Takim me donatorët e romanit “Eskadronët e vdekjes”

Më 31 tetor 2021 në Wettingen të Zvicrës u mbajt një takim me donatorët e romanit “Eskadronët e vdekjes”

Nën Organizimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” të pranishëm ishin një pjesë e donatorëve, të cilët në emër të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i përshëndeti Zëvendëskryetari Adnan Asllani. Ai, pasi foli për aktivitetet e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre në botimin dhe përkthimin e romanit “Eskadronët e Vdekjes”. Njëkohësisht njoftoi se romani tashmë është përkthyer në gjuhën angleze dhe turke dhe se janë duke u hulumtuar mundësitë e gjetjes së një shtëpie botuese, e cila e merr përsipër botimin e shpërndarjen e romanit në gjuhët përkatëse. Në gjuhën spanjolle tashmë romani është duke u përkthyer, e nga nëntori do të fillojë përkthimi edhe në gjuhën gjermane. Kurse për gjuhën franceze është duke u negociuar me përkthyes.

Autori i romanit, z. Bardhyl Mahmuti, që ishte prezent në këtë takim, falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre në botimin e romanit “Eskadronët e vdekjes”. Ai theksoi se përhapja e së vërtetës për tragjedinë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, gjenocidin që forcat serbe kanë ushtruar mbi shqiptarët duhet të jetë prioritet i secilit prej nesh.

Më pastaj fjalën e morën edhe Isuf Sherifi, Ramadan Avdiu, Haki Sutaj, Avdi Xhemajli, Agush Buja, Saime Isufi, Mehmet Bislimi, Enver Rama, Shaban Qorri etj. të cilët thanë fjalë të mira për romanin dhe për autorin. U theksua gjithashtu se romani po shpërndahet në të gjitha anët e botës.

Në fund, për të pranishmit u shtrua një koktej rasti.

Share this post