Takime të rëndësishme të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut

Gjatë javës së kaluar, nga 23 maj deri më 28 maj 2021, një delegacion i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” pati disa takime të rëndësishme me institucionet shtetërore dhe politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Takimin e parë e pati me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, i cili në këtë takim shoqërohej me ministren e Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu dhe me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, zonjën Saranda Bogujevci.

Në këtë takim, kryetari i qendrës, Bardhyl Mahmuti, dhe zëvendëskryetari, Adnan Asllani, e përgëzuan kryeministrin e Kosovës për seriozitetin e treguar duke e ngritur në nivel të institucioneve shtetërore të Kosovës çështjen e gjenocidit të kryer gjatë luftës në Kosovë. Përfshirja në programin qeveritar të domosdoshmërisë së përpilimit të dosjeve të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë në funksion të krijimit të kushteve paraprake për ngritjen e padisë kundër Serbisë, u vlerësua si hap tejet i qëlluar rreth të cilit duhet të dëshmojmë përkushtimin tonë kombëtar.

Kryeministri Kurti ishte hollësisht i informuar lidhur me aktivitetin e qendrës dhe shprehu mirënjohje sidomos për kontributin tonë në sqarimin e terminologjisë së saktë që duhet të përdoret kur flitet për gjenocidin.

Delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” i siguroi përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës për gatishmërinë e qendrës që të ndihmojë me tërë potencialin që posedon me qëllim të ngadhënjimit të drejtësisë.

Takimi ishte shumë i frytshëm dhe mbetet të koordinohemi për të përcaktuar modalitetet e angazhimeve tona.

Në Institutin e historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, drejtori i këtij instituti z. Sabit Syla, organizoi një bashkëbisedim me punëtorët e institutit rreth librit të Bardhyl Mahmutit “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, të botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”. Bashkëbisedimi me punëtorët shkencor u zhvillua në frymë konstruktive dhe u artikulua rreth domosdoshmërisë së harmonizimit të terminologjisë që përdoret kur flitet për krimin e gjenocidit në Kosovë me qëllim që ky krim të përkufizohet saktë.

Në funksion të koordinimit të veprimtarive tona, delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” pati takim me themeluesen dhe udhëheqësen e “Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”, zonjën Feride Rushiti.

Takimi ishte tejet pozitiv dhe të dy palët u pajtuam të koordinojmë aktivitetet e qendrave tona me qëllim që të jemi sa më të suksesshëm në synimet që kemi përcaktuar.

Një takim informues rreth aktiviteteve të i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” e zhvilluam edhe në Shoqatën e të burgosurve politik të Kosovës, ku na pritën kryetari i shoqatës, z. Hydajet Hyseni, Shefik Sadiku, Ilmi Ramadani, Skender Vardari dhe Fehmi Krasniqi. Takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe bosht i bisedave ishte roli që mund të luajmë në projektin qeveritar për të sistematizuar të dhënat për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Fakti se 18 janar 1994 Maqedoni e Veriut ka ratifikuar Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe ky ratifikim e obligon të mbajë qëndrim në përputhje me këtë konventë që qëndron në themelet e të drejtës ndërkombëtare, ndërsa gjatë luftës në Kosovë ky shtet është shtet dëshmitar që nëpër territorin të tij kanë kaluar mbi 440 mijë shqiptarë të Kosovës, të dëbuar gjatë zbatimit të spastrimit etnik si formë e gjenocidit, delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” zhvilloi disa takime të rëndësishme edhe në këtë shtet. Në takimet në Maqedoninë e Veriut kryetarit dhe nënkryetarit të qendrës iu bashkëngjit edhe Isuf Sherifi, anëtarë i kryesisë së qendrës në Zvicër dhe Fatmir Arifi, veprimtar i qendrës në Kosovë.

Në takim me përfaqësuesit e BDI-së, si forca më e madhe politike e shqiptarëve në këtë vend, kryetari Ali Ahmeti na informoi për veprimtarinë e pandërprerë për të ndriçuar krimet sistematike që janë bërë kundër shqiptarëve dhe na prezantoi librat që janë botuar me mbështetjen e tij me të vetmin qëllim që e vërteta të del në shesh.

Delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” e njoftoi kryetarin e BDI-së për veprimtarinë e qendrës dhe për qëllimin e takimeve tona. Fakti se spastrimit etnik është formë e gjenocidit, ndërsa Maqedoni e Veriut, si shtet dhe si shoqëri,  kanë mbajtur mbi supet e veta një pjesë të barrës së pasojave të spastrimit etnik të Kosovës, kërkuam nga z. Ali Ahmeti që të shqyrtoj mundësinë që shteti i Maqedonisë së Veriut të njeh zyrtarisht gjenocidin që ka kryer Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të dëshmojë për atë realitet tragjik të popullit shqiptar të Kosovës.

Të vetëdijshëm për punën paraprake që duhet të bëhet në drejtim të krijimit të kushteve të favorshme për miratimin e një rezolute të tillë, kryetari Ali Ahmeti na siguroi se do të angazhohet maksimalisht dhe në rrethanat që ata e shohin si të mundshme, do ta shtrojnë në rend të ditës.

Të njëjtën gatishmëri tregoi edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, i cili në zyrën e tij e priti delegacionin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”.

Takime tejet konstruktive u zhvilluan edhe në selinë e Lëvizjes Besa. Kryetari Bilall Kasami dhe deputeti i kësaj partie Basri Bajrami shprehën gatishmërinë e tyre dhe të partisë që përfaqësojnë që në këtë çështje të japin kontributin maksimal që kryerësit e gjenocidit në Kosovë të marrin dënimin e merituar.

Takim tepër konstruktiv dhe gatishmëri maksimale treguan edhe përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët. Kryetari Ziadin Sela dhe nënkryetari Remzi Memedi shprehën mbështetje të plotë të kësaj iniciative dhe vendosmërinë e tyre që të bëj çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të dalë në dritë e vërteta e gjenocidit që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës.

Një pritje të veçantë na bënë edhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Drejtori i institutit, z. Skender Asani, i cili njëherësh është i angazhuar rreth hulumtimit dhe argumentimit të gjenocidit, i shoqëruar nga Besnik Rameti, udhëheqës i departamentit të historisë në këtë institut, dhe në prani të Mehmet Prishtinës, kryetar i Fondacionit “Hasan Prishtina”, njoftuan përfaqësuesit e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” për aktivitetin e tyre në përgjithësi dhe aktiviteteve rreth ndriçimit të gjenocidit në veçanti.

Publikimet e shumta dhe manifestimet e organizuara nga ky institut ishin dëshmi e pakontestueshme për punën e madhe që ishin duke bërë.

Ata shprehën mbështetje të plotë për iniciativën tonë dhe ishin të gatshëm të kontribuojnë me tërë potencialin e tyre.

Në Tetovë patëm takim shumë të frytshëm me intelektualët Albulenë Halili, Rudina Zeqiri dhe Shemsedin Ibrahimi, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre që të marrën përsipër krijimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” për Maqedoninë e Veriut.

Për organizimin dhe mbarëvajtjen e vizitës sonë në Maqedoninë e Veriut një kontribut të veçantë kanë dhënë veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare, Xhevat Ademi dhe Islam Ramizi, të cilët i falënderojmë publikisht.

Share this post