovën në momentet jetike!

Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare daneze që do të mbahen më 1 nëntor 2022, ministri aktual i mbrojtjes, z. Morten Bødskov, kandidati i Partisë Social-Demokrate Daneze, kishte ftuar si mbështetës të veçantë të kandidaturës së tij, ish kryeministrin e Danimarkës, z. Paul Nyrup Rasmussen.

Po rikujtojmë se z. Paul Nyrup Rasmussen ka qenë kryeministër i Danimarkës gjatë dy mandateve nga 25 janari i vitit 1993 deri më 27 nëntor 2001. Për lexuesin shqiptar është me rëndësi të përmendim faktin se gjatë një periudhe prej 135 vjetësh, Danimarka nuk ka bërë asnjë luftë. Mirëpo, përballë politikës së gjenocidit që shteti serb zbatoi kundër shqiptarëve të Kosovës, Qeveria daneze e asaj kohe, e drejtuar nga kryeministri z. Paul Nyrup Rasmussen, vendosi të bëhet pjesë e shteteve të NATO-s që ndërhynë ushtarakisht për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.

Të gjithë ata që kanë përcjellë zhvillimet dramatike të asaj kohe dhe sidomos mërgimtarët shqiptarë në Danimarkë ruajnë një respekt të madh për z. Paul Nyrup Rasmussen.

Gjatë takimit me qytetarët danez të  komunës së Rødovre, të mbajtur më 30 tetor 2022, koordinatori i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” për Danimarkë, z. Ibrahim Xhemajli, u takua me ish kryeministrin danez, të cilit i shprehu mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në momentet më vendimtare të ekzistencës sonë kombëtare në Kosovë dhe, në të njëjtën kohë, i dorëzoi variantin anglisht të librit “Mashtrimi i madh”, të politologut Bardhyl Mahmuti, i cili hedh dritë mbi gjenocidin që u zbatua ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Share this post